×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Takimet e të vrarit “Cen Kaçaniku” me figurat e rëndësishme politike

    Insajderi
    24 January 2023 - 11:18

    Nusret Cena, ish-veterani i UÇK-së, është vrarë mbrëmë me breshëri plumbash, derisa ishte në veturën e tij.

    Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, derisa Prokuroria ka thënë se “hetimet janë duke vazhduar në mënyrë intensive, shkruan Gazeta Insajderi.

    Përveç se veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, emri i tij është i njohur për organet e drejtësisë. Ai përmendet në rastin “Sekiraqa” dhe për një vrasjes së trefishtë që kishte ndodhur në Kaçanik në vitin 2007 si dhe në rastin “Zharku”.

    Cena dyshohej se kishte gisht në shpërthimin që ndodhi në kafenenë “Sekiraqa”, me 27 shtator të 2007-ës. Por me të nisur procesi gjyqësor Nustret Cena ishte liruar nga akuzat, shkruan Gazeta Insajderi.

    Emri i Nustret Cenës përmendej edhe në rastin e një vrasje të trefishtë që kishte ndodhur në Kaçanik në vitin 2007. Ai akuzohej për veprën penale vrasje.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të akuzuarit Agron e Afet Dalloshi, Nusret Cena, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, më 28 dhe 29 shtator 2007, në vendin e quajtur te “Ura e Lepencit”, afër fshatit Soponicë, Ferizaj, janë marrë vesh dhe kanë privuar nga jeta Neshat, Sylejman dhe Urim Baftiun, kishin lënë të plagosur Bujar Baftiun, ndërsa pa lëndime kishte shpëtuar Sadik Baftiu.

    Lidhur me këtë, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me aktgjykimin e 7 shkurtit 2011, të akuzuarit Hasani dhe Qerimi i ka shpallur fajtor duke iu shqiptuar dënim me burgim afatgjatë, çdo njërit nga 33 vite, kurse të akuzuarin Nysret Cena e ka liruar nga aktakuza në mungesë të provave, shkruan Gazeta Insajderi.

    Nusret Cena, ishte dënuar për zhvatje në rastin “Zharku”. Ai ishte dënuar me 1 vjet e një muaj burgim. Më 21 prill 2011, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e kishte shpallur Cenën fajtor për kryerjen e veprës penale të zhvatjes dhe posedimit të paligjshëm të armës.

    Cena dyshohet se mbeti i vrarë, të hënën e 23 janarit pas të shtëna me armë zjarri nga persona të pa njohur deri tani në drejtim të tij. Vdekjen e 48-vjeçarit e ka konfirmuar mjeku, teksa trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndryshe, Cena, njihej për lidhjet e tij me politikën, sidomos me anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, kjo pasi shumicën prej tyre i kishte edhe bashkëluftëtarë.

    Në profilin e tij në Facebook, Cena, kishte publikuar fotografi me shumë nga figurat që tani kanë poste në politikë, dhe jo vetëm, shkruan Gazeta Insajderi.

    Një nga to e ka me Besim Ilazin, kryetarin e komunës së Kaçanikut, prej nga edhe vjen Cena.

    Cena ka fotografi edhe me kryetarin e Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhin.

    Në profilin e tij nuk mungojnë edhe fotot me Elmi Reçicën, deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës.

    Derisa, ai shihej teksa shoqërohej edhe me Bajrush Xhemailin, ish-kryetarin dhe deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës.

    Në profilin e tij nuk mungon as Kadri Veseli, ish-kryetari i PDK-së që tash gjendet në Hagë.

    Lexo edhe:

    © Gazeta Insajderi

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark