Tenderi 400 mijë eurosh i Qeverisë Kurti, favorizohet kompania e ish-shefit të Hysen Durmishit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Tenderi 400 mijë eurosh i Qeverisë Kurti, favorizohet kompania e ish-shefit të Hysen Durmishit

    Insajderi
    23 November 2022 - 15:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, para se të ishte nëpunës i shtetit ka punuar në kompani private. Durmishi kishte punuar për NNP ”Sopi”, e cila përpos që kishte fituar katër tenderë nga komuna e Prishtinës dikur, tash e njëjta po synon të fitojë një kontratë në mënyrë të dyshimtë në një vlerë prej  440 mijë euro nga MMPHI. Pronari i kompanisë Naim Sopaj shpesh e shfaqë veten edhe si mbështetës i madh i Vetëvendosjes.

    Në CV-në e zv. ministër Durmishit shkruan se ai kishte punuar si menaxher në kompaninë NNP “Sopi” në vitin 2009 -2010, me pronar Naim Sopaj nga Suhareka. Pas kësaj, Durmishi ishte rehatuar si drejtor i  Infrastrukturës në komunën e Prishtinës, në kohën kur udhëhiqte Lëvizja Vetëvendosje. Qysh në atë kohë, “Sopi” kishte fituar rreth katër tenderë nga Komuna e Prishtinës, të cilët kalonin vlerën e mbi një milion eurove.

    Lexo edhe:

    Kompania e ish-pronarit të Hysen Durmishit është rekomanduar për kontratë nga MMPHI.

    Periskopi ditë më parë raportoi se dyshohet që NNP ”Sopi” nuk i ka plotësuar kriteret për t’u shpallur fitues, ndonëse kontrata nuk është lidhur akoma, meqë është pezulluar procesi pas ankesave.

    Rasti është në Organin Shqyrtues të Prokurimit -OSHP. Para se të marrë vendim Bordi i këtij organi, rëndom e autorizon ekspertin e vetë që të shoshisë të gjitha pretendimet e kompanive ankuese dhe më pas të hartojë një raport të ekspertizës. Pastaj, vendimin e vetë, Bordi e mbështetë krysisht mbi raportin e ekspertizës. Kështu ka vepruar edhe në këtë rast.

    Periskopi e ka parë raportin që e kanë dorëzuar dy ekspertë të OSHP-së. Ata kanë gjetur shkelje nga ana e Komisionit të Ministrisë, kur e kanë rekomanduar për kontratë lot 2, kompaninë “Sopi”.

    Lexo edhe:

    Në raport thuhet se kompania e rekomanduar për kontratë për lot 2, në listën e projekteve të paraqitura për natyrën e punëve të realizuara për këtë aktivitet të prokurimit nuk e përmbush kërkesën e Autoritetit kontraktues ku kërkohet që “Operatori duhet të ofrojë dëshmi të mjaftueshme që ka kryer shërbime të ngjashme (studime të fizibilitetit, projektin idor dhe projektet të detajuara dhe mbikëqyrjen e punimeve të ndërtimit të digës) të paktën dy kontrata”.

    Sipas ekspertëve, kompania në këtë listë dhe në dokumentet e bashkangjitura në ofertë, askund nuk ka paraqitur dëshmi e cila e përmbush kërkesën e lartpërmendur.

    “Vlerësimi i Autoritetit kontraktues se ky Operator Ekonomik ka kryer punë të ngjashme si: “ka ofruar listën prej dhjetë projekteve të ngjashme të projekteve në fushën e furnizimit me ujë dhe sistemeve të kanalizimeve të cilat kanë si qëllim furnizimin me ujë të popullatës të ngjashme në dertimin e digave të vogla dhe të mëdha, nuk qëndron pasi që projekti, mbikëqyrja dhe analiza e Digave është një lëmi komplekse ku kërkon kalkulime, shqyrtime dhe analiza të cilat dallojnë nga projektimi i Kanalizimit dhe Ujësjellësit të cilat bëhen me një kalkulim dhe analizë të thjeshtë”, thuhet në raport.

    Lexo edhe:

    Po ashtu, ekspertët kanë gjetur edhe të tjera shkelje, ku operatori i propozuar për kontratë për lot 2, nuk ka plotësuar kërkesat minimale për staf profesional.

    “Lidhur më pretendimet ankimore kundrejt stafit profesional të aplikuar tek kërkesat e kualifikimit, sqarojmë se kërkesat për KE1 Team Leader është “Diplomë Master në Inxhinieri Ndërtimi” dhe Operatori i rekomanduar për kontratë ka prezantuar z. Mark Peploka i cili ka diplomë master në Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave dhe si i tillë nuk e plotëson kërkesën e vendosur nga Autoriteti Kontraktues”.

    “Për pozitën Key Expert 2 – Specialist i digave -Diplomë Master në Inxhinieri Ndërtimi. Operatori fitues ka ofruar z. Fadil Muja, i cili ka diplomë Inxhinier për ndërtim civile industrial -ura. Kjo diplomë nuk e plotëson kërkesën. Për pozitën Key Expert 3 Inxhinier Gjeolog -Doplomë Master në Inxhinieri Gjeologji ose fusha të ngjashme inxhinierike, kompania fituese ka ofruar z. Fatmir Bajra, i cili ka përfunduar studimet master në vitin 2021 dhe rrjedhimisht për kualifikimin e kërkuar nuk ka eksperiencë 10 vjeçare të punës”.

    Megjithëkëtë, fjalën përfundimtare për këtë duhet ta jep Paneli i OSHP-së, i cili akoma nuk është mbledhur për të vendosur për këtë.

    Pos për lot 2, eksperti i OSHP-së ka gjetur shkelje edhe në ofertën e rekomanduar për kontratë në lot 4.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark