×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Vështirë i aplikueshëm, do të sjellë ngarkesa e ndërlikime” – Drejtori i Arsimit në Ferizaj komenton opsionin e MASHT-it për librat

    Insajderi
    24 August 2023 - 17:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani ka komentuar propozimin e Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci që librat për nxënësit nga ky vit të blihet përmes prindërve.

    Llabjani në prononcim për Insajderin, konfirmoi se për këtë propozim të MASHT si DKA nuk kanë qenë fare në dijeni, për me tepër ai e cilësoi të vonuar këtë idenë të shpërndarjes së teksteve shkollore.

    Madje shtoi se ata veçse kishin filluar përgatitjet për shpërndarjen e librave siç rëndom ka ndodhur.

    Ka qenë një informacion i papritur dhe i pa konsultuar me DKA, që konsiderojmë se nuk ishte i menduar mirë. DKA në Ferizaj nuk ka qenë e informuar për një opsion të tillë për shpërndarjen e librave, në të kundërt janë bere të gjitha përgatitjet të cilat parashihen me ligj për formimin e komisioneve të ndryshme për shpërndarjen e librave siç është edhe e paraparë me Udhëzimin Administrativ”, tha drejtori për Insajderin.

    Ai shtoi se ky propozim është vështirë i realizueshëm e që do të sjell ngarkesa e ndërlikime.

    Është ide e vonuar, jo vetëm në komunikim, por edhe në realizim, pasi që ka mbetur shumë pak kohë deri në fillimin e vitit të ri shkollor dhe mungesa e teksteve do të sjellë shumë probleme, ngarkesa, e ndërlikime të ndryshme në fillimin e mbarë dhe me kohë të procesit mësimor”.

    I pyetur se si do të veprojnë nëse nuk dakordohen me propozimin e Ministrisë, Llabjani tha “Jemi në komunikim me  DKA-të e qyteteve të Kosovës, ky opsion i propozuar nga MASHTI siç u tha edhe më lartë është i pamenduar mirë dhe vështirë i aplikueshëm në këtë kohë të shkurtër, mirëpo gjatë ditëve në vijim duhet te mendohet edhe ndonjë opsion, varësisht nga mundësia që na lejon hapësirë ministria”.

    Ndërkaq, Ministrja Nagavci, në konferencën e mbajtur të hënën në pyetjen e Insajderit se a janë në kontakt, më saktë a kanë bashkëpunim edhe me Drejtoritë Komunale të Arsimit u shpreh se nëse jo ajo personalisht, vartësit e janë në kontakt “të vazhdueshëm” me drejtorët e Arsimit.

    Por këtë deklaratë po e mohon, drejtori i Arsimit në Ferizaj, ai thekson se nuk kanë pasur ndonjë kontakt e aq më pak takim me ministren.

    MASHTI nuk ka kontaktuar dhe nuk është përgjigjur në asnjë kërkesë për takim, veçanërisht, Ministrja Nagavci. Rrjedhimisht, DKA nuk ka mundur të jetë e informuar, e aq më pak të kërkohet ndonjë opinion në lidhje me opsionin e dhënë nga MASHTI”, potencoi ai.

    Propozimi i Qeverisë Kurti përkatësisht MASHT-it për librat ka nxituar reagime të shumta.

    Për më tepër, 1 javë para fillimit të vitit të ri shkollor 2023-2024, ministrja Nagavci ende nuk e ka saktësuar nëse versioni i blerjes së teksteve shkollore nga ana e prindërve dhe më pas rimbursimi i mjeteve përmes aplikimit në platformën ‘eKosova” do të jetë vendim përfundimtar i Qeverisë së Kosovës.

    Përkundër kritikave, Nagavci u shpreh se mësimi dhe furnizimi me libra “beson” se do të jetë gati qysh nga 1 shtatori.

    Pas 7 ditëve, do të mund të shihet nëse gjithçka do të shkojë sipas “planit” të ministrisë apo do të konfirmohet deklarata e kryetares së Kolegjiumit të DKA-ve, se tekstet shkollore nuk do të jenë gati për 1 shtator.

    /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark