×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Tragjedia diplomatike” në Mynih – Të gjitha vajtimet e pushtetarëve për mungesën e takimit Kurti-Blinken

    Insajderi
    21 February 2023 - 22:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkoi dhe ktheu nga Mynihu pa një takim me Sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken. Ky i fundit gjeti kohë dhe hapësirë të takojë Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, shkruan Insajderi.

    Mungesa e këtij takimi u përjetua si disfatë në skenën e brendshme politike, ndërsa u morr edhe për konfirmim të mungesës së afrisë në marrëdhëniet Kosovë-ShBA.

    Megjithatë, shpjegimet për këtë mostakim janë të llojllojshme nga vartësit e kryeministrit, ndonëse partneritetin dhe kontaktin me amerikanët thonë ta kenë të përditshëm.

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili edhe kishte shoqëruar Kurtin në Mynih, ka një shpjegim kontraverz se pse Kurti s’është takuar me Blinken, dhe pse ky i fundit u takua me Vuçiqin.

    “Konferenca ka qenë ku temë qëndrore ishte siguria, ishte mundësi e mirë që liderë të takohen me njëri-tjetrin, të trajtojnë çështje të sigurisë. Unë mendoj që Kosova nuk paraqet urgjencë të sigurisë. Nëse dikush paraqet urgjencë të sigurisë, është Serbia, mbase edhe për atë janë takuar”, ka thënë ai në Teve1, përcjell Insajderi.

    Megjithatë, takimi Blinken-Vuçiq, ishte krejtësisht i natyrës tjetër dhe s’kishte të bënte me siguri, përveç sigurisë që ka të bëjë me nevojën e arritjes së një marrëveshje Kosovë-Serbi. Ishte plani evropian për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, dhe agresioni rus ndaj Ukrainës që ishin temë mes Blinken dhe Vuçiq.

    “I vetmi vend në Ballkan që e ka takuar, është Vuçiqi, që nuk i ka vendosur sanksione. Mbështetësi më i madh i Ukrainës është Amerika, andaj mendoj që kjo është arsyeja pse një takim i tillë është konsideruar”,  tha ai, ndonëse në cicërimën e Blinken Vuçiqit “falënderohet” për mbështetjen që Serbia, sipas sekretarin amerikan, “po i jep Ukrainës”.

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka një shpjegim tjetër, por edhe të pasaktë kalendarisht e kronologjikisht. Ajo thotë se Blinken iku nga Mynihu sapo mbërriu Kurti. E vërteta, megjithatë, qëndron ndryshe.

    “Në të njëjtën ditë kur ata kanë arritur në mbrëmje zoti Blinken është larguar nga aty për udhëtimin në Turqi dhe për të tjerat detaje unë nuk kam, sepse nuk kam qenë pjesë e protokollit të pjesëmarrjes në Konferencë të Mynihit”, ka thënë Kusari-Lila.

    Sekretari amerikan i Shteit, Anthony Blinken, ka qenë në Mynih gjatë kohës kur Kurti vetëm kishte nisur takimet me politikanë tjerë atje, shkruan Insajderi.

    Të shtunën, Blinken foli në panel me ministren e jashtme gjermane, Annalena Baerbock dhe ministrin e jashtëm ukrainas, Dmytro Klubela.

    Ndërkaq, vetëm më pastaj, Blinken ishte nisur për në Turqi, më 19 shkurt, ndërkaq gjatë asaj kohe Kurti ishte në Mynih dhe kishte zhvilluar disa takime.

    Edhe “kampioni i peshave të rënda” në mbrojtjen e narracionit të dhe për Albin Kurtin, Mefail Bajqinovci, pati një version të tij për mostakimin Kurti-Blinken.

    Çështja e mos takimit është bërë shumë e madhe, tha ai, derisa tha se nuk ndodhi sepse nuk kishte arsye të ndodhtte.

    “Kur kanë mesazhe normalisht që takohen. Është bërë shumë e madhe. Është takuar me liderë botërorë. Me shefa të shteteve. Unë mendoj., e keni parë takimin e zoti Kurti me zoti Blinken. Nuk mendoj se nëse nuk takohet një herë qenka diçka problematike”.

    “Po e shohim njëfarë qasje, duke filluar nga Boondsteeli, që thonin po largohen. Pastaj u desh të reagoj ambasada amerikane. Kur u ndalua mbajtja e zgjedhjeve, thanë u prishën me Amerikën. Shkoi në SHBA dhe u takua me Blinken”, ka thënë Bajqinovci në T7.

    Kujtojmë se Blinken edhe para të këtij takimi me Vuçiq kishte zhvilluar një bisedë telefonike me të ku e kishte falënderuar për “angazhimin konstruktiv” në zbarkimin e pesëshes diplomatike në kuadër të planit franko-gjermna.

    As në këtër rast Kurti s’kishte marrë telefonatë nga Blinken, gjë që ka shkaktuar debat të ashpër për një disfavor të thellë ndaj Kurtit nga amerikanët.

    Kutjojmë se pesëshja diplomatike me të dalë nga takimi me Kurtin u shprehën se kishin pritur “kuptim më të mirë” nga Kurti rreth mundësive që hap plani franko-gjerman, megjithëse vetëm disa ditë më pas ai pati shkruar se Kosova e pranon në parim plani franko-gjerman./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark