×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Ekskluzive: Vjosa Osmani mbrohet nga personi që e frikësonte Thaçin me bombë

    Insajderi
    10 March 2021 - 19:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Drenusha Canolli

    Në pranverën e vitit 2013, Hashim Thaçi, i cili mbante postin e kryeministrit, kishte organizuar një takim me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në njërin nga restorantet e qytetit të Gjilanit.

    Por, në këtë takim jo gjithçka kishte shkuar sipas planit të ish-kryeministrit Thaçi.

    Naser Arifi, njeri i afërt i ushtrueses së postit të presidentit, Vjosa Osmani-Sadriu, kishte tentuar ta ndalte takimin e Thaçit me veteranët e Gjilanit, duke bërë qëllimisht një shkelje ligjore, shkruan Gazeta Insajderi.

    Arifi, i cili dyshohet se aktualisht ushtron funksionin e truprojës së presidentes në detyrë, kishte bërë një lajmërim të rremë në Policinë e Kosovës, se në restorantin ku po mbahej takimi i ish-kryeministrit me veteranët, ishte vendosur një mjet shpërthyes.

    Njeriu i afërt i Osmanit, e kishte ditur që në atë restaurant nuk ishte vendosur asnjë mjet shpërthyes, pasi kjo ishte vërtetuar nga Gjykata.

    Në aktakuzën ndaj Arifit të cilën e posedon Gazeta Insajderi, thuhet se ai kishte blerë një kartelë telefoni me të cilën e kishte lajmëruar policinë.

    Pasi kishte kryer punë, Arifi e kishte nxjerrë sim-kartelën nga telefoni dhe e kishte hedhur në bërllok. Këtë e kishte bërë për ta fshehur lajmërimin e rremë.

    “…në shenjë pakënaqësie për trajtimin e veteranëve të UÇK-së dhe familjarëve të dëshmorëve, pa menduar se do të shkaktojë ndonjë pasojë të ndaluar, e ka blerë një sim – kartelë të telefonisë mobile Ipko dhe në ora 19:01 minutë, ka thirr në numrin e policisë 192, me ç’rast edhe i ka njoftuar se te restoranti “Luxor” ka mjet shpërthyes e që më pastaj e ka ndërprerë linjën dhe ka nxjerrë sim – kartelën dhe e ka hedhë në mbeturina”, thuhet në aktakuzën ndaj mbrojtjes së afër të Osmanit.

    Tutje në aktakuzë thuhej se Arifi kishte deklaruar se kishte shkuar në afërsi të restorantit për të shikuar se a kishte pasur ndikim thirrja e tij.

    “I njëjtë më pastaj ka deklaruar se me automjetin e markës Mercedes ka shkuar në afërsi të restorantit Luxor për të vërejtura se a ka pasur ndikim kjo thirrje e që ka kuptuar se tubimi kishte vazhduar”, thuhet në aktakuzë.

    Me këtë, Arifi kishte kryer veprën penale, “lajmërim apo kallëzim i rremë”, me ç’rast Gjykata Themelore në Gjilan, pas një procesi gjyqësor, i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 300 euro.

    Insajderi ka kontaktuar Arifin për të pyetur se çka e ka shtyrë që ta bëjë një vepër të tillë dhe si ka arritur të punësohet në presidencë pasi është dënuar për kryerjen e një vepre penale.

    “Për rastin që më keni pyetur, mund të them që është shumë larg ky rast dmth ka vite dhe me thënë të drejtën nuk më kujtohen gjërat se si kanë qenë, e di që ka qenë një keqkuptim por të cilin e kanë zgjidhur organet kompetente në atë kohë”, ka thënë Arifi për Insajderin.

    Ndërsa, nga zyra e presidentes në detyrë, nuk janë përgjigjur në pyetjet e Insajderit se si është punësuar Arifi dhe a e dinin se ai kishte kryer vepër penale, për të cilën ishte dënuar nga Gjykata.

    Naser Arifi ka mbajtur pozitën e kryetarit të Nëndegës së LDK-së në Doberçan, kurse në vitin 2019 ai ishte zgjedhur delegat për kuvendin qendror të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

    Derisa tash ai i është bashkuar iniciativës së Vjosa Osmanit “Guxo”, me ç’rast Arifi shihet se është në përcjellje të ushtrueses së postit të presidentit, Vjosa Osmanit. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark