×
  • Lajme
  • Op-Ed
  • Lajme / Kosovë

    Sikur në vend të Azemit të ishte vrarë Sali Berisha?

    Insajderi
    13 September 2022 - 16:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Nga: Mero Baze

    Në Greqi ka pas një anekdotë pas vdekjes së Papandreut, që i atribuohej rivalit të vet Micotaqis. Ai merrte çdo ditë në telefon të venë e Papandreut dhe e pyeste:

    -Si është Andrea?

    -Andrea ka vdekur, i thoshte ajo nga ana tjetër e telefonit. Kur kjo u përsërit shumë herë, ajo një ditë i tha nervoze se “ua kam thënë që ka vdekur, pse merrni cdo ditë?”.

    -Dua të jem i sigurtë, i tha Micotaqi. Më pëlqen kur e dëgjoj.

    Kjo anekdotë plot cinizëm, në fakt ilustron ritualin e Sali Berishës çdo 12 shtator pranë vendit ku u vra Azemi.

    Azem Hajdari ka qenë njeri i rëndësishëm për Sali Berishën vetëm pas vdekjes. Prej 12 shtatorit të vitit 1998, e ka përdorur atë për çdo hall të vetin, për të bërë sulme të dhunshme mbi qeverinë, për t’u pajtuar me të, për të akuzuar Fatos Nanos si vrasës, pastaj për t’u bërë vëlla me të, për të zbuar nga partia kundërshtarët e tij, pastaj për t’i rimarrë ata, për të zbuar nga partia dhe vajzën e tij dhe pastaj për ta rimarrë atë.

    E vetmja gjë nga e cila ai nuk ka heq dorë, ka qenë keqpërdorimi i Azem Hajdarit të vdekur, duke nxjerrë në në këtë mënyrë dhe urrejtjen që ka pasur për Azem Hajdarin e gjallë, të cilin nuk e përdori dot kurrë.

    E vërteta është se Azem Hajdari u vra si një viktimë nga një përplasje e gjatë mes Sali Berishës dhe fisit Haklaj në Tropojë. Në përpjekje për të dalë nga spiralja e këtij konflikti që nuk ishte problem i tij, Azemi tentoi të ballafaqojë direkt Haklajt dhe miqtë e tyre me Sali Berishën, më 12 shtator 1998 në Tiranë, kur ata mbërritën para selisë së PD qysh në pasdite, ndërsa Berisha ishte kthyer nga një miting në Fier.

    Në një farë mënyre ai po ballafaqonte palët reale në konflikt, pasi ai vet nuk ishte pjesë e atij konflikti, por një aktor i përfshirë në mënyrë tinzare nga Sali Berisha.

    Berisha e kuptoi rrezikun e ballafaqimit direkt me armiqtë e vet dhe nuk lëvizi nga zyra deri në mbrëmje sa mbërriti Azemi, i cili u vonua sa mundi, por nuk e shmangu dot ardhjen pas shumë telefonatave të Berishës.

    Pas disa makinacioneve të Berishës me njerëz që e ftuan të dilte jashtë, Hajdari u përball në një situatë jashtë kontrollit me ta dhe mbeti i vrarë bashkë me një nga rojet e tij.

    Unë kam qenë njeri shumë i afërt me të, së paku muajt e fundit të jetës dhe kam plot episode të mjaftueshme për t’u bindur se ai në fakt donte që Haklajt dhe Berisha ta zgjidhnin me njëri- tjetrin problemin e tyre, ndërsa Berisha arriti ta zgjidhë këtë problem, duke përfshirë Azemin dhe duke e vrarë atë.

    Disa javë pas vrasjes së Azem Hajdarit, kur dhe stuhia rreth të ashtuquajturit “grusht shteti” ishte zbutur, avokat Ngjela, i cili kishte po ashtu një proces ripajtimi me Berishën, pasi udhëhiqte komisionin parlamentar të ngjarjeve të vitit 1997, me gjysmë humori i parashtroi Berishës “një skenar tjetër kritik”, nëse në vend të Azem Hadarit do të vritej Berisha.

    -Duhet të biem dakord, i tha. Tani ai u vra dhe ndodhi kjo që ndodhi, por po të ishe vrarë ti dhe të ishte ai gjallë do ishte ndryshe ekuacioni.

    Berisha u shtang një moment dhe nuk donte të bënte koment as për humor. Aq më tepër dhe në sy tim.

    -A do ishte ndryshe ekuacioni, vazhdoi avokati, pa vrarë mendje për shtangien e Berishës? Ai e zgjidhte ndryshe këtë punë. Një nga këta tanët binte dëshmor me siguri, por dhe një nga këta socialistët. Pastaj na mbyllte të gjithëve tek vila 31, derisa të qetësohej situata dhe caktonte Luan Hajdargën kryetar të PS, dhe Vilin këtej kryetar të PD dhe vazhdonte para. Ti se nxorre dot lojën.

    Berisha tentoi të qeshte duke tundur kokën me shpresë që avokati të ndryshonte bisedë.

    Por përtej këtij provokimi të hershëm të avokatit, vdekja e Azem Hajdarit, ose më mirë të themi heqja qafe e tij prej Sali Berishës, ka qenë një ngjarje e rëndë për historinë e PD, jo për shkak të asaj që ai vlente personalisht, por për shkak të asaj se çfarë ai mund të prodhonte politikisht brenda PD.

    Është e sigurtë që PD do të ishte përballur me reforma të forta dhe sot mund të kishim gjeneratën e tretë të udhëheqjes së saj, ndoshta më modernen dhe më të mirën e historisë së Shqipërisë. Azem Hajdari mund të mos ishte bërë më kurrë kryetar i saj, por do ishte gjithmonë shkaku që PD të kishte një kryetar që do të ndryshonte veten dhe PD.

    Ai ishte për tetë vite makthi i vetëm i Sali Berishës në pushtetin e tij të parë, dhe nuk ju nda atij deri ditën e fundit që ishte në pushtet, duke qenë opozitari më i ashpër kundër tij.

    Dhe ky po ja merr hakun për 24 vite me radhë duke shkuar pranë varrit të tij çdo 12 shtator, dhe duke vendosur kurora me lule. Si për t’u siguruar që ka vdekur Azemi dhe jo ai, për të cilin në fakt u nisën vrasësit./Tema

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark