Serbia dje pësoi humbje me rezultat të pastër 0-2 nga Brazili. Për asnjë moment nuk qe kundërshtar i denjë për sambën braziliane, të cilët e dominuan që nga fillimi deri në fund takimin.
Madje, serbëve nuk u dhanë zemër as thirrjet nacionaliste e as flamuri krejtësisht i papranueshëm që ata shpalosën në tribuna nga tifozët, e siç raportojnë portalet e ndryshme edhe në zhveshtore të ekipit kombëtar serb.
Serbia preferoi të provokojë në Kupën e Botës “Katari 2022”, që me shumë gjasë është ngjarja më e shikuar aktualisht në glob. Ajo zgjodhi të thyejë edhe rregullat e FIFA-s që ndalojnë të gjitha shfaqjet politikisht jo korrekte në tribuna e fushë gjelbër.
Ndër të parët që reagoi kundrejt këtij mesazhi skandaloz ishte Petrit Selimi, ish zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Në shkrimin e tij në Twitter, Selimi kritikoi FIFA-n, shtëpinë më të madhe të futbollit.
“S’ka politikë? FIFA ua ndalon ekipeve evropiane që të kenë shirita krahu për të drejtat e njeriut “OneLove”, prapëseprapë zhveshtorja e ekipit serb e stolisur me hartën e Kosovës, me flamurin serb e me thirrjen “Jo Dorëzim” të mbivendosur. Kosova është anëtare e barabartë e FIFA-s, njerëz. E turpshme.”, shkroi Selimi duke e etiketuar FIFA-n.