×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Sot ballafaqohen “kushtet” e Kurtit dhe të Vuçiqit në Bruksel, betejë mes njohjes “de facto” dhe Asociacionit

    Insajderi
    27 February 2023 - 14:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Takimi i Nivelit të Lartë në Bruksel që nis sot mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “do të ketë vëmendje më të madhe ndërkombëtare në historinë e dialogut dhe marrëdhënieve mes dy shteteve”, ka thënë para disa ditësh, Përfaqësuesi Special për Dialog, Miroslav Lajçak, shkruan Insajderi.

    “Për të gjithë është e qartë se nuk i thuhet ‘Jo’ Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Miroslav Lajçak derisa ka shprehur pritshmëritë e tij të mëdha se liderët do të pranojnë “publikisht dhe zyrtarisht” propozimin evropian për normalizim e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Patatja më e nxehtë” në duart e Kurtit do të jetë Asociacioni ndërsa për Vuçiqin ajo e njohjes faktike të shtetit të Kosovës, siç është stërtheksuar nga ndërmjetësit dhe iniciatorët e propozimit evropian.

    Kurti për Asociacion udhëton me “gjashtë kushtet e tij” ndërsa Vuçiq me “tri vijat e kuqe” ndaj propozimit evropian të cilit ia ka shoqëruar edhe një “parakusht të të gjitha parakushteve”, që sipas tij, është themelimi i Asociacionit.

    Prej gjashtë kushteve të Kurtit për Asociacionin, më të theksueshmet janë se zbatimi i saj do të mund të bëhej vetëm pas njohjes nga Serbia dhe në kuadër të propozimit evropian, e assesi t’i paraprijë asaj.

    Ndërkaq Vuçiq thotë se pret që të adresohet dhe zgjidhet çështja e Asociacionit “ose përndryshe faleminderit, kaq ishte”. Ndërsa tri vijat e kuqe, Vuçiq thotë se “nuk do të ketë njohje të Kosovës, jo pranim të hyrjes së Kosovës në OKB, dhe garantim i sigurisë së serbëve”.

    Komisioni Evropian javë më parë ka miratuar disa konkluzione ku ldierëve u kërkohet që “pa kushtëzime” të zbatojnë të gjitha marrëveshjet paraprake, përfshirë edhe ajo për Asociacionin, pikë kjo e cila u citua edhe në letrën e Olaf Scholz, Giorgia Meloni dhe Emmanuel Macron drejtuar Kurtit dhe Vuçiq.

    Duke folur në kushte anonimiteti një zyrtar i lartë i BE’së thotë se në takimin e sotëm të Nivelit të Lartë në Bruksel ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “pritet që ata të miratojnë propozimin e BE-së”, shkruan Insajderi.

    “Do të jetë takimi më i rëndësishëm deri më tani”, tha zyrtari, siç e citoi portali evropian “Euractiv”, duke e vënë në kontrast me takimet e mëhershme si takime për menaxhimit të krizave.

    Ndërsa udhëheqësit nuk pritet të debatojnë vetë planin, Brukseli do të jetë i hapur për të diskutuar zbatimin e tij, tha zyrtari i lartë i BE-së. Propozimi përmban gjithashtu një aneks “me një kalendar të qartë veprimesh se kur dhe si duhet të ndodhin gjërat”./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark