×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Vetëvendosje në shkurt e kishte harruar pandeminë, tek në fushatën e zgjedhjeve lokale kujtohet për shëndetin e qytetarëve

    Insajderi
    07 September 2021 - 14:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka vlerësuar se, bazuar në numrin e madh të të vdekurve dhe të të infektuarve nga Covid-19, zgjedhjet lokale të vjeshtës do të duhej të shtyheshin.

    “Kjo nuk varet prej meje [shtyrja e zgjedhjeve] por nëse do të thoja mendimin tim personal unë mendoj që zgjedhjet do të duhej të shtyheshin”, ka thënë mbrëmë Konjufca, në emisioni DPT te Fidani, transmeton Gazeta Insajderi.

    Vendimin për shtyrje të zgjedhjeve, sipas tij, mund ta marrë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas rekomandimit që ajo mund ta merr nga Instituti i Shëndetit Publik.

    Sipas mendimit të tij personal, kjo duhet të bëhet, për shkak se nga fushata derë-më-derë si dhe çështja e mënyrës së kërkimit të votes nga kandidatët për asambleistë, mund të shkaktojë pikun e pandemisë.

    “Unë po të garantoj që nëse mbahen zgjedhjet edhe nëse ka me pasë fushatë, sado e shkurtë ajo, qe në formën e vet të shkurtuar, unë mendoj që partitë politike kanë me zgjedhë metodën e futjes nëpër familje. Kemi me mijëra asambleistë që e lypin votën individuale, unë ma merr mendja që në mes të nëntorit mund ta arrijmë numrin e pikut. Prapë kemi me ardhë në pik në numrin më të madh të rasteve”, ka thënë i pari i Kuvendit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kjo deklaratë e Konjufcës, që i përket familjes më të madhe politike në vend, Lëvizjes Vetëvendosje, erdhi vetëm shtatë muaj pasi fituan zgjedhjet e parakohshme parlamentare, me mbi 50% të votave.

    Atë kohë, jo vetëm Konjufca që tash mendon se duhet të shtyhen zgjedhjet, dhe refuzon të ketë fushatë, por edhe gjithë paria e Vetëvendosje – të prirë nga lideri Albin Kurti – bënin fushatë nga qyteti në qytet e në secilin fshat veç e veç.

    Fushata e tyre me plot njerëz përreth, vazhdonte pa asnjë reagim për të vdekurit dhe të prekurit me Covid-19, ndonëse nga fillimi i shkurtit deri në ditën e zgjedhje, thuajse çdo ditë ishin nga 300 të infektuar me Sars-COV-2.

    Tash, kur duket se partia e parë në Kuvend – nuk i ka në favor të tyre numrat për zgjedhjet lokale – jep ide që të shtyhen ato, pikërisht për shkak të pandemisë, fakt ky që e kishte injoruar në shkurt, kur në sondazhe dilte e para, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kundër shtyrjes së zgjedhjeve ka dalë menjëherë Lumir Abdixhiku, kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës.

    “Numrat zgjedhor nga terreni, që po i shohim e ndjejmë të gjithë, duket se kanë tmerruar pushtetin e paaftë për të qeverisur mirë. Prandaj dhe flirtojnë me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, si masë e fundit dëshpëruese për parandalimin e rrënimit politik që po i pret. Shtyrja e zgjedhjeve është masë e paprecedentë, jodemokratike e ngufatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar – mjetit të vetëm të lirë që ky pushtet s’e kontrollon dot”, ka thënë Abdixhiku, shkruan Gazeta Insajderi.

    Abdixhiku bile ka thënë se KQZ-ja është gati për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

    “Gati për organizimin shembullor të ushtrimit të vullnetit qytetar. Zgjedhjet në pandemi, më 14 shkurt e pa asnjë vaksinë, tashmë një herë janë mbajtur; prandaj dhe mund të mbahen sërish. Me masa, me distancë, me mirë organizim. Fushata duhet të shkurtohet e tubimet duhen të zvogëlohen. Por mbi të gjitha Qeveria duhet të punojë në detyrën e vetme që ka, luftimin e pandemisë. Tendenca destabilizuese në vend është luks tani”.

    Pikërisht për procesin e zgjedhjeve kanë biseduar në takimin e fundit presidentja Vjosa Osmani me Kreshnik Radoniqin, kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

    Osmani ka potencuar rëndësinë e sigurimit dhe ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor,  lehtësimit të pjesëmarrjes sa më të madhe të qytetarëve në ditën e zgjedhjeve, por mbi të gjitha rëndësinë e ruajtjes së shëndetit të qytetarëve.

    Ndërsa Kryetari i KQZ-së, e ka njoftuar Presidenten Osmani për përgatitjet, të cilat i ka bërë KQZ-ja për organizimin e zgjedhjeve lokale, dukë thënë se do të angazhohen maksimalisht për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor përbrenda kompetencave të KQZ-së.

    Zgjedhjet lokale janë paraparë të mbahen më 17 tetor./Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark