×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Vështrim i shkurtër mbi romanin “Dead End” të shkrimtarit Virion Graçi

    Insajderi
    23 August 2023 - 16:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Autor: Artur Banushi

    Pa hapur ende librin, rrëmbimthi sytë nguliten tek kopertina dhe titulli i romanit DEAD END. Shënohen bashkë në mëndje shumë gjera; gjuha e huaj ku përmes procesorit të çon në një hartë tabele dhe kupton se rruga mbaron aty. Krijohet një perceptim se topografi në teren dhe arkitekti në zyrë kanë tradhëtuar misionin e profesionit të tyre. Rruga do t’ju dalë pa vazhdim….

    Graçi e nis dekodimin e kodeve gjuhësore tek ne lexuesit përmes abstraksionit retorik qysh me titullin e romanit. Kuptojmë qartë se si ai ndërton realitetin letrar, duke pasur në dorë lëndën gjuhësore dhe mjetet e mundësitë e saj shprehëse, të cilat ai i zotëron shkëlqyeshëm. Forma gjuhësore ndjek relievin e mendimit artistik të shkrimtarit. Funksioni i veçantë i gjuhës në letërsinë artistike është ai estetik, gjuha jo vetëm që mishëron një përmbajtje, jo vetëm kumton një informacion letrar, por edhe synon të ketë ndikim estetik, të ngjallë ndjenjën e së bukurës. Aftësia fytyrëzuese e ligjërimit letrar është vetia që ka për të na ngjallur shëmbëllime të vendeve, të njerëzve, të veprimeve të personazheve në përfytyrimin tonë, sikur i kemi pamje para syve. Dhe këtë gjë Virioni di ta realizojë shumë bukur, aq më shumë për ne që kemi qënë studentë të një godine dhe po ashtu bujtës të një mense.

    Kurdoherë autori përpiqet që nëpërmjet organizimit stilistik të japë një përshtypje, një atmosferë, një ndjenjë, të sendërtojë botën letrare dhe të arrijë një efek. Edhe pse pengues në gjithë hallkat jetësore, aq më keq në ato rinore dhe edukuese, ky efekt tek unë erdhi origjinal, i patjetërsuar dhe me gjithë ngjyrimet përkatëse. Mjafton këtu të sjellim para syve gjithë lëvizjet, silloisjet e mendimeve dhe gjithçka përcjellin përmes ligjerimit personazhet kryesor: Vetoni, Arida dhe Elvira, Genti, Vlori dhe Rabia, Liri, Foti dhe Alberti, Prof. Nuhu e Prof.Safeti, redaktor Feriti i të dy epokave, e deri tek kujdestar Neritani dhe kuzhinier Levzati. Personazhet e mbajnë “zgupthi” gjatë gjithë faqeve kureshtjen e ngjarjeve duke stigmatizuar gjithçka nga kodet individuale dhe shoqërore të kohës sonë “revolucionare”. Madje, edhe sipas lojës së shahut që përmend Vetoni gjatë ngjarjeve, gurët janë të destinuar të bëjnë lojën që ju ngarkohet.

    Graçi ngjall tek lexuesi përshtypje të forta, ngjall ndjenjë, sjell përjetim përmes atmosferës gjuhësore, edhe pse ai është plot brengë, vuajtje dhe memeceri lirie. Rol të veçantë për këtë ka karakteristika mbizotëruese e tekstit, dmth,toni i përgjithshëm. Ai ndriçon gjithë ngjyrat e tablosë, duke ndikuar mbi domethënien e gjithë rrjedhës ligjërimore. Ai është çelësi për ta kuptuar këtë domethënie që shprehet, duke përfshirë edhe qëndrimin e tij emocional. Autori flet me ironi dhe me dhimbje, me përbuzje dhe me sarkazmë të thellë e të gjërë, i distancuar dhe njëkohësisht pjesëmarrës padashje në këtë “çështje të madhe të parimeve të larta e të drejta” drejt nje fundi pa krye.

    Përjetimi është derdhur në një tragjizëm të mëshiruar me përftesa poetike të mirëfillta që nga aliteracioni,ritmi e deri te përsëritjet e paralelizmat sintaksorë e kuptimorë. Ky parim i organizimit dytësor jep një mundësi artistike dhe gjuhësore që ndërthurja të nisë me stilema e përftesa të ndryshme,duke u shtrirë në gjithë sipërfaqen e tekstit e duke modeluar dhe harmonizuar një ansambël unik gjuhësor në formë dhe strukturë. Toni i përgjithshëm është dirigjuesi i gjithë këtij ansambli gjuhësor. Paralelizmi është një çelës kyç i Graçit për realizimin e rrëfimit dhe ngërthimin e ngjarjeve. Ai realizohet duke patur parasysh kompozicionin e veprës. Krijimi i botës emocionale në të lidhet me disa forca të brendshme, të cilat diktojnë organizimin e jashtëm të saj. Pra, krahas strukturës së jashtme; të ndarjes në pjesë e kapituj, ekziston edhe struktura e brendshme, që ka të bëjë me kuptimin e sistemit të renditjes së episodeve, të pjesëve, të personazheve dhe të një varg elementesh të tjerë.

    Një mjet stilistik i fortë i Virionit, janë fjalët kyçe. Ato realizojnë qellimin duke përcjellë bukur dhe qartë mesazhin tek lexuesi. Toni tragjik i këtij romani realizohet shkëlqyer nëpërmjet gjithë stilit të tij. Përftesat, tufat stilemore, figurshmëria dhe gjithë interpretimi semantik zgjon tek lexuesi emocione te jetës se përjetuar vetë, fiks mu ashtu, pa tradhëti shprehimore. Gjithë tragjizmi i kësaj jete-drame mishërohet me antiteza dhe përsëritje të kundërta të këtyre mjeteve. Përgjatë gjithë romanit kemi përsëritje dhe nuanca kuptimore të njëjta si “klasa gjakpirëse”, “shkrimtarë dekadentë-reaksionarë”, “libër i ndaluar”, “armiqtë e jashtëm”, “veprimtari armiqësore” dhe shumë e plot parrulla marramëndëse, objekte aludimi, prognoze, metafore, paralelizmi, ironie,satire dhe personifikimi që lidhen me to. Ne përftojmë nga mjeshtëria e tjerrë hollë nga Graçi gjithë përbërësit gjuhësorë të këtij mozaiku stilistikor. I ndihmuar nga ironia dhe sarkazma që shtrihet në çdo rresht dhe mes tyre, autori ngacmon imagjinatën psikologjike, që është aleati më imirë i të kuptuarit dhe keqardhjes.

    Unë për vete, gjatë leximit, edhe qesha edhe qava. Po më shumë qesha saqë edhe njerëzit rreth meje çonin kokën nga shezlonget; “Po ky, ç’pati !?”

    Përsa i përket karakterizimit gjuhësor të personazheve, nuk mund të mos vëmë në dukje mjeshtërinë e Graçit në krijimin e tyre. Ai i krijon ata aq bukur saqë edhe nëpërmjet monologjeve, krekosjes së tyre ideologjike, rrallë herë memecërisë apo edhe rrebelimit, përshkrimeve të gjalla e të detajuara, janë në funksion të tonit dhe tematikës së veprës së tij. Përgjithësisht, personazhet janë iso e sistemit dhe të vetëkënaqur për arritjet, edhe pse drejt rrugës pa krye. Ata janë pjesë e memecërisë me zë që ka mbërthyer gjithë këtë errësirë të dendur te atij shtegu qorr. Mjafton të permendim një karakterizim gjuhësor dhe jogjuhësor të Gentit, dhe lexuesi kupton se ç’prodhim kishte ai “bostan”.

    “Kush e kishte radhën e pastrimit sot” – pyeti Genti. Ishte i shkurtër, flokë kaçurrel, me hundë të gjatë, të harkuar si sqep shqiponje. Ishte për anglisht. Kur erdhi të banonte në dhomën tonë, kishte sjellje të prera, donte t’i ngjante babait të cilin e kishte nënoficer në marinën tregëtare. U vetëzgjodh përgjegjes dhome duke na shpëtuar nga bezdia e një përgjegjësie të tillë, që nënkuptonte të merrje me firmën tënde në inventar paisjet e dhomës: 4 karrige të vjetra që mezi qëndronin në këmbë, tavolina edhe më e moçme se karriget ,……

    Ndërsa Arida…., Arida ishte tjetër kallëp. Ajo ishte çapkëne dhe avantgarde në shoqëri. Ishte modeli rrebel i asaj shoqerie te zhytur në skamje dhe skllavëri moderne te shek XX. Kjo ishte dhe arsyeja pse Vetoni u përshtat me të si zogjtë e një pënde që ditën e parë të mësimit në fakultet. Vetëm se këto modele ishin shumë te pakta. Biles me gishtërinj në një sallë leksioni, si 301. “Mbrëme u lava me shampo Made in Italy. Mall cilësor. Sikur ta dija që do të bënim bashkë karambol te dera e sekretarisë”.

    “Po, e ndjeva, erë perrallore, nuk kisha ndjerë aromë aq të këndshme”, -thashë. Dhe shtova për të keqen e saj:” Mendova se ishte aroma origjinale jotja”.

    “Trap, idiot”,-më tha. Qeshi sa u drodhën gjethet e pemëve.

    Lajtmotivi është përsëritja e vazhdueshme e një teme, objekti apo ngjarjeje gjatë gjithë veprës. Përsëritja e tij krijon një unitet për gjithë veprën.

    Gjatë leximit të këtij romani të tërheq vëmendjen përsëritja e stilemave dhe togjeve kuptimore që të nxjerrin në DEAD END. Autori e hap kapakun e krijimit të tij me një domethënie : ky është një rrugëtim qorr në ndërgjegjien dhe filozofinë e jetës së njerëzve në vëndin tim. Biles, qorr edhe në historinë dashurore Veton-Arida. Dhe kjo gjë, jo për faj të të rinjëve plot ndjenja, ku pafajësia rinore, ankthi dashuror çojnë në kaos biblik, dhe ata mundohen të arratisen nga ferri i së ardhmes që po përjetojnë. Ai lloj rrugëtimi është shumë gjëra; i panjohur, i vetëdijshem, ai është errësire totale, ajo është e keqja që gëlltit Vetonin, ajo është boshllëku shpirtëror që ai shikon në vetëekzistencë, por mbi të gjitha ajo është misteria vetë, misteria e jetës shpirtërore të njeriut. Ja si shprehet autori: “Tani ngrohemi në diell, ngrohemi në diell dhe bëjmë llogje, lozim spathi,vpimë kafe, shpifim, gënjejmë e gënjehemi, mburremi sa na ngjiret zëri, sa na mbajnë mushkëritë. Kjo është e gjitha çfarë po ndodh në vendin tonë”….

    Unaza kompozicionale e romanit mbyllet kur Vetoni mendimtar dhe guximtar njëkohësisht, për kohen, nuk gjen qetësi edhe kur akujt u shkrinë, saqë revoltohet në kapakun mbyllës të atij shtegu pa vazhdim kur thotë : “Kam qënë student në kohë ndryshimesh të mëdha historike, heroike, të lavdishme. Çdo gjë që kisha ma vodhën: të djeshmen, të tashmen, të nesërmen. Dhe më mbetet të ha veten time, të zhdukem prej këtu, të tretem mes pluhurit e zogjëve në këtë gjithësi të pafund, të bëhem tym e hì si kjo cigare e hollë, helmuese…”

    Dhe si për ironi te dekadave shkuar në kohët e sotme në tjetër shekull, të njëjtën DEAD END paskanë projektuar edhe ne vazhdim topografët dhe arkitektët tanë.

    Njerëzit dorëzohen dhe zhduken larg, duke u bërë tym e hi….

    Sa keq !……..😪😪

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark