×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Stadiumi i lojës historike shndërrohet në gërmadhë – inaugurimi i tij parashihet në qershor, por përfundimi duket larg

    Insajderi
    11 March 2023 - 17:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Stadiumi Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë është totalisht jashtë funksionit. Ani pse në këtë stadium Kosova luajti ndeshjen e parë ndërkombëtare të njohur nga FIFA, tashmë ajo fushë e gjelbër ngjason me gërmadhë, shkruan Insajderi.

    Ky projekt nisi në vitin 2019 dhe kushtoi plot 12 milionë euro. Qeveria e Kosovës kishte thënë se ky stadium do të jetë gati në qershorin e vitit 2023.

    Por, Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit ende nuk ka siguruar në tërësi lejen ndërtimore nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    Këtë e kanë konfirmuar për Insajderin edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

    Po punojmë që i gjithë ky proces i lënë anash nga fillimi të mbyllet, ashtu që sapo të fillojë sezona për punime, të përfundohet procesi i shpronësimit të të gjitha pronave, jo vetëm pjesërisht, të sigurohet leja e ndërtimore në tërësi, jo vetëm pjesërisht, dhe të vazhdojë puna në terren duke sanuar dhe përfunduar projektin e stadiumit deri në aprovim nga UEFA“, thanë nga MKRS.

    Nga MKRS kanë thënë se stadiumi është në fazën e fundit të rregullimit të procesit të shpronësimit.

    Stadiumi “Adem Jashari” gjatë kësaj kohe është në fazën e fundit të rregullimit të procesit të shpronësimit, problem i cili është dashur të jetë përfunduar para se të fillojë procesi i ndërtimit. Në kohën e lidhjes së kontratës në vitin 2019, nuk janë adresuar në tërësi çështjet pronësore, që rrjedhimisht ka shkaktuar probleme procedurale dhe bllokim të punës në terren“, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

    Renderi i renovimit të Stadiumit Olimpik “Adem Jashari” që ishte prezantuar në vitin 2019

    Ndërsa, nga Komuna e Mitrovicës kanë fajësuar nivelin qendror për gjendjen e mjerueshme të stadiumit.

    Ky stadium ka shku rreth degradimit total, siç është sot. Nga ana e Komunës së Mitrovicës të gjitha obligimet janë kryer me kohë, si shpronësimi i shtëpive, dhe largimi nga to. Pra, nga ana e Komunës nuk ka asnjë pengese, po pengesa është diku tjetër, në nivelin qendror“, u shpreh drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Valdete Idrizi.

    Drejtoresha Idrizi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të vazhdojnë sa më shpejtë punimet, pasi që në atë zonë po rrezikohen edhe qytetarët të cilët kalojnë në atë rrugë.

    Shpresoj qe qeveria te reflektoj sa më parë dhe të vazhdoj punimet sepse demet janë tejet të mëdha, ne çdo aspekt. Edhe para vërshimeve te fundit kjo gjendje e stadiumit, e krijuar nga MKRS, jo veq që ka dëmtu sportistet, klubet tona, qytetin ne tërësi, por ka paraqitë edhe rrezik për qytetaret që kalojnë atje, kur dihet se kjo rruge është tejet e frekuentuar pasi që lidhë lagjet e Ilirides me Zhabarin“, ka thënë Idrizi./GazetaInsajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark