×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Umberto Eko për librin

    Insajderi
    19 June 2023 - 22:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ka dy lloje librash, ata që i qëmtojmë, dhe ata që i lexojmë mirëfilli. Të parët syresh (prototipi në fjalë është numëratori telefonik, por janë gjithashtu edhe fjalorët dhe enciklopeditë) zënë shumë vend në shtëpitë tona, njëherësh vështirë t’i përdorim dhe kushtojnë majmë.

    Fare mirë do të zëvendësohen nga disqet multimediale, sepse kështu do të lirojmë hapësirën e duhur, në shtëpitë tona dhe bibliotekat publike, për hir të librave që ia vlen të lexohen (nga Komedia Hyjnore gjer në librat me tema kriminale). Librat që ia vlen të lexohen ndërkohë kurrsesi nuk mund të zëvendësohen nga asnjë sajesë elektronike.

    Ata janë ngjizur për t’u mbajtur në dorë, edhe në krevat qoftë, edhe në varkë, edhe aty ku nuk kemi priza elektrike, aty ku çfarëdo baterie mund të shkarkohet, ngase libri fizik mund të shënohet me stilolaps, mund t’i kthehet faqja apo t’i vendoset diçka mes fletëve si përkujtim, ai mund të rrëzohet përtokë, ose të dergjet mbi kraharorin tonë, ndoshta ta mbajmë mbi gjunj gjithaq kur jemi të përgjumur, por mund të rraset edhe në xhep fare mirë, ai mund të rrëgjohet, teksa gjithmonë libri merr edhe një fizionomi krejt individuale varësisht nga shpeshtësia dhe rregullsia e leximeve tona, ndërsa libri gjithnjë na e përkujton faktin (nëse na duket akoma i ri dhe i paprekur) që nuk e kemi lexuar, por librin mund ta lexojmë edhe duke e mbajtur kokën sipas ëndjes, pa e detyruar veten për lexim të ngulitur e të tendosur thelbësisht, sikurse ndodh përballë ekranit të kompjuterit, pajisjes fort të mbrothët, përveçse për shtyllën tonë kurrizore.

    Njerëzimi ka përparuar në vijimësi përgjatë shekujve duke lexuar dhe shkruar fillimisht në gur, pastaj mbi tabela prej balte të pjekur, më tutje nëpër rrotullama të ndryshme, por sidoqoftë gjindjes i këputej bretku vazhdimisht.

    Ndërsa kur njeriu zbuloi dikur se fletët mund të lidheshin së bashku, ndonëse akoma veç në formë dorëshkrimi, ai psherëtiu nga lehtësimi. Prandaj kurrsesi nuk do të heqim dorë nga ky zbulim mahnitës. Libri fizik përcaktohet nga vetë anatomia e njeriut.

    Përktheu: Elvi Sidheri

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark