Sveçla garanton siguri në Kosovë: Po shpërndahet shumë propagandë - Insajderi
×
Insajderi

Sveçla garanton siguri në Kosovë: Po shpërndahet shumë propagandë

Insajderi
21 November 2022 - 23:37
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Kosova dhe shoqëria kosovare gjithmonë ka qenë në rrugën e drejtë, duke iu referuar situatës në Veriun e Kosovës.

Sveçla ka reaguar pas dështimeve të bisedimeve në Bruksel, teksa ka treguar se “ka dezinformim”, për siç thotë ai nga mbështetësit dhe të punësuarit e Serbisë”, duke iu referuar mediave serbe të cilat raportuans se “ai gjendet në Veri të Kosovës”.

“Kohëve të fundit është shtuar e zgjeruar në lloje e metoda propaganda dhe dezinformacioni nga përkrahësit dhe të punësuarit e Serbisë. Natyrisht qëllimi i tyre është për t’ju shqetësuar e shtuar pasigurinë tek ju. Për çdo orë po shpërndahen kinse informata duke asociuar ndodhi nga e kaluara e largët dhe e dhimbshme”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

“Por të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare, siguria e të gjithëve, pa asnjë dallim, është mision, detyrë dhe mandat i yni kushtetues e ligjor që do ta zbatojmë me përpikmëri e vendosmëri”.

“Bashkëpunimi i ngushtë mes nesh, komunikimi i ndërsjellë dhe fryma e mirëkuptimit lehtësojnë zbatimin e misionit tonë. Policia e Kosovës është e përkushtuar dhe e gatshme që të ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë Republikës së Kosovës në koordinim të ngushtë me partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

“Ligjshmëria, respektimi dhe zbatimi i vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë rruga e duhur dhe e vetme në mbrojtjen e frymës dhe vet institucioneve, sundimin e rendit e të ligjit dhe garantimin e sigurisë publike”.

“Ju lus të gjithëve për bashkëpunim me përfaqësuesit e shtetit, zyrtarët policorë, solidarizim ndërshoqëror dhe ndërveprim me të gjitha institucionet e vendit tonë të cilët po  kujdesen për zbatim të vendimeve tona të drejta”.

“Ne kemi qenë gjithnjë në rrugën e drejtë si popull e shoqëri. As u kemi shkaktuar të tjerëve padrejtësi as i kemi mbështetur ato kur u kanë ngjarë popujve të tjerë. Njëjtë jemi dhe sot.  Të gjithë bashkë për vendin tonë, për demokracinë e ligjin tonë”, ka mbaruar Sveçla.

Situata në Veriun e Kosovës është e qetë. 


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark