×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Zjarre në Greqi dhe Spanjë, 16 qytete nën alarm në Itali

    Insajderi
    21 August 2023 - 15:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “Ferri” nga moti ekstrem është rikthyer sërish në Europë. Temperaturat e larta janë regjistruar në Romë dhe Milano duke detyruar banorët dhe turistët që të kërkojnë mënyra për t’u freskuar, ndërsa vala e re e të nxehtit ‘Nero’, po godet Italinë.

    Sipas agjencive të meteorologjisë, temperaturat pritet që të shkojnë deri në 38 gradë celcius për të paktën 5 ditë radhazi në shumë zona të Italisë. Në të paktën 16 rajone është aktivizuar alarmi i kuq, me autoritetet që këshillojnë njerëzit të mos dalin në orarin e pikut të vapës.

     “Është shumë nxehtë edhe në Francë, por ne preferojmë që ta përballojmë atë në Itali, pasi kemi shumë për të parë. Roma është një qytet i mrekullueshëm dhe bukuritë që ne shohim e bën të nxehtin të përballueshëm”, tha Michel, turist nga Franca.

     “Është shumë nxehtë për mua, prandaj po vendos krem dielli. Në Gjermani nuk është edhe aq vapë, atje bie shi dhe ka stuhi. Nuk jam mësuar me këtë lloj moti dhe kam alergji nga dielli”, tha Nurzada Ulanbek, turiste nga Gjermania.

    Vala e të nxehtit është quajtur ‘Nero’, sipas perandorit romak që u akuzua se nisi Zjarrin e Madh të vitit 64 pas Krishtit në Romë. Duke qëndruar te flakët, ato po vijojnë të jenë problematike në disa vende europiane. Vatra të shumta zjarri raportohen në pjesë të ndryshme të Greqisë, përfshirë në rajonin e Atikës ku gjendet dhe kryeqyteti Athinë. Mediat shkruajnë se një person ka humbur jetën, ndërsa janë shkrumbuar hektarë të shumtë pyje dhe tokë bujqësore.

    Gjithashtu edhe në Spanjë në ishullin e Tenerifes, zjarrfikësit po luftojnë me flakët që po shkrumbojnë çdo gjë që u del para prej 6 ditësh. Zjarret kanë djegur deri më tani mbi 12 mijë hektarë pyje në parkun kombëtar që rrethon vullkanin Teide. Me mijëra persona raportohet të jenë evakuuar. /A2CNN

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark