×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Skemat e mashtrimit me ‘Call Center’, gati një milion euro fitim për tri javë- këto janë bizneset e dyshimta të të dyshuarve

    Insajderi
    22 April 2024 - 15:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Tetë persona – të gjithë familjarë mes vete – janë arrestuar nën dyshimin se kanë krijuar një grup që Prokuroria i ka vënë në “llupë”, për shkak të mashtrimit të personave me qëllim të përfitimit financiar.

    Ata dyshohet se krijuan një Qendër të Thirrjeve (Call Center) dhe mashtruan në forma të ndryshme shtetasit gjerman, me qëllim të përfitimit financiar për vete.

    Gazeta Insajderi ka siguruar dosjen e plotë dhe akuzën që rëndon mbi këta persona, ndaj të cilëve të shtunën u vendos masa e paraburgimit ndaj tetë prej tyre, përjashto njërës nga të dyshuarat – ndaj të cilës u vendos masa e arrestit shtëpiak prej një muaji.

    Të dyshuarit për këtë rast janë: Kastriot Bunjaku, Bianca Segashi, Berat Cakaji, Liridon Dervisholli, Armend Dervisholli, Besart Dervisholli, Gëzime Dervisholli dhe Esat Dervisholli.

    Në dosjen e Prokurorisë në të cilën ka pasur qasje Insajderi, thuhet se ky grup, në asistencë me të pandehurin Indrit Haxhidautin, ka mashtruar persona të ndryshëm nga Gjermania përmes parapagimit, premtimeve për ri-gjetjen e parave të humbura. Ky grup janë paraqitur edhe si nëpunës policorë. Çdoherë sipas dosjes, për tri javë grupi i mashtrimit me “Call Center” kanë përfituar afro një milion euro për tri javë.

    “Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit e lartcekur, me të pandehurit të paraqitur në Aktvendimin mbi fillimin/zgjerimin e hetimeve PPS 73/2024 të dt. 04.04.2024, 15.04.2024 dhe 17.04.2024, duke vepruar si grup i organizuar kriminal, nga koha ende e pavërtetuar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe për personat e tjerë, aktivisht kanë marr pjesë në veprimtaritë kriminale të këtij grupi duke shfrytëzuar njohjen të shkëlqyeshme të gjuhës gjermane, ashtu që vazhdimisht kanë kryer vepra të rënda penale të mashtrimit dhe ndërhyrjes në sistemet kompjuterike, duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive të kundërligjshme të grupit, në atë mënyrë që i pandehuri Indrit Haxhidauti e ka organizuar, drejtuar dhe ka mbikëqyrë këtë grup i cili duke vepruar nga Kosova, nga lokacione të ndryshme, përmes telefonit, kanë mashtruar persona të ndryshëm, shtetas të Republikës së Gjermanisë, duke i nxitur që të iu dërgojnë të hollat në shuma të ndryshme, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve me kartela parapagese (prepaid), me e-banking përmes interneti, për investime, me ri-gjetjen e parave të humbura (recovery scam) apo duke u prezantuar rrejshëm si nëpunës policor, me premtime fitimi, si ndërmarrje për mbledhje borxhesh, duke përdorur program të posaçëm elektronik i cili e pengon zbulimin e numrit të tyre, kanë thirrë të dëmtuarit e pastaj duke u prezantuar rrejshëm i kanë vënë në lajthim ashtu që në këtë mënyrë kanë arritur që, për vetëm 3 javë të përfitojnë dobi pasurore në shumë të përgjithshme prej rreth një milion euro, thuhet gjerësisht në dosjen e Prokurorisë.

    Shumica e të dyshuarve në pronësi të kompanive “telekomunikuese”

    Pesë nga tetë të dyshuarit figurojnë të kenë qenë ose të jenë në pronësi të kompanive që merren me “aktivitete telekomunikuese” apo edhe të “qendrave të thirrjeve”.

    Madje, në disa raste, të dyshuarit figurojnë t’i kenë shpallur të shuara bizneset e ndryshme në të njëjtën datë.

    Insajderi ju sjell më poshtë emrat e kompanive, statusin e tyre dhe aktivitetet që ushtrojnë ato, ku janë në pronësi të të dyshuarve për mashtrim me “Call Center”.

    Kastriot Bunjaku figuron ta ketë në pronësi “Kassi Chat Center SH.P.K.” në Vushtrri, qytet ky prej edhe ku dyshohet ta ketë zhvilluar aktivitetin e mashtrimit të gjermanëve përmes thirrjeve. I dyshuari, në bazë të databazës së Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), figuron si drejtor me aksione të plota. Aktivitet kryesor i këtij biznesi përshkruhen “web portalet”, sekondari “publiciteti përmes mediave”. Ndërkaq, si aktivitete të tjera ka të përfshirë “aktivitete të qendrave të thirrjeve”.

    Në emër të të dyshuarit është edhe “Harun Nor Sh.P.K”, e cila për aktivitet kryesor ka tregtimin e veturave dhe automjeteve me fuqi të vogël motorike, si dhe mirëmbajtjen e riparimin e tyre.

    Berat Cakaji në të kaluarën i ka pasur tri kompani, të cilat janë shuar në të njëjtën datë (09/06/2022). “Diele Welle Sh.P.K’, “Eagle Communication Sh.P.K.” dhe “Eagle Group L.L.C.” që të gjitha aktivitet kryesor e kanë telekomunikimin kabllor.

    Në kompaninë “Eagle Group L.L.C.”,  përveç Cakajit, si bashkë-aksionarë janë të regjistruar edhe dy pronarë të huaj, që duken si emra fiktivë.

    Liridon dhe Armend Dervisholli, dy familjarë të arrestuar nën dyshimin për mashtrime me qendra thirrjesh, kanë në pronësi “ALB-TELEMARKETING O.P.”, biznes aktiv me qendër në Fushë Kosovë që aktivitet kryesor e kanë telekomunikimin kabllor.

    Armend Dervisholli, në anën tjetër, figuron edhe si agjent i regjistruar në “D-GROUP SH.P.K”, një kompani që kryen “aktivitete të qendrave të thirrjeve”.

    Esad Dervisholli, figuron ta ketë deklaruar të shuajtur një biznes, në të njëjtën datë sikurse kishte vepruar Berat Cakaji (09/06/2022).

    “N.T.P. “P. S. Communication””, me bazë në Prishtinë, paraqitet si biznes që për aktivitet kryesor ka “aktivitetet e telekomunikimit kabllor”.

    Dosja e Prokurorisë, si funksiononte grupi?

    Sipas dosjes së Prokurorisë akuzohen se gjatë vitit të kaluar nga lokacione të ndryshme, të dyshuarit kanë krijuar një Qendër të Thirrjeve dhe kanë telefonuar shtetasit gjerman, duke i mashtruar herë duke u prezantuar si “nënpunës i rremë policor, premtime fitimi, ndërmarrje për mbledhje borxhesh, mashtrim me kartela parapagesash, mashtrim me e-banking përmes internetit, mashtrim për investime, mashtrim për ri-gjetjen e parave të humbura”.

    Pas bisedave me ta të arrestuarit dyshohet kanë mashtruar viktimat, duke i bindur që të kenë qasje në kartelat e tyre bankare. Pas marrjes së qasjes, ata dyshohet se kanë transferuar para në xhirollogaritë e tyre, e më së shpeshti me paratë e viktimave kanë blerë kriptovaluta, për t’ua zhdukur gjurmët parave të vjedhura.

    Në operacion për zbulimin e këtoj grupi, përveç organeve hetuese të Kosovës kanë marrë pjesë edhe autoritetet gjermane dhe INTERPOL.

    Përveç këtij grupi në Kosovë, janë zbuluar edhe disa grupe të tjera që dyshohet se janë të lidhura me njëra-tjetrën edhe në disa vende të tjera europiane.

    Gjykata Themelore të gjithë të dyshuarve, në përjashtim të shtetases së huaj, ua ka caktuar masën e paraburgimit. Për shtetasen e huaj gjykata ka caktuar masën e arrestit shtëpiak. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark