×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Shëndetësia publike në lloç: Albin Kurti merr një vendim që shkon në favor të spitalit ku është drejtor Arben Vitia

    Insajderi
    05 October 2022 - 15:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shumicës së qytetarëve të Kosovës nuk ua mbanë xhepi që të shkojnë në spitalet private, të cilat kanë aparaturë më të sofistikuar e trajtim më të kujdesshëm.

    Mësymja popullore është kah shëndetësia publike, e cila ka mungesë të theksuar të çdo elementi për trajtim.

    Qeveria e Kosovës e cila është e obliguar për ta fuqizuar këtë sektor publik është në një fazë eksperimentale. Vendimet – që janë publike – po shkojnë në favor të shëndetësisë privatem shkruan Periskopi.

    Nuk po përmendim asnjë prej premtimeve të kryeministrit Kurti që ka dhënë në fushatat zgjedhore për transformimin e shëndetësisë publike, kur thoshte se do e rregullojë për një mandat, duke e larguar fillimisht qenin topall nga QKUK-ja. Premtimet janë të shumta e të gjitha kanë mbetur si të tilla.

    Mirëpo, kryeministri Kurti, mori një vendim që do të fuqizojë shumë spitalet private në Kosovë.

    Në fakt më së shumti do të fuqizohet Spitali “Olive”, në të cilin është drejtor mjekësor kryetari i qendrës së Lëvizjes Vendvendosje në Prishtinë, ish-Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Në mbledhjen e 99 të Qeverisë së Kosovës, e cila është mbajtur më datë 30 shtator, është marrë vendim aprovues që të hyjë në fuqi Udhëzimi Admirativ për Licencimin e Profesionistëve Shëndetësor të Huaj.

    Ky Udhëzim Administrativ thjeshtëson procedurat e aplikimit të licencimit për profesionistëve e huaj shëndetësor.

    Ky vendim, pos që do të fuqizojë spitalet private, ekskluzivisht do të fuqizojë Spitalin “Olive”.

    Burime të Periskopit kanë bërë të ditur se spitali në të cilën është drejtor Arben Vitia, do të sjellë në Kosovë mbi 10 profesionistë të huaj shëndetësorë, të cilët kryesisht do të vijnë nga Gjermania dhe Austria. Mësohet se mjekët do të vijnë bashkë më familjet e tyre dhe do të akomodohen në Prishtinë, në shtëpitë që do ua sigurojë spitali.

    Periskopi ka kërkuar një përgjigje nga “Olive” lidhur më këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje deri tani, pra në momentin kur po e publikojmë artikullin.

    Tashmë, dihet se “Olive medical & laboratory” ka zgjeruar aktivitetin.

    Olive ka blerë komplet hapësirat e spitalit privat Sirona në Veternik të Prishtinës dhe së fundmi është licencuar nga Ministria e Shkëndisë, e cila udhëhiqet nga Rifat Latifi.

    Njoftimi për marrjen e licencës është bërë në faqen e spitalit.

    “Spitali Olive, spital i përgjithshëm, i licencuar nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, është spital privat i nivelit ndërkombëtar që operon në Kosovë dhe ofron të gjitha llojet e shërbimeve mjekësorë”, thuhet në një njoftim të Olive.

    Laboratori “Olive” është licencuar për teste PCR nga Ministria e Shëndetësisë në kohën sa ministër ka qenë Arbën Vitia, i cili pas humbës së zgjedhjeve në Prishtinë është punësuar në këtë institucion. Laboratori kishte rritur fitimet mjaft shumë gjatë kohës se pandemisë.

    Dyshimet e para janë se punësimi i Vitisë si drejtor në atë institucion privat, bie në kundërshtim me ligjin.

    Sipas “Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit”, zyrtari i lartë publik e ka të ndaluar të punësohet për një periudhë deri në dy vjet pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese, në institucionet publike dhe private dhe institucioneve vartëse të tyre të cilat kanë marrëdhënie biznesi me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik, nëse detyrat e tij gjatë periudhës dy-vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen, kontrollin apo sanksionimin e aktivitetit të tyre.

    Më 24 Maj, Periskopi ka dërguar pyetje në Agjencinë Kundër Korrupsionit -AKK, lidhur më atë se nëse një ministër, i cili e ka lënë punën para pak muajve në ministri, a mund të punësohet në një firmë private -industri e njejtë ajo me punën të cilën e ka kryer deri para pak muajve në ministri por AKK-ja nuk ka kthyer përgjigje deri më tani.

    Doktori i Vetëvendosjes, pos akomodimit të tij në këtë institucion, ka punësuar edhe bashkëshorten e cila kryen punën e mjekës- Neonatologe. /Periskopi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark