Gjoba 13 mijë euro nuk po e lë të qetë ministren e MPJD, Donika Gërvalla Schwarz. Në ditën ndërkombëtare për qasje të informacionit, Zërin e Amerikës i kërkon përgjigje Gërvalles se përse institucioni që ajo drejton refuzoi kërkesën e Gazetës Insajderi për qasje në shpenzimet e parasë publike të diplomatit Prindon Sadriu, bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani. E më pas MPJD u gjobit nga Agjencia për Informim dhe Privatësi me 13 mijë euro gjobë për mos transparencë.
Përgjigja e Gërvallës filloi me “kjo është qeveria më transparente ndonjëherë në historinë e re të Republikës së Kosovës” duke e injoruar pjesë faktike që pikërisht dikasteri i saj është gjobitur për mos transparencë.
“Mendoj që kjo është qeveria më transparente ndonjëherë në historinë e re të Republikës së Kosovës, mendoj se kjo qeveri larg së qeni perfekte në punën e saj, ka ofruar qasje qoftë në dokumente publike por qoftë edhe në përgjithësi në informacione që kanë të bëjnë me qeverinë, ka ofruar qasje shumë më të madhe jo vetëm për gazetarë por edhe institucione apo për shoqërinë civile. Unë shumë gëzohem që shoqëria civile dhe mediat në Kosovë janë kaq të zëshme në kërkesat e tyre për më shumë transparencë sepse mendoj që kjo i shërben një demokracie më të fortë në Kosovë”, tha ajo.
Mes tjerash, Gërvalla shtoi se matjet ndërkombëtare tregojnë që Kosova sa i përket të drejtës së lirisë së mediave ka kërcyer disa vende lart nëpër organizata ndërkombëtare.
“Ne kemi nevojë për një transparencë edhe më të lartë edhe pse tregojnë edhe matjet ndërkombëtare që Kosova sa i përket të drejtës së lirisë së mediave ka kërcyer në organizata ndërkombëtare disa vende lart, prandaj larg së qeni perfekt, jemi duke u munduar që të jemi edhe më mirë. Megjithatë të mos harrojmë që kjo është qeveria më transparente që ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës”.
me 13 mijë euro është dënuar Ministria e Punëve të Jashtme, pasi Agjencia për Informim dhe Privatësi ka konstatuar se ministria e drejtuar nga Donika Gërvalla – nuk kanë ofruar qasje në dokumente publike për shpenzimet për udhëtime (karburante) të diplomatit Prindon Sadriu gjatë periudhës shkurt 2019- shkurt 2022. Kërkesë kjo e bërë nga Gazeta Insajderi.
Ndërsa gjoba ma e madhe e lëshuar nga Agjencia për Informim dhe Privatësi është kjo ndaj MPJD.
Krenare Sogojeva-Dërmaku, komisionere për Informim dhe Privatësi thotë se deri më tani kanë shqiptuar katër gjoba dhe se ajo më e madhja është ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), lidhur me shpenzimet e parasë publike.
“Gjoba më e madhe është ndaj Ministrisë së Jashtme, e cila ka pasur të bëjë me shpenzimin e parasë publike”, tha komisionerja në “Tempus” të KTV-së, duke pohuar se bëhet fjalë për rastin e burrit të presidentes Vjosa Osmani.
Pytja dhe përgjigja e plotë:
Zëri i Amerikës: Sot është Dita ndërkombëtare për qasje të informacionit, kemi patur edhe një material lidhur me këtë çështje dhe ministria që ju drejtoni ka marr një gjobë prej 13 mijë eurosh nga Agjencia për Informim dhe Privatësi për shkak të refuzimit për lejimin e qasjes të informacioni. Pse kjo mungesë e transparencës ndaj publikut?
Donika Gërvalla – Schwarz: Mendoj që kjo është qeveria më transparente ndonjëherë në historinë e re të Republikës së Kosovës, mendoj se kjo qeveri larg së qeni perfekte në punën e saj, ka ofruar qasje qoftë në dokumente publike por qoftë edhe në përgjithësi në informacione që kanë të bëjnë me qeverinë, ka ofruar qasje shumë më të madhe jo vetëm për gazetarë por edhe institucione apo për shoqërinë civile. Unë shumë gëzohem që shoqëria civile dhe mediat në Kosovë janë kaq të zëshme në kërkesat e tyre për më shumë transparencë sepse mendoj që kjo i shërben një demokracie më të fortë në Kosovë. Ne kemi nevojë për një transparencë edhe më të lartë edhe pse tregojnë edhe matjet ndërkombëtare që Kosova sa i përket të drejtës së lirisë së mediave ka kërcyer në organizata ndërkombëtare disa vende lart, prandaj larg së qeni perfekt, jemi duke u munduar që të jemi edhe më mirë. Megjithatë të mos harrojmë që kjo është qeveria më transparente që ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës.
Beteja 4 mujore e Gazetës Insajderi, për zbulimin e shpenzimeve të shtetit për Sadriun
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, as pas katë muajsh që kur Gazeta Insajderi ka kërkuar qasje në shpenzimet e Prindon Sadriut që paguhen me taksat e qytetarëve, nuk ka lejuar që ato të bëhen publike. Kjo ministri, ku punon e nga ku merr pagë Sadriu, i kaloi të gjitha afat ligjore për qasje në dokumentet publike.
Kujtojmë se Gazeta Insajderi me 15 shkurt të këtij viti, kishte bërë kërkesë zyrtare për qasje në dokumentet publike, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, duke kërkuar faturat e shpenzimeve të diplomatit Prindon Sadriu për karburante.
Pavarësisht që është e obliguar me ligj që të ofroj dokumentet, Ministria e Punëve të Jashtme që drejtohet nga Donika Gërvalla, nuk i ka ofruar këto fatura për Insajderin.
Në muajin maj Insajderi, lidhur me rastin dërgoi ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.
Ky agjencion në fillim të qershorit mori vendimin përmes së cilit MPJ obligohej që brenda shtatë ditësh t`i ofronte gazetës faturat e shpenzimeve të Sadriut. As pas kalimit të këtij afatit MPJ nuk i dha faturat.
Në fillim të muaji korrik Agjencia e gjobiti me 3 mijë euro për heshje ndaj kërkesës dhe obligimit që brenda shtatë ditësh t`i dërgonte faturat gazetës.
Pavarësisht kësaj shteti prap nuk u zbraps nga përpjekja për favorizimin e burrit të presidentes duke mos ofruar dokumenetet e shpenzimeve të tij, shkruan Gazeta Insajderi.
Sot Agjenci për Informim dhe Privatësi, e gjobiti për herë të dytë Ministrinë e Punëve të Jashtme me gjobën e dytë prej 10 mijë euro.
“Agjenci për Informim dhe Privatësi duke vënë re qasjen mospërfillëse të këtij insitucioni publik, është detyruar të vazhdojë me hapin e radhës të shqyrtimit të kësaj ankesë, duke nxjerrë vendimin, përmes së cilit i shqiptohet gjobë insitucionit publik në fjalë, shuma e së cilës arrinë në 13 mijë euro”, thuhet në vendimin e AIP.
Burri i Presidentes Osmani, ia kërkoi shtetit 396 euro kompenzim për shpenzime pas infektimit me Covid-19
Gjatë kohës sa Prindon Sadriu ishte zëvendësshef i misionit në Shkup, por në detyrë edhe si Zotëri i Parë, ai kishte përfituar nga buxheti i shtetit për rimburësimin e pjesshëm të shpenzimeve për trajtimin e virusit COVID-19.
Sadriut, ndonëse sipas faturave të dorëzuara shihet se shpenzimet i kishte bërë në Prishtinë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ia kishte aprovuar edhe kërkesën për mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve për trajtimin e infektimit me Covid-19.
Kërkesën për rimburësim të shpenzimeve në vlerë prej 396 euro e 80 cent, Prindon Sadriu e kishte bërë më 22 dhjetor 2020. Zotëriu i Parë në këtë kërkesë e kishte njoftuar asokohe Sekretarin e Përgjithshëm edhe për mungesën e një fature në vlerë prej 40 eurosh, të cilën i thoshte se nuk po mund ta gjente, porse ia kishte bashkuar kuponin fiskal.
“Me shpresën të jeni mirë, ju kërkoj me konsideratë aprovimin e rimbursimit të shpenzimeve të pjesshme shëndetësore të cilat ndërlidhen me trajtimin tim nga infeksioni Covid-19, në shumën totale prej 396.80 Euro. Bashkangjitur gjeni faturat origjinale, ndërsa nëse ju duhet, ju dërgoj edhe raportet e specializuara mjekësore dhe përmbledhjen e të gjitha analizave të bëra. Ju njoftoj gjithashtu se nuk kam mundur të gjej faturën në shumën Euro 40.00, por kam bashkangjitur vetëm kuponin fiskal të cilin si duket e kam ruajtur gabimisht në vend të faturës. Nëse kuponi fiskal nuk mjafton, atëherë me konsideratë kërkoj që ajo faturë të zbritet nga totali”, thuhej në kërkesën e Sadriut.
Në fund të kërkesës së tij, Sadriu thoshte se nuk ka kërkuar rimburësim të mjeteve edhe për rreth 4 palë analiza të përgjithshme laboratorike.
“Gjithashtu, vetëm sa për informim ju njoftoj se në këtë kërkesë nuk kam kërkuar rimbursim të mjeteve për rreth katër palë analiza të përgjithshme laboratorike të bëra në laboratore privat në koston e përafërt rreth Euro 350.00 dhe dy incizime të mushkreive në CT gjithashtu në laboratore privat me kosto të përafërt rreth Euro 450.00”, thoshte në fund të kërkesës së tij, Prindon Sadriu. /Gazeta Insajderi