×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Vrasja në Bon Vivant, lirohen nga paraburgimi dy të dyshuarit

    Insajderi
    29 August 2023 - 21:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, të dyshuar për vrasjen e 4 gushtit në “Bon Vivant”, ku si pasojë e të shtënave me armë vdiq 39-vjeçari K.R., janë liruar nga masa e paraburgimit.

    Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    “Me kërkesë të Prokurorisë, janë liruar nga masa e paraburgimit dy të dyshuarit, pasi kanë pushuar kushtet për caktimin e kësaj mase”, konfirmoi Gashi.

    Kurse, mbrojtësja e Zakutit, avokatja Teuta Beka-Bunjaku, e kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi” tha se pasi Apeli ua kishte refuzuar ankesën, kishte dorëzuar parashtresë në Prokurori për ta marrë në pyetje të mbrojturin e saj, me arsyetimin se provat tregojnë se nuk është i përfshirë në rast.

    “Po, është i vërtetë lajmi se e kanë liru klientin, ne kemi ba ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë për masën e paraburgimit, Apeli nuk e ka aprovu, mirëpo pas marrje në pyetje në Prokurori, unë e kam dorëzu një parashtresë në Prokurori për shkak se s’ka prova sepse janë video-incizimet publike të rastit, vendit të ngjarjes, faktikisht që nuk është i përfshirë në asnjë rast klienti im, as në pjesëmarrje në rrahje, as në ndonjë veprim inkriminues”, tha Beka-Bunjaku.

    Avokatja Beka-Bunjaku tha se pasi është marrë në pyetje nga Prokuroria, i mbrojturi i saj Zakuti është liruar sot.

    “Dhe e kam ba një kërkesë sipas Kodit të ri të Procedurës Penale, që kanë të drejtë me i rishiku shkresat e lëndës, mandej edhe për shkak që edhe pak e kam prek në pika të shkurta se s’ka të bëjë asgjë me rastin. Mandej, Prokuroria më ka njoftu për marrje në pyetje, marrja në pyetje ka qenë para… sot është e martë, të premten më duket është bërë marrja në pyetje në Prokurori, mandej sot veç e kanë liru, ama ende s’kam marrë ndonjë vendim prej gjykatës, kjo ndodhi pasdite dikur”, tha për “Betimi për Drejtësi” mbrojtësja e Zakutit.

    Çfarë ndodhi në Bon Vivant?

    Para se të viheshin në përdorim armët e zjarrit, me 4 gusht në “Bon Vivant” kishte pasur rrahje mes të dyshuarve që rezultoi me vrasjen e Kastriot Ramadanit dhe lëndimin e disa personave tjerë, përfshirë klientë të lokalit, ndër ta 14 vajza.

    I dyshuari Dukagjin Nikollaj, ndodhet në arrati. Njëherësh i kërkuar edhe nga FBI.

    Sipas prokurorisë i ndjeri Kastriot Ramadani po qëndronte ulur në lokal me Dukagjin Nikollaj dhe një person akoma të paidentifikuar nga prokuroria teksa në ato momente në “Bon Vivant” kishin hyrë Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti.

    “Ekziston dyshimi i bazuar se me datën 4 gusht 2023 rreth orës 23:17, në lokalin “Bon Vivant” në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë, pas një përleshje fizike në mes të pandehurve Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti në njërën anë me të pandehurit Dukagjin Nikollaj, Kastriot Ramadani dhe tani të ndjerin Kastriot Ramadani dhe personit të paidentifikuar deri më tani në anën tjetër, me dashje që ta privojnë njëri-tjetrin nga jeta, në atë mënyrë që derisa në lokal ishin të ulur të pandehurit Dukagjin Nikollaj dhe tani i ndjeri Kastriot Ramadani si dhe një person tjetër deri më tani i paidentifikuar në lokalin e lartë cekur kanë ardhur Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti dhe kanë qëndruar në këmbë në afërsi të tavolinës ku ishin ulur të pandehurit Dukagjin Nikollaj i cili gjendet në arrati dhe tani i ndjeri Kastriot Ramadani”, përshkruan prokuroria, transmeton Gazeta Express.

    Prokuroria pretendon se Andi Pajaziti i njohur si “italiani” dhe Dukagjin Nikollaj kishin nisur të përleshen fizikisht. Më pas, i ndjeri Ramadani kishte goditur Pajazitin me një shishe qelqi dhe ky i fundit kishte shkrepur në drejtim të tashmë viktimës.

    “Në atë moment me të vërejtur që në lokal kanë hyrë të pandehurit Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti,, në atë moment i ndjeri Kastriot Ramadani e ka nxjerrë armën e zjarrit nga brezi kurse i pandehuri Dukagjin Nikollaj e ka nxjerrë armën e zjarrit nga një çantë e dorës, ashtu që për një moment fillojnë të përleshen fizikisht fillimisht Andi Pajaziti me të pandehurin Dukagjin Nikollaj, më pas Kastriot Ramadani e godet me një shishe qelqi në kokë disa herë Andi Pajazitin, në atë moment Andi Pajaziti nxjerr armën e zjarrit nga brezi dhe shkrepë në drejtim të Kastriot Ramadanit, kurse i pandehuri Dukagjin shkrep me armë zjarri në drejtim të Andi Pajazitit si dhe i ndjeri Kastriot Ramadani shkrep në drejtim të Andi Pajazitit e me ç’rast kanë rrezikuar edhe jetën e personave tjerë”.

    Prokuroria thekson se në “Bon Vivant” është shkaktuar rrezik i madh për jetën e njerëzve.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark