×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    William Fear: Rusia po bëhet djerrinë kulturore

    Insajderi
    14 May 2023 - 08:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Për aq sa Rusia është vendi i Tolstoit dhe Rahmaninovit, është gjithashtu vendi i Stalinit dhe i burgut të Lubiankës – një komb i ndërtuar mbi bukurinë, po aq sa edhe mbi gjakun e popullit të vet. Rusët e vlerësojnë historinë e tyre kulturore, sikurse që njerëzit e vlerësojnë tonën në Britani. Historikisht, të jesh krijues në Rusi kjo megjithatë do të thotë të jesh në rrezik të konsiderueshëm, sepse akti i krijimit është gjithashtu akt lirie.

    Në vitet e Bashkimit Sovjetik, ta shprehje mendimin kjo mund të nënkuptonte dërgimin tënd në një dhomë pa dritare dhe më pas në Siberi. Sot rusët mund të përballen – dhe kjo po ndodhë – me të njëjtin lloj të rrezikut nëse flasin kundër luftës së Vladimir Putinit në Ukrainë. Sipas fjalëve të Piotr Stolipinit: “Në Rusi çdo 10 vjet ndryshon gjithçka, dhe asgjë nuk ndryshon për 200 vjet”.

    Në Perëndim mund të mendojmë për shkrimtarët rusë që gjithmonë përballen me të njëjtin lloj censurimi – me të cilin përballeshin nën Bashkimin Sovjetik. I paramendojmë poetët e pushkatuar në bodrume ose të vrarë në borën e Siberisë – për disa vargje të papranueshme. Por, në një aspekt më të gjerë, siç kam vërejtur gjatë jetës sime, nuk ka qenë kështu – ose të paktën deri në pushtimin e Ukrainës.

    Fillimisht nën Putinin, autorët rusë morën një shkallë më të madhe lirie, madje edhe për ta kundërshtuar shtetin. Kur erdhi në pushtet në vitin 1999, mësoi nga gabimet e Bashkimit Sovjetik dhe pati marrëdhënie tjetër me kulturën letrare të Rusisë. Ndryshe nga përpjekja për të ushtruar kontroll ndaj shkrimtarëve të vendit, Kremlini i Putinit e kuptoi vlerën e tyre në aspektin politik. Kjo do të thotë se ata kishin njëfarë dobie në Rusinë e re që Putini donte ta ndërtonte për botën e jashtme.

    Ishte e dyfishtë arsyeja për këtë zbutje – nën Putinin. Pika e parë është se letërsia nuk ishte më mediumi kryesor i konsumit në Rusi. Ajo që u shkrua dhe u botua brenda Bashkimit Sovjetik kishte fuqi të mirëfilltë politike, njëjtë si muzika dhe filmi rus. Stalini ishte lexues i zjarrtë dhe shumë i interesuar për letërsinë, dhe sovjetikët ishin thellësisht të përfshirë në censurën e çdo lloji të kulturës ruse. Qëllimi i kësaj ishte që popullata të besonte se shteti ishte realitet dhe se realiteti ishte shtet.

    Putini dhe banditët që drejtonin Kremlinin nuk ishin as së afërmi të lidhur me kulturën bashkëkohore letrare ruse, siç ishin sovjetikët. Kjo për arsyen e thjeshtë se Kremlinit të Putinit kjo nuk i interesonte, sepse nuk kishte nevojë për këtë. Shumica e rusëve sot janë të ndikuar kryesisht nga televizioni dhe nga interneti. Putini nuk u interesua për romanet e shkruara në Rusi, sepse letërsia nuk ishte më vendi ku njerëzit i merrnin lajmet dhe idetë e veta.

    Arsyeja e dytë për qëndrimin historikisht tolerant të Putinit ndaj komunitetit të shkrimtarëve të Rusisë ishte se, kur ai erdhi në pushtet, përpiqej të krijonte një lloj tjetër diktature. Në vend që ta kontrollonte çdo aspekt të jetës së njerëzve, siç bënin sovjetikët, Putini donte të mashtronte botën – dhe në të vërtetë vetë popullin rus – duke menduar se vendi ishte një demokraci evropiane.

    Kur shtroheshin pyetjet për legjitimitetin e demokracisë ruse, Kremlini mund të fliste për zgjedhjet e rregullta, të lira, për shtyp të lirë dhe një kulturë të lulëzuar letrare. Në fakt, ishte në interesin e Putinit që t’i lejonte shkrimtarët – dhe madje sidomos disidentët politikë – të shkruanin lirshëm.

    Kohët e fundit fola me Mihail Shishkinin, romancier dhe disident i njohur rus që tani jeton në Zvicër. Gjatë fundit të viteve 1990 dhe fillimit të viteve 2000, Federata Ruse punoi për të mbështetur dhe eksportuar shkrimtarët e vet, ka thënë Shishkini. Ky ishte projekt zyrtar i Agjencisë Federale të Shtypit dhe Masmedias (Роспечать ose Rospeçat), dhe organizata e quajtur Instituti Perevoda dha mbështetje financiare për botuesit në mënyrë që librat rusë të mund të përktheheshin dhe të lexoheshin jashtë vendit. Qëllimi ishte krijimi i një fasade të dinjitetit; një fytyrë njerëzore për atë që atëherë ishte regjim kripto-autoritar. “Duhet të kuptosh se diktatura e re hibride pretendonte të ishte vend i lirë dhe punoi me shkrimtarët në një tjetër mënyrë [për dallim nga sovjetikët]”, ka thënë Shishkini.

    Por, në vitin 2013 Shishkini u lodh me këtë. Refuzoi ta përfaqësonte Rusinë në një panair ndërkombëtar të libri në Nju-Jork dhe ia shkroi një letër të hapur Rospeçatit duke e kritikuar klasën politike të vendit të vet. Ai deklaroi se qeveria ruse “në shtet e ka krijuar një situatë që është absolutisht e papranueshme dhe poshtëruese për popullin dhe për kulturën e saj të madhe”, se ai kishte “turp” që ishte shtetas i Rusisë.

    Sigurisht, gjithçka ndryshoi shkurtin e kaluar. Kur tanket kaluan përtej kufirit ukrainas, përfundoi epoka e tolerancës pragmatike nën Putinin. Rospeçati u shpërbë në vitin 2021 dhe roli i tij u zhyt në një agjenci tjetër: Shërbimi Federal për Mbikëqyrjen e Komunikimeve, Teknologjisë së Informacionit dhe Mediave Masive (Roskomnadzor). Është një organizatë vërtet e keqe që është përgjegjëse për monitorimin dhe kontrollin e trafikut të internetit në Rusi. Një rrjedhje e të dhënave nga Roskomnadzori është marrë nga grupi i hakerëve bjellorusë i njohur si Cyber Partizans që zbuloi se Roskomnadzori po punon për të censuruar përmbajtjet e padëshiruara në internet – si në Rusi ashtu edhe në Bjellorusi – si dhe duke e përpiluar një listë të individëve që mund të përshkruhen si “agjentë të huaj”.

    Me sa duket, rreziku që përfshin fjalimet kundër Putinit është më i madh tani sesa ka qenë në të kaluarën e afërt, por po ashtu është nevoja që njerëzit këtë ta bëjnë. Shkrimtarët, më shumë se të gjithë njerëzit e shoqërisë, e kanë për detyrë ta thonë të vërtetën, ndërsa të zgjedhësh heshtjen është të kryesh vetëvrasje krijuese. Kjo është arsyeja se pse kaq shumë nga figurat më të mëdha kulturore të Rusisë jetojnë në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara: mërgimi ofron një nivel sigurie dhe lirie që nuk është i mundur në Rusi.

    Kjo është një situatë thellësisht paradoksale. Një pjesë e arsyetimit të Putinit për pushtimin e Ukrainës ishte që ta shpëtonte kulturën dhe gjuhën ruse nga persekutim i supozuar neo-nazist në Ukrainë, por gjithçka që ka bërë lufta është përshpejtimi i fluturimit të më të ndriturve dhe më të mirëve nga toka ruse. Jevgeni Kisini luan në piano në Pragë, Vladimir Ashkenazi në Zvicër. Boris Akunini tani shkruan nga Londra, Ludmila Ulitskaja nga Berlini. Sa më shumë që largohen artistët, aq më homogjene do të bëhet Rusia në aspektin kulturor – duke i lënë pas vetëm tipat pro Putinit. Disa artistë dhe shkrimtarë të shquar ende punojnë nën Putinin në Këshillin Presidencial për Kulturë dhe Art. Duke qenë në këtë këshill, të gjitha këto figura po e shprehin hapur mbështetjen për regjimin e Putinit dhe, si rrjedhojë, për luftën në Ukrainë. Analizuar në një aspekt ekstrem, Rusia rrezikon të bëhet një Potemkin kulturor: suva e papërlyer nga jashtë, muraturë e shkatërruar nga brenda.

    Shumëkush në Perëndim ka kërkuar bojkot të kulturës ruse, si reagim ndaj luftës. Por, kjo taktikë i përshtatet retorikës së Putinit: se Perëndimi e urren Rusinë dhe se gjithmonë e ka urryer. Në anën tjetër, është e rëndësishme se njerëzit që mendojnë kudo po i mbështetin disidentët rusë: duke i blerë librat e tyre, duke shkuar në koncertet e tyre dhe duke i ndjekur ekspozitat e tyre. Por, kur e them këtë, njerëzit gjithashtu duhet të kujtohen që ta bëjnë dallimin midis disidentëve rusë dhe mbretërve të Kremlinit. Në një farë mënyra, lufta e ka ndarë Rusinë në dysh: mes atyre me dhe pa bindje morale. Lufta nuk po zhvillohet vetëm në stepat e Ukrainës, por në psikikën e një prej kulturave më të mëdha në botë. /Telegrafi/

    Nga: William Fear, shkrimtar / The Guardian (titulli origjinal: As the Ukraine war grinds on, Russia is becoming a cultural wasteland)
    Përkthimi: Agron Shala
    /telegrafi.com/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark