Federata e Futbollit të Kosovës nesër do të mbajë Kuvendin Zgjedhor më gjashtë prill. Kandidat i vetëm për karrigen e të parit të FFK-së është vetëm Agim Ademi, pasi kundër-kandidati Gramoz Vokrri nuk arriti të certifikojë nënshkrimet e tij për të garuar, shkruan Insajderi.com.
Kur kanë mbetur më pak se 48 orë për këtë Kuvend, shumë prej delegatëve që do të marrin pjesë nuk janë njoftuar për vendin apo dhe kohën e Kuvendit.
“Jo nuk jemi njoftuar as për kohën e as se ku do të mbahet ne si klub, por kam edhe informacione për klube të tjera që as ato nuk janë të informuar dhe se nuk e kanë idenë se ku do të mbahet ky kuvend. Çka është hala më shqetësuese është se klubet nuk kanë pranuar as materialin (dokumente) e Kuvendit, këtë as nuk po e di si ta quaj”, deklaroi Zymberi për Insajderin.
Tutje, drejtori i FC Dritës shton se si klub kanë pranuar vetëm një email zyrtar nga FFK vetëm për shpalljen e zgjedhjeve dhe se në atë email shkruante se me kohë do të njoftohen për kohën dhe vendin se ku do të zhvillohet Kuvendi.
“Kjo është nuk në rregull. Vetëm emailin për zgjedhjen kurrë në jetë nuk kemi pranuar tjetër email. Një muaj përpara duhet të që materiali i Kuvendit të iu dërgohet klubeve”, shtoi ai.
I pyetur se delegatët e Dritës a do të marrin pjesë në këtë Kuvend, ai deklaroi se ende nuk e kanë diskutuar pasi nuk kanë informacione se ku do të mbahet.
“Nuk e dimë as në sa ora e ku të drejtohemi, është skandaloze.I kanë mendtë të proceset gjyqësore, kjo është skandal çfarë është duke ndodhur”, përundoi Zymberi.
FC Drita është një prej klubeve opozitare të FFK-së që kanë kërkuar ndryshimin në futbollin e Kosovës, duke mbështetur kandidaturën e Gramoz Vokrrit.
Të hënën Gjykata Themelore e Prishtinës refuzoi ankesën e Gramoz Vokrrit në lidhje me nënshkrimet e tij, duke i dhënë të drejtë FFK-së e cila nuk ia certifikoi nënshkrimet. /Insajderi.org/