14:29 - 14 Mars 2023

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka vendosur thasë me mbeturina para Komunës së Prishtinës.

Kjo u bë në shenjë pakënaqësie për kaosin e shkaktuar në kryeqytet nga mosmbledhja e mbeturinave nga KRM “Pastrimi”, të cilët janë në grevë.

Aktivistët e VV-së kanë vendosur posterë me premtimet e kryetarit Përparim Rama në kohë fushatë, i cili deklaronte që do të angazhohet për një Prishtinë të pastër.

“Përmes menaxhimit efikas të mbeturinave, ne do të ndryshojmë tërësisht pamjen e kryeqytetit”, thuhej në premtimin e Ramës, e të cilën aktivistët e vendosën në objekt.

Ndërkohë, ka reaguar edhe vetë kreu i kryeqytetit, Përparim Rama.

Rama ka thënë se kjo situatë është e papranueshme edhe pse e kuptojnë zhgënjimin e punëtorëve dhe e njohin të drejtën e tyre për të protestuar.

Gjithashtu shton se kanë vendosur të gjitha burimet në dispozicion për të menaxhuar situatën dhe për të pastruar sa më shpejt mbeturinat.

“Ne e kuptojmë zhgënjimin e punëtorëve dhe njohim të drejtën e tyre për të protestuar, por vendimi i tyre për të ndërprerë punën ka pasur një ndikim të rëndë në pastërtinë e qytetit tonë. Rrugët janë të mbushura me mbeturina dhe kjo situatë është e papranueshme. Ne kemi qenë aktivisht të angazhuar me Ndërmarrjen për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje dhe jemi të përkushtuar për të arritur një marrëveshje të drejtë nga e cila do të përfitojnë edhe punëtorët dhe kryeqyteti”, thuhet në njoftimin e Ramës.

Ai thekson se janë të angazhuar me Ndërmarrjen për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

“Ndërkohë, ne jemi duke vendosur të gjitha burimet në dispozicion për të menaxhuar situatën dhe për të pastruar sa më shpejt mbeturinat. Kërkojmë ndjesë për shqetësimin e shkaktuar dhe ju sigurojmë se po punojmë me përkushtim të plotë për të zgjidhur sa më shpejtë situatën”, tha tutje Rama.

Tags: , ,