×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Ukshin Hoti, disidenti, profetizuesi dhe simboli i qëndresës

    Insajderi
    17 June 2023 - 20:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Autor: Prof. Dr. Abdullah Karjagdiu, studiues, profesor dhe njohës i kulturës

    Disidenti, profetizuesi dhe simboli i qëndresës, lirisë dhe dinjitetit kombëtar

    Që në fillim të parathënies së këtij libri, Kadare i bënë të ditur lexuesit se ky libër e ka zanafillën në përpjekjen për lirimin nga burgu të Ukshin Hotit. Pas dërgimit të një serie letrash institucioneve ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe ministrive të punëve të jashtme të vendeve kryesore perëndimore u vendos që të botohej një libër në trajtë të dialogut i botuar në tri gjuhë, shqip, frëngjisht dhe anglisht, për të bërë më efikas dhe për të sensibilizuar dhe kushtrimuar opinionin publik ndërkombëtar.

    Libri është shkruar nga mesi i vitit 1997 kur, si thotë Kadare, Shqipëria porsa kishte daluar nga drama e shëmtuar kaotike dhe vetëvrasëse, kurse në Kosovë po acarohej situata gjithnjë e më shumë. Kadare e kishte bindjen se, më tepër se kurrë, ndihej nevoja e prijësve dhe liderëve shqiptarë. Ndërkaq, si thotë ai, Ukshin Hoti, njeriu që aq fort i duhej Kosovës, ishte i burgosur. Përveç kësaj, Kadare e kishte parashikuar këtë libër si një thyerje e grilave të burgut. Roli i tij, sipas Kadares, ishte i trefishtë: Shpallja publikisht e pikëpamjeve të Ukshin Hotit, ato mendime disidentësh, që kishin qenë shkaku i burgosjes së tij, njohja përmes tyre e dramës kosovare dhe lirimi i liderit nga burgu. Duke e përvijuar këtë dialog me një të burgosur, Kadare e kishte të qartë se dialogu do të zhvillohej fare lehtë në një shtet demokratik, por vëren ai, “ishte i pamundur në një vend politikisht barbar si Serbia”. Së këndejmi, u parashikua si dialog i tërthortë i sëndërtuar përmes pyetjeve të dërguara me shkrim. Duhet thënë se hartimi i këtij libri kërkoi një kohë tepër të gjatë, për arsye se po shkruhej në një situatë të jashtëzakonshme. Si shpjegon Kadare, pyetjet dhe përgjigjet shpesh nuk përputhen në libër, disa pjesë të librit janë të fragmentuara dhe aty këtu vërehet ndonjë zbrazëti apo si i dukej Kadaresë: Një si perde mjegulle rrinte mbi gjithçka. Sidoqoftë, pyetjet e dërguara Hoti i ka pasur me sa duket pak kohë, dy a tri orë, kështu që, përgjigjet, të cilat me aq mund, vështirësi dhe përqëndrim, filloi t’i shkruante, i ka hartuar sipas kujtesës. Ndërkaq, Kadare mendon se me rrokullisjen e ngjarjeve në Kosovë, fati i Ukshin Hotit u bë identik me fatin e krejt Kosovës, çka iu ndodhë vetëm liderëve martir. Filloi bombardimi i Serbisë, e bashkë me të edhe i Kosovës. Populli shqiptar, thekson Kadare, i ndërgjegjshëm se çmimin e lirisë do ta paguante tepër shtrenjtë, pranoi flijimin apo viktimizimin si rrallë kush në historinë njerëzore. Dramën e madhe e përjetuan të gjithë, po atë e përjetuan dhjetëfish më tepër ata që ishin të lidhur me pranga në burgjet serbe. Në mesin e tyre ishte edhe Ukshin Hoti. Si në ndonjë epilog biblik, thekson Kadare, fati i tij u zhvendos në sfera të tjera, për të mbetur deri më sot në mjegull të plotë.

    Që në fillim të librit, autori vë në dukje se, çdo bashkëbisedim midis dy njerëzve, që nuk janë takuar kurrë, që ndodhen large njëri tjetrit dhe në kushte tejet të ndryshme, është pa pikë dyshimi i vështirë dhe pothuajse i pamundur. Hekurat e vendosur mes tyre, autori mendon se nuk ishin pengesë, por bënin të qartë shumë gjëra. Kadare ishte i mendimit se informacionet që i kishte për Hotin nuk ishin të plota. Atij i kujtohej se emri i tij ishte përmendur ndonjëherë, por mbase pa sinqeritet, ndërsa pos deklaratave të disa politikanëve shqiptarë, nuk ishte bërë asnjë përpjekje serioze për mbrojtjen dhe lirimin e Hotit.

    Ajo që është veçanërish për t’u vënë në dukje, shkruan Kadare, është se Hoti ishte i vetmi i burgosur politik numër një i Evropës. Ai thekson se nuk di ndonjë rast tjetër ku në burgjet e Evropës ndodhej një personalitet i përmasave të Hotit: Profesor universiteti, politikan i njohur dhe i shquar në përpjekje për demokratizimin e ish-Jugosllavisë, ish- ministër i Kosovës, i shquar për orientimin pro-perëndimor, publicist i dalluar, i specializuar në Harvard për shkencat politike dhe autorë librash të rëndësishëm. Kadare shpreh habinë e tij se nuk dinte ndonjë rast tjetër kur dikush të jetë dënuar kaq mizorisht, thjesht për idetë e tij politike dhe lirinë e mendimit. Në vijim, Kadare me të drejtë e shprehë keqardhjen e tij, duke deklaruar se qenkësh e thënë që populli shqiptar të japë prapë shembuj brengosës dhe që Evropa e verbër të mos ketë sy për të shikuar. Njëkohësisht, ai na bën të ditur se nga një pikëpamje e tij: Mbatja e Hotit në pranga, sado që tingëllon primitive, e jashtëkohshme, mesjetare, është në logjikën e gjërave dhe ajo lidhet me fatin e një “populli të ndaluar”, siç e ka quajtuar Rexhep Qosja, popullin shqiptar të Kosovës.

    Në të njëjtën kohë, Kadare cek se këtë sqarim dhe reagim që e bën ai nuk e bënë për t’ia rikujtuar Ukshinit rastin e tij, por për t’i njoftuar të tjerët që do ta lexojnë këtë bisedë se, siç shkruan ai: “Fati i rëndë që përjetoni ju, e kapërcen dukshëm veten tuaj se prangat tuaja kanë lidhje me një robëri të gjerë, ndaj askush s’ka të drejtë moralisht të flasë për ju, për ta larë gojën, ta ngushtojë problemin në përmasat e një drame vetjake”. Autori është i bindur se, qëndrimi Ukshinit në burg, është një humbje dhe dekurajim për shqiptarët.

    Me këtë rast, autori nuk e ka të qartë se kush e ka fajin për qëndrimi e gjatë të Hotit në burgje. Ai është në dilemë, në është fajtorë në radhë të parë harresa shqiptare, plogështia dhe mefshtësia apo edhe dëshira e fshehtë e rretheve të caktuara, që ai të mbetet atje ku është apo fajin e ka shurdhimi i Evropës, zyrat e larta të së cilës janë në dijeni të dramës së Hotit. Kadare e ka përshtypjen se ekziston një traditë jo e vogël e cinizmit evropian ndaj shqiptarëve, në përgjithësi dhe ndaj Kosovës, në veçanti, sidomos kur Evropa e pranoi në heshtje masakrimin e Kosovës.

    Natyrisht, ai e ka të qartë se edhe popujt tjerë të Ballkanit, sipas zakonit i gërmushen Evropës, duke dashur të kujtojnë se kanë edhe një mbrojtës tjetër, ortodoksinë, hijen e Bizantit dhe helenizmin. Por, si thotë me dëshpërim Kadare, i vetëm në këtë hapësirë që ndihet jetim është populli shqiptar, i cili ka mbetur në portën e saj herë duke i bërë himnin dhe herë duke mallkuar, por më kot. Ndërkaq, Kadare nuk harron të përmend se është kundër projektimit të së keqes vetëm te të tjerët. Ai nuk pajtohet me kërkimet e fatkeqësisë së shqiptarëve vetëm te Evropa ose te Azia. Ai na bënë të ditur se, për vonesën fatale në histori, populli shqiptar përgjigjet në radhë të parë vetë për veten e vet. Fjala është për gabimet, lajthitjet, fajet dhe vonesat, që ky popull i ka bërë dalngadalë gjatë shekujve. Ndër to ai e përmend lidhjen e tij të dobët me atdhetun, përqarjet dhe ndasitë kriminale, lehtësinë për të ndërruar fe e komb, egocentrizmin, kapardisjen mendjelehtë, etj. Pas këtyre vërejtjeve kryesore të politikanëve dhe liderëve shqiptarë, Kadare na njofton se Kosova për te kishte qenë gjithmonë një faktor stabilitetit, qetësimi shpirtërorë, qortimi dhe korrigjimi. Prandaj, shenjat e përqarjeve të shfaqura aty këtu në vitet e fundit, midis Shqipërisë dhe Kosovës, i janë dukur atij ogurzeza.

    Duke shkruar dhe shestuar dilemat e tij, Kadare vëren se flitet shumë për një strategji politike kombëtare me vend dhe pa vend. Ndaj, në këtë shtjellim ka shpesh fatalizëm. Mirëpo, kjo strategji nuk mund të ekzistojë nga përqarjet. Ai shpreh shqetësimin e tij të madh duke thënë se përqarjet e sotme shqiptare janë më të lemeritshmet, që ka njohur ndonjëherë populli shqiptar në tërë historinë e tij. Sipas fjalëve të Kadaresë, klasa politike shqiptare jep sot tablonë më dëshpruese dhe më të neveritshme të një përqarjeje. Prandaj, e pyet edhe Hotin në është e mundur që, më në fund, të krijohet një moral dhe kulturë e re politike midis partive shqiptare. Pasi dyshon se ka një strategji politike shqiptare, ai e sheh të udhës të flet për strategjinë kundër shqiptarëve, e cila ka qenë e pafytyrë, agresive dhe një nga turpet e kontinetit evropian, meqë ka pasur tendenca për coptimin dhe zhdukjen e Shqipërisë. Se sa serioze ka qenë kjo strategji kundër-shqiptare, ai merr si shembull politikën dhe propagandën serbe: “Kjo strategji” vazhdon Kadare “është e një race me strategji naziste të zhdukjes së çifutëve”. Veç kësaj, një strategji e tillë, vijon ai, me arrogancë të paparë shpallë se vetëm gjysma e shqiptarëve paskan të drejtë të jetojnë të pavarur, meqë qenka e rrezikshme që shqiptarët të përbëjnë një familje si të gjithë popujt. “Me fjalë të tjera”, reagon Kadare, “çdo popull ka të drejtë për liri, vetëvendosje, kulturë të veten, me përjashtim të këtij populli”.

    Po kështu, duke e qortuar mungesën e strategjisë politike shqiptare, ai shkruan se ka konstatuar se atë vit, me 1997, kishte pasur mbi 800 botime të propagandës serbe për t’i hedhur hi syve të njerëzimit për Kosovën. Përgjigja shqiptare ka qenë tejet e dobët. Të gjitha këto Kadaresë i duken si një paradoks i madh, meqë vite më parë e vërteta për Kosovën kishte qenë më e qartë, sepse më parë me të merrej, mirë apo keq, shkenca, enciklopeditë, dijetarët dhe intelektualët e shquar, por tani, sipas tij, ajo veprimtari është zëvendësuar me thashethemet vullgare të televizioneve. Prandaj, shton Kadare, miti i Kosovës i versionit serb mbetet ende zotërues dhe është bërë pengesë fatale për ta kuptuar dramën shqiptare.

    Megjithatë, Kadare ka prova se problemi i Kosovës ka një qartësi monumentale. Si thotë Kadare, çdo popull ka pak a shumë një hapërsirë, një truall, një shtëpi të vetë, ku është nguluar prej kohësh. Në hapërsirën e quajtur Kosovë, shpjegon Kadare, jetojnë shqiptarët (92%). Mandej, sqaron se Kosova është shtëpia e vetme e tyre në botë. Shqiptarët kanë qenë përherë aty dhe janë banorë autoktonë. Afër mendsh, ata i duan trojet e tyre, vazhdon Kadare, dhe kanë vendosur përherë të jenë në vendin e tyre. Mirëpo, një vend tjetër, i quajtur Serbi, ç’prej disa dekadash, dëshiron t’i dëbojë nga shtëpia e tyre, ose t’i shfarosë apo t’i mbajë në robëri. Për të përligjur këtë krim, ndër më të rëndit e këtij shekulli, ajo përdorë fjalët “nostalgji”, “kujtime”, “djep i Serbisë”. Me fjalë të tjera, reagon Kadare, Serbia ka shpikur një përrallë vullgare sikurse kjo tokë paska qenë serbe, se dikur serbët dhe vetëm ata, paskan derdhur gjak në këto troje, shekuj më parë. Mirëpo, Kadare i kundërvihet këtyre broçkullave, duke thënë se edhe nëse kjo përrallë të ishte e vërtetë, ajo nuk ju jep kurrfarë argumenti për të përligjur mbytjen e Kosovës në gjak. Kadare shtron pyetjen se si është e mundur që disa analistë evropianë, disa politikanë, disa shefa shtetesh, disa zyre institucionesh, diplomatësh ta gëlltisin tërë kohën këtë mashtrim vullgar. Kadare trazirat e vitit 1997 dhe heshtjen pasive të partive politike edhe në Kosovë i quan një lloj përçudnimi moral: “Ne e bëmë këtë bisedë”, vë në dukej Kadare, “jo për të ndrequr të kaluarën, por për hir të së ardhmes. Ju jeni në pranga jo për atë që keni bërë, por kryesisht për atë që mund të bëni”. Kadare ka përshtypjen se heshtja e gjatë, që u mbyt për largimin e Hotit është rrjedhojë e politikanëve shqiptarë. Sipas bindjes së Kadaresë, Hoti për ta është një arkaizëm, një dukuri jashtë mode. Pastaj, ai vazhdon, “ju ishit një sfidë e tmerrshme për politikanët e pa parime, që kacafyteshin për poste, për intelektualët dhe letrarët e pabesë, që kujtuan se po e fitonin të drejtën për të shitur atdheun. Së fundi, edhe për vulgun shqiptar që mendonte: “Nga na doli ky idealist, ne duam para”. Në fund, Kadare i përfundon idetë dhe shkrimet e tij, duke i shtruar Hotit një pyetje fundamentale. Pyetja e tij është: A munden politikanët shqiptarë të shkëputen më në fund nga primitivizmi ballkanas, të mposhtin sedrën e tyre të neveritshme, kokëfortësinë kriminale, mburrjen qesharake dhe fryerjen boshe dhe me gjakëftohtësi të kërkojë të gjitha mënyrat e mundshme, rrugët, dialogjet, kompromiset e detyrueshme për ta vënë në kahje të mbarë çështjen e Kosovës, në veçanti dhe çështjen shqiptare, në përgjithësi.

    Ndërkaq, në regimin e tij Hoti vë në dukje me mburrje se shkrimtari i mirënjohur shqiptarë, anëtari i Akademisë franceze, kandidat për çmimin Nobel për letërsi e kishte nderuar jashtëzakonisht shumë, duke iu drejtuar drejtpërdrejtë, me një bisedë të veçantë, në burgun e Nishit. Me atë rast, shkruan Hoti, ai ia kishte drejtuar disa pyetje konkrete, duke dhënë mendimin e vet për ato pyetje dhe duke propozuar që Hoti mundësisht t’i përgjigjej secilës letër në mënyrë që, nga e gjithë kjo, të krijohej një tekst i veçantë dhe i titulluar “Bisedë përmes hekurash”. Njëkohësisht, Hoti nga kjo ofertë ishte habitur dhe gëzuar pamasë. “Nga vendi ku ndodhem”, cek Hoti, “nuk mund të ëndërroja që shkrimtari, të cilin e çmoja aq shumë do të më nderonte me një bisedë të veçantë. Unë isha një lexues i rëndomtë i veprave të tij”.

    Përveç kësaj, Hoti sinqerisht e shprehë respektin e tij ndaj Kadaresë, duke thënë se Kadareja nuk është çfarëdo shkrimtari i madh, ngase ai kishte arritur në majet më të larta të letërsisë botërore, duke e zënë vendin e vet të merituar midis të pavdekshëve të tjerë, por gjithnjë si shkrimtar shqiptar. Sipas mendimit të Ukshinit, Kadare mbetet me karakterin e vet universal të një gjeniu, artisti të pandryshuar, pavarësisht faktit se a do të çmohet nga të tjerët. “Pikërisht për shkak të këtij fakti”, shkruan Hoti, “të tjerët nga jashtë, duke nderuar gjeniun dhe veprën e tij na nderojnë edhe neve shqiptarët, në pëgjithësi, sepse këtë ai e bëri të mundshme. Brez pas brezi shqiptarët do të krenohen me emrin e tij, se u lind prej tyre dhe u formua me ta”. Së këndejmi, ai pohon se do të përpiqet që t’i përgjigjet propozimit të shkrimtarit të madh, përkundër vështirësive që kishte në burg.

    Megjithatë, Hoti, pasi i lexoi letrat e Kadaresë, erdhi në përfundimin se secila pyetje e Kadaresë ngërthente edhe përgjigjen. Me fjalë të tjera, ato ishin pyetje retorike. “Mirëpo”, shton Hoti, “me gjithë lehtësimin që ma bënë në këtë mënyrë, në disa nga pyetjet nuk mund të pëgjigjem në mënyrë kategorike, qoftë sepse një gjë të tillë nuk e kam të mundshme, qoftë sepse nuk disponoj fakte materiale, por vetëm logjike.

    Ç’është e vërteta, në përgjigjet e tij, Hoti ka shtruar, shqyrtuar dhe shtjelluar një gamë të gjërë dhe të ndërlikuar të çështjes shqiptare. Në përgjigjet e tij do të gjejmë si të dhëna dhe shënime mbi familjen, shkollimin, studimet, formimin dhe karrierën e tij, ashtu edhe për veprimtarinë e tij të begatë, të gjërë dhe konstruktive të çështjes shqiptare, të rezistencës kombëtare, të kundërvënieve të parreshtuara kundër pushtuesve dhe robëruesve të shqiptarëve. Njëkohësisht, në letrat e tij ka shumë të dhëna për arrestimin, vuajtjet dhe qëndrimin e patrembur në burgjet e Serbisë, për ruajtjen e dinjitetit dhe të demaskimit të politikës agresive dhe dinake serbe, nga një anë dhe, nga ana tjetër në letrat e tij gjejmë edhe të dhëna dhe ngjarje në të cilat Hoti ka pasur rol prijës. Kemi përshtypjen se Hoti, si një intelektual shqiptar, kishte një guxim të veçantë, sepse ishte i sigurtë se njeriu është i lirë vetëm atëherë kur i shërben të vërtetës. Hoti besonte se populli shqiptar, edhe pse është viktimizuar nga Evropa dikur, e meriton vetëvendosjen. Madje, ai beson se një shtet i bashkuar shqiptar do të rrezatonte paqe, mirëqenie, tolerancë dhe demokraci për të gjithë në Ballkan. Në përgjithësi, në përgjigjet e tij Kadaresë, Hoti është më optimist, sepse e njihte mjaft mirë situatën politike dhe krizat që përjetoi populli shqiptar nën pushtimin e huaj.

    Ndërkaq, disa nga gjërat që do të doja t’i veçoja në përgjigjet e tij janë: Deklarata e tij se luftën për lirinë, pavarësinë dhe bashkimin e shqiptarëve e ka bërë vetë si individ pa përkrahjen e elitës, se si i tillë ai kishte pothuajse rolin identik që e kishte Dr. Stokmani, në dramën e Ibsenit “Armiku i popullit”, të përkthyer nga Noli, se ai e konsideronte veten si viktimë që i shërbente kombit të vet viktimë, meqë edhe vetë kombi shqiptar ishte viktimë, se atë e ngazëlleu dhe e trimëroi shumë paraqitja e UÇK-së si dhe mbështetja që e dha Evropa dhe ShBA për përpjekjet dhe luftën e shqiptarëve për liri dhe pavarësi.

    (Publikim në shenjë të tetëdhjetë vjetorit të lindjes së veprimtarit dhe intelektualit të madh, Ukshin Hoti. Shënimi është marr nga profili i Dr. Lirak Karjagdiu, i biri i autorit të këtij shkrimi, profesorit të nderuar, Prof. dr. Abdullah Karjagdiu.)

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark