×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza

    Skandal në Prizren – I vazhdohet mandati drejtorit të Shkollës së Muzikës me aktakuzë dhe pa hapur konkurs

    Insajderi
    24 May 2023 - 16:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Drejtorit të Shkollës së Muzikës në Prizren, Vesel Krasniqit i është vazhduar mandati edhe për tri vite në këtë pozitë pavarësisht se ndaj tij ekziston një aktakuzë e ngritur nga Gjykata Themelore e Prizrenit. Aktakuza ndaj tij ishte ngritur në vitin 2020 për “Cenim të të drejtave të punësimit dhe papunësisë”. Krasniqit i është vazhduar mandati si drejtor pa hapur konkurs nga DKA- Prizren. Insajderi sjell detajet.

    Gjykata Themelore e Prizrenit në vitin 2020 kishte ngritur aktakuzë ndaj tre ish- anëtareve të një komisioni mbi veprën penale “Cenim i të drejtave të punësimit dhe papunësisë”. Ndër ta ishte edhe drejtori i shkollës, Vesel Krasniqi i cili bashke me dy anëtarët e komisionit,  Jeronim Susuri dhe Rina Basha nuk e kanë përzgjedhur kandidatin Shkumbin Miftari në pozitën e mësimdhënësit në shkollën e muzikës në Prizren i cili sipas Gjykatës Themelore të Prizrenit ka qenë i vetmi kandidat që ka plotësuar të gjitha kriteret. Madje ata po dyshohet se ia kanë zhdukur edhe dosjen e aplikimit.

    Tri vite pas, ende pa nisur procesi gjyqësor lidhur me rastin, Vesel Krasniqit i vazhdohet pozita e drejtorit të shkollës.

    Por skandali nuk përfundon këtu. Atij i vazhdohet pozita pa hapur konkurs nga Drejtoria e Arsimit.

    Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Luljeta Veselaj Gutaj e arsyetoi këtë vendim duke thënë se mandati i është vazhduar sipas udhëzimit administrative nga Ministria e Arsimit në bazë të vlerësimit të përformancës së drejtorëve.

    Unë nuk merrem më vlerësimin e përformancës së drejtorëve. Vlerësimin e brendshëm e kanë bërë zyrtarët përgjegjës kurse vlerësimin e jashtëm dhe verdiktin e fundit për vazhdimin e kontratës e ka bërë Inspektorati i Arsimit. Ata nuk kanë pas gjetje se ka pasur aktakuzë, Neqoftëse ka aktakuzë në fuqi sigurisht që i ndërpritet marrëdhënia e punës”, tha ajo për Gazetën Insajderi.

    Pasi që drejtoresha u njoftua se ekziston një aktakuzë ndaj Vesel Krasniqit, ajo tha se “është hedhur poshtë ajo aktakuzë

    Gazeta Insajderi posedon aktakuzën e ngritur ndaj drejtorit të shkollës Vesel Krasniqi nga Gjykata Themelore e Prizrenit.

    Në vitin 2022, Insajderi kishte raportuar për skandalin që shkolla e muzikës kishte bërë ndaj një kandidati për mësimdhënës.

    Ndërsa gjatë ditës, është kontaktuar edhe vetë drejtori Vesel Krasniqi, por pasi që ka kuptuar se thirrja është bërë nga Gazeta Insajderi, ai e ka mbyllur telefonin dhe nuk është përgjigjur më.

    Me falni nuk po dëgjoheni“, tha ai.

    Lidhur me procesin e gjykimit, Insadjeri ka kontaktuar avokatin mbrojtës të të dëmtuarit, Shkumbin Miftari i cili kishte paditur komisionin.

    Avokati Gent Gjini konfirmoi për Insajderin se ende ekziston aktakuza ndaj Vesel Krasniqit. Sipas tij, vazhdimi i mandatit pa konkurs përbën shkelje të rëndë të ligjit.

    Duke marr parasysh se në të gjitha shkollat fillore e të mesme, në Komunën e Prizrenit janë hapur konkurset për pozitat e drejtoreve, ku kandidatet kanë gëzuar të drejtën ligjore të konkurrojnë dhe të i dorëzojnë aplikacionet se çka kërkohet në konkurs, në veçanti kriterit dhe kushtit që kandidatët të nxjerrin edhe qerfikatat nenhetime, dhe kandidatet te ju nënshtrohen procedurave të vlerësimit nga ana e komisionit, ne njërën nga shkollat në Komunën e Prizrenit nuk është hapur konkurs, këtu kur behet fjale për shkollën e muzikës “Lorenc Antoni”. Këtu mandati i drejtorit është vazhduar pa u hapur konkurs. Unë konsideroj se këtu është aplikuar standardi I dyfishte, dhe është shkelur ligji dhe e drejta për konkurrim, për kandidatet e ku edhe ligji penal e qartëson ne kodin penal veprën penale cenimi i te drejtës ne punësim, e kur dihet se behet fjale për poste publike  te taksapaguesve te te gjithë qytetarëve”, deklaroi avokati Gent Gjini.

    Gjini e ka quajtur këtë skandal të Drejtorisë së Arsimit duke i vazhduar mandatin një personi me aktakuzë aktive dhe duke mos hap konkurs për kandidatët e interesuar për këtë pozitë.

    Kjo skandalin e bën edhe më të madh, dhe arsyeton ne vehte qëllimin meskine, se perse është vepruar ne këtë mënyrë me këtë shkolle, pa u hapur konkurs vazhdohet mandati, dhe me një aktakuze penale aktive pa te drejt konkurrimi për kandidatet tjerë, gjë qe ne mënyrë klasike këtu konsumohet përgjegjësia penale, dhe formohen veprat penale, te keqpërdorimit te detyrave zyrtare dhe cenimit të së drejtës në punësim”, tha Gjini.

    Gazeta Insadjeri po ashtu ka dërguar pyetje edhe tek Gjykata Themelore e Prizrenit për të kuptuar se ku ka shkuar procesi i hetimit lidhur me aktakuzën e ngritur, por ende nuk kanë kthyer përgjigje.

    /Gazeta Insadjeri/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark