×
  • Showbiz
  • Show

    Si iu shmangën tatimit ndër vite? Vazhdon ende mosdeklarimi dhe fshehja e të hyrave nga estrada shqiptare

    Insajderi
    24 March 2023 - 12:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sezoni veror e vendos estradën shqiptare në një ‘garë’ dominuese se kush do të mbajë koncerte e kush do të ketë fitim më shumë. Viteve të fundit nuk kanë munguar raportimet për artistë e këngëtarë të ndryshëm, që përkundër fitimeve të mëdha në dasma, koncerte e ahengje të ndryshme, nuk janë të rregullt në pagimin e tatimit ndaj shtetit. Madje disa prej tyre edhe janë përballur me gjykatë, shkruan Insajderi.

    Sipas raportimeve nëpër media para tri viteve, ishte publikuar një listë e gjatë e këngëtarëve që u hetuan për shmangie tatimi në Kosovë. Ishin publikuar shumë emra të njohur të estradës shqiptare si: Ramadan Krasniqi, Blerim Muharremi-Blero, Genta Ismaili, Afërdita Demaku, Violetë Kukaj-Retkoceri, Nystret Muqiqi, Merita Muqiqi, Albatrit Muqiqi, Jehona Sopi, Korab Shaqiri, etj.

    Sipas këtyre raportimeve, këta këngëtarë asnjëherë nuk i kishin paguar tatim shtetit të Kosovës, e në këtë mënyrë të gjitha të hyrat që ata i kishin marrë nga mbrëmjet muzikore i kishin shkaktuar dëme milionëshe buxhetit të Kosovës.

    Pjesë e këtyre këngëtarëve ishte edhe Afrim Muçiqi i cili ndiqej nga prokuroria pasi që pikërisht ATK-ja, kishte konstatuar se këngëtari ka borxh ndaj shtetit rreth 46 mijë euro. Përveç shmangies së tatimit sipas raportit të ATK-së, bashkë edhe me ndëshkim borxhi i Muçiqit ndaj shtetit shkonte deri në 80 mijë euro. Por ai “shpëtoi” si i akuzuar nga prokuroria vetëm për rreth 16 mijë euro. 

    Edhe këngëtari Sinan Vllasaliu, do të përballet me akuzën se i është shmangur mbi 24 mijë euro tatim shtetit. Me 23 shkurt të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim me të cilin ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së tij për hudhje të aktakuzës. Këngëtari Vllasaliu po akuzohet se ka dëmtuar shtetin 24 mijë e 270 euro e 98 centë duke iu shmangur tatimeve gjatë viteve 2011-2015.

    Ndërkohë që ai me 18 nëntor të vitit të kaluar kishte deklaruar para gjykatës se është i pafajshëm. Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja këngëtari i njohur kishte mohuar akuzat.

    “Jo, i pafajshëm”, kishte thënë Vllasaliu.

    Jo vetëm, para tri viteve raportohej po ashtu se edhe Shkëlzen Jetishi ishte njëri prej këngëtareve që nuk qëndronte mirë me punën e tatimeve. Dyshohej se ai i ishte shmangur tatimeve në Amerikë, një shtet ku shmangia e tatimeve është edhe një krim serioz atje.

    Për të ishte raportuar se atij i është shqiptuar ndalesë e përgjithshme për vizitë në Amerikë, pasi nuk kishte paguar taksa për biznesin me muzikë që e ka bërë atje, por ai më vonë e kishte mohuar këtë.

    Nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) thanë se një pjesë e këngëtarëve do ta paguajnë borxhin sipas ligjit, e cili iu mundëson që borxhin ndaj shtetit ta kryejnë edhe me këste.

    Duhet të kemi parasysh që një pjesë e tyre janë në marrëveshje për të paguar borxhin sipas ligjit në fuqi, i cili ju mundëson pagesat e borxhit të paguhen me këste”.

    Tutje për Insajderin nga ATK-ja treguan se në krahasim me vitin e kaluar ka rritje të deklarimit dhe pagesave, por përkundër kësaj, sipas burimeve të Administratës Tatimore, ka ende raste që fshehin të hyrat dhe nuk paguajnë tatimin.

    “Përkundër që kemi dyfishim të qarkullimit të deklaruar dhe tatimit të paguar, të dhënat tona
    qe kemi siguruar nga burime te ndryshme të informacionit na tregojnë se ende ka raste që kemi nën deklarim dhe fshehje të hyrave dhe mos pagesë te tatimit nga biznese/individ te
    caktuara (këngëtar, grupe muzikore, diskoteka, sallone dasmash…)”
    , thuhet në përgjigjjen e ATK-së./Insajderi/.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark