×
Lamb

Udhëtimi absurd i një artisti serb dhe një qingji nëpër Kosovë

Insajderi
27 March 2021 - 20:19
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Ishte fundi i verës së vitit të kaluar kur unë dhe Luka, deri atëherë të panjohur, u takuam në Prishtinë, përmes disa të njohurve. Arsyeja e takimit ishte e pakuptueshme për mua. Kërkesa e tij, edhe më absurde.

“Dua të bëjë diçka që tregon absurdin në të cilin jetojnë serbët, karshi Kosovës”, më tha Luka, teksa nisi të shpjegonte gjithë barrën “kosovare” që serbët janë detyruar ta mbajnë për shkak të një politike fashiste që drejton vendin atje. 

“Do ta marrë një qingj në Jarinje dhe me të në krah dua të eci këmbë nëpërmes Kosovës, deri në Kaçanik”, thoshte Luka. “Dua që ti të vish me mua, në cilësinë e një përshkruesi të këtij udhëtimi. Të jesh një bashkëudhëtar i pavarur nga udhëtimi im”.

Si njeri dhe si një gazetar kurioz për ngjarjet që tejkalojnë normalitetin, i thash PO ofertës, me një mendim të sigurt se “ky udhëtim ishte vetëm një ide e cila do të mbetej si e tillë”. 

Por muajt kaluan shpejt, dhe marsi 2021 erdhi. Luka e kishte seriozisht. 

Jarinjë, 27 mars 2021.

Dhe, ja ku jam. E shtunë ora 9:30 e mëngjesit, në skajin e Kosovës, fshati kufitar me Serbi, Jarinje. Në një fermë në maje të fshatit, Luka po zgjedhte bashkëudhëtarin kryesor të tij, kingjin. Deri në atë moment, prisja që diçka të ndodhte, pra nuk besoja se isha bërë përnjëmend pjesë e një udhëtimi të tillë absurd në shikim të parë, por shumë konceptual në aspektin artistik. Për performancën nuk mund të them diçka më shumë, por ju ftoj ta ndiqni faqen e performancës në Facebook: LAMB. 

Ndërsa për mua, ai moment ishte vendimtari për të kuptuar se nuk ka kthim prapa. Andaj ju ftoj ta ndiqni këtë seri reportazhesh, nga afro 30 fshatrat që do t’i kalojmë së bashku në këmbë. Këtu nisë rrëfimi dhe përshkrimi i këtij udhëtimi absurd që pritet të zgjatë mbi 10 ditë.

Luka me qingjin, duke ecur rrugës Jarinje-Leshak

Si gazetar dhe bashkëudhëtar i kësaj performance do të fokusohem në përshkrimin dhe dokumentimin e jetës nëpër këto fshatra jo si etnitete por si komunitete.

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark