×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Sunak i shqetësuar për situatën në veri: Kurti dhe Vuçiç kanë përgjegjësi për të ulur tensionet

    Insajderi
    09 July 2023 - 15:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mbretëria e Bashkuar vijon të mbetet e shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, ku së fundmi kryeministri Rishi Sunak ka shprehur shqetësimin e tij.

    Deputetja britanike, Alicia Kearns e pyeti kryeministrin britanik nëse do të ketë angazhim nga ai për zgjerim të mandatit të KFOR-it, në mënyrë që të merret edhe me shqetësimet e tjera të cilat kanë ardhur si pasojë e tensioneve.

    Sunak citohet ti jetë përgjigjur se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiç kanë përgjegjësi për të ulur tensionet në veri të Kosovës.

    “Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, njëkohësisht i dënojmë shumë sulmet e paprovokuara ndaj KFOR-it. Sekretari i Jashtëm i ka thënë tashmë kryeministrit të Kosovës dhe Serbisë se liderët në Beograd dhe Prishtinë kanë përgjegjësi për ta ulur tensionin dhe për ta parandaluar dhunën e mëtejshme”, u shpreh ai.

    Që nga fundi i majit, serbët lokalë në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, po kundërshtojnë që kryetarët e rinj shqiptarë të punojnë nga ndërtesat komunale. Banorët lokalë serbë po ashtu po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave.

    Serbët lokalë janë përleshur me pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan, nga përleshjet janë plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët.

    Ndërkombëtarët kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe në veri të mbahen zgjedhje të reja lokale.

    Por deri më tani nuk ka hapa konkretë për arritjen e një marrëveshjeje, e cila prek kohësh kërkohet nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes ndërmjetësuesve që kanë ndjekur që prej fillimit situatën.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark