22:01 - 20 Korrik 2017

Një javë nga operacioni në Llakatund të Vlorës, ku u sekuestruan 15 tonë kanabis, policia vijon të jetë prezente në fshatin Drithas, pasi dyshohet se mund të ketë ende drogë të magazinuar.

Kryeplaku i fshatit, Balil Gjata u arrestua bashkë me tetë persona të tjerë, por më pas u la i lirë nga gjykata. Ai thotë për Top Channel se droga e kapur nuk është mbjellë e gjitha në këtë zonë, por është e grumbulluar nga zona të tjera.

“Sa për dijeni, ky është një mall që nuk është mbjellë i gjithi këtu. Vetë të zotët e hallit që iu gjet malli brenda në shtëpi e kanë grumbulluar. Fshati ka 150 shtëpi dhe unë të gjitha nuk i kontrolloj dot. S’kam qenë dakord me arrestimin sepse me 50 mijë lekë që më jep shteti, kur kujtohet, unë s’ia dal dot”, thotë Gjata.
Kamera e Top Channel ka shkuar edhe në banesën e policit Lirim Lamaj, i cili qëndron në burg së bashku me vëllanë e tij për mbjelljen e 260 bimëve në bahçe. Babai i policit thotë se i biri nuk ka faj.

“Fajtori dihet kush është. Astriti e ka bërë. Të themi realitetin e të mos gënjejmë. Unë njësoj i kam, për të dy më dhemb zemra, por ai i bën fajet”, thotë Maman Lamaj.

Fshati Drithas ishte kthyer në një Lazarat të vogël dhe policia gjeti sasi të konsiderueshme në banesat e tij. Pas aksionit disa banorë nxorrën shpejt hashashin nga shtëpitë dhe i vunë flakën nga frika e policisë./TCH