×
  • Lajme
  • Lajme

    Shoqata për Shërbim të Jashtëm mirëpret vendimin e KPMSHCK për kthimin e Malokut në MPJD

    Insajderi
    22 February 2023 - 16:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës ka mirëpritur vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, për rikthimin e diplomatit, Agron Maloku në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    Maloku në mënyrë të kundërligjshme ishte dërguar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Ministrinë e Shëndetësisë.

    “Shoqata Sindikale e vlerëson jashtëzakonisht të rëndësishëm për gjithë pjesëtarët e shërbimit të jashtëm këtë vendim të KPMSHCK-së, i cili i ka njohur statusin e veҫantë të nëpunësit diplomatik z. Agron Maloku, të përcaktuar me nenin 4 të Ligjit për Zyrtarët Publik nr. 06/L-114, gjë që e bënë të kundërligjshëm transferimin e tij në një instituction tjetër”, thuhet në reagim të shoqatës.

    Reagimi i plotë:

    Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës (SHSASHJ) mirëpret vendimin e KPMSHCK përmes të cilit shfuqizohet vendimi i Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në MPB dhe shpallen të jashtëligjshme rekomandimet e Komisionit të Ristrukturimit në kuadër të MPJD-së me anën e të cilëve z. Agron Maloku, diplomat i karrierës që nga themelimi i Shërbimit të Jashtëm më 2008, aktualisht kryetar i Shoqatës Sindikale të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm, ishte transferuar në Ministrinë e Shëndetësisë kinse në emër të procesit të risistemimit.

    Shoqata Sindikale e konsideron transferimin e kryetarit të Shoqatës z. Agron Maloku si pjesë të fushatës hakmarrëse ndaj tij dhe Shoqatës Sindikale për shkak të veprimtarisë sindikale dhe për denoncimin e vazhdueshëm nga ana e tij dhe Shoqatës Sindikale të kundërligjshmërive në MPJD.

    Shoqata Sindikale kishte organizuar një protestë paqësore para objektit të MPJD si reagim ndaj një vendimi të tillë kundërligjor dhe kundërligjshmërive tjera në Shërbimin e Jashtëm.

    Shoqata Sindikale e vlerëson jashtëzakonisht të rëndësishëm për gjithë pjesëtarët e shërbimit të jashtëm këtë vendim të KPMSHCK-së, i cili i ka njohur statusin e veҫantë të nëpunësit diplomatik z. Agron Maloku, të përcaktuar me nenin 4 të Ligjit për Zyrtarët Publik nr. 06/L-114, gjë që e bënë të kundërligjshëm transferimin e tij në një instituction tjetër.

    Sipas vendimit të fundit të KPMSHCK-së, nëpunësit e shërbimit të jashtëm trajtohen me ligj të veçantë sa i përket zhvillimit të karrierës, procesit të sistemimit dhe transferimit duke theksuar se Komisioni i Ristrukturimit në MPJD ka vepruar në kundërshtim me këto dispozita.

    Në të njejtën kohë, KPMSHCK ka shpallur Raportin e Komisionit të Ristrukturimit si dhe vendimin e Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik për transferimin e z. Maloku në Ministrinë e Shëndetësisë si akte administrative të paligjshme. Me këtë vendim, detyrohet Komisioni i Ristrukturimit që të bëjë sistemimin e z.Agron Maloku në pajtim me nenin 4 të Ligjit për Zyrtarët Publik nr. 06/L-114, dhe me dispozitat e ligjit të veҫantë për Shërbimin e Jashtëm. Ditëve në vijim, Shoqata Sindikale dhe z. Agron Maloku do të procedojnë me kallëzim penal ndaj të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e këtyre vendimeve që e kanë dëmtuar qëllimshëm z. Maloku, në pikëpamje personale dhe profesionale, përmes një procesi jotransparent dhe të falsifikuar sa i përket metodologjisë së caktimit dhe vlerësimit të kritereve për sistemim, duke konsumuar vepra penale të inkriminuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

    Shoqata Sindikale i bënë thirrje anëtarëve të Komisionit të Ristrukturimit, Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në MPJD dhe MPB që të zbatojnë vendimin e KPMSHCK në afatin e përcaktuar kohor, si dhe të ndalin veprimet hakmarrëse ndaj z. Maloku dhe anëtarëve të tjerë të Shërbimit të Jashtëm, si dhe të lejojnë zhvillimin e veprimtarisë sindikale në MPJD në pajtim me legjislacionin në fuqi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark