×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Specialja ua vazhdon paraburgimin Selimit e Krasniqit

    Insajderi
    17 September 2023 - 12:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gjykata Speciale ka vendosur që t’i vazhdohet paraburgimi dy prej katër ish-krerëve të UÇK-së, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Kjo është bërë e ditur në vendimin të cilin e ka marrë Specialja dy ditë më parë.

    Si arsye për vazhdimin e paraburgimit, trupi gjykues ka vlerësuar se ekziston rreziku i dëmtimit të provave, ndikimit në dëshmitarë etj.

    “Në dritën e zhvillimeve të mësipërme, si dhe faktin se ka rrezik të vazhdueshëm në pengimin e procedimit dhe kryerjes së krimeve të mëtejshme…paneli konstaton se paraburgimi i z. Selimi edhe për dy muaj të tjerë është i nevojshëm dhe i arsyeshëm në rrethanat specifike të rastit”, thuhet në vendimin e Speciales për vazhdimin e paraburgimit.

    Trupi gjykues në një pjesë të vendimit, duket të jetë i vetëdijshëm për kohën e gjatë që Selimi e Krasniqi kanë kaluar në paraburgim. Andaj, kanë theksuar se do të kërkojnë që gjykimi të zhvillohet sa më shpejt që të jetë e mundur, raporton Telegrafi.

    “Në dritën e këtyre faktorëve, Paneli konstaton se paraburgimi i z. Krasniqi për dy muaj të tjerë është i nevojshëm dhe i arsyeshëm në rrethanat specifike të rastit”, thuhet në vendimin e Speciales për Krasniqin.

    Kujtojmë se Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

    Deri më tash në gjykimin e krerëve të UÇK-së janë dëgjuar 25 dëshmitarë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark