×
  • Lajme
  • Lajme

    Zyrtarja e BIK-ut në PDK dhe transferimi i befasishëm në AKR – katër aderimet e ditës

    Insajderi
    03 September 2019 - 22:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Që prej shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës dhe nisjes së fenomenit të aderimeve – në baza ditore – nëpër të gjitha partitë politike të vendit, data 3 shtator ka një të veçantë: pothuajse secili aderim përmban elemente kontradiktore, të çuditshme e të befasishme.

    I befasishëm ka qenë aderimi i ministrit në largim të Arsimit, Shyqyri Bytyqi, në Partinë Socialdemokrate të Shpend Ahmetit.

    Ndonëse edhe Nisma Socialdemokrate, ish-partia e Bytyqit, deklarohet si parti e majtë – me ideologji të njëjtë sikurse PSD-ja –aderimi i tij në partinë e reformuar së fundmi konsiderohet i befasishëm për shkak se emri i Bytyqit është përfolur shumë për një kalim eventual në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

    Mirëpo, Bytyqi u shpreh se ka pasur arsye të forta për të zgjedhur bashkimin me PSD-në.

    “Konsideroj se politikat socialdemokrate janë më se të nevojshme dhe janë ato që i duhen tash për tash vendit tonë”, deklaroi ministri në largim i Arsimit, në një konferencë për media të mbajtur të martën në Prishtinë.

    Ndërkohë, pas largimit të Agim Bahtirit, Aleanca Kosova e Re (AKR) ka realizuar sot një transferim “të bujshëm”. Ka afruar në parti Gent Begollin, një ish-zyrtar të AAK-së, ish-kryeshef të Telekomit të Kosovës dhe ish-drejtor të Komunës së Prishtinës.

    Aderimi i Begollit, sipas kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacollit, është vetëm njëri prej “qindra aderimeve të tjera” të cilat ai i ka paralajmëruar.

    “Zyrtarizimi i tyre do të bëhet në një kohë të caktuar, për shkak të kohës”, ka deklaruar Pacolli sot.

    Por, aderimin më kundërthënës të ditës e ka realizuar padyshim Partia Demokratike e Kosovës. Kryetari i partisë që udhëhoqi koalicionin qeverisës së legjislaturës së fundit, prezantoi sot profesoreshën e Fakultetit të Studimeve Islame, Besa Ismaili, si anëtaren më të re të PDK-së.

    Mirëpo, profesoresha dhe aktivistja e shoqërisë civile, me këtë lëvizje rrezikon vendin e saj të punës si zyrtare e Bashkësisë Islame të Kosovës.

    Në një vendim të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), të publikuar nga Gazeta Insajderi të martën, thuhet se futja e zyrtarëve të BIK-ut në parti politike përbën shkelje të statutit të këtij institucioni.

    “Angazhimet e nëpunësve të BI-së, në parti politike janë në kundërshtim me qëndrimet e BI-së dhe rrjedhimisht të dënueshme”, thuhet në statutin e Bashkësisë Islame të Kosovës.

    Ndërsa, Besa Ismaili, ndonëse në rrezik për të humbur vendin e punës në BIK, i është gëzuar shumë aderimit në partinë e Kadri Veselit; parti e cila, jo më larg se më 2011 votonte kundër futjes së edukatës fetare në shkolla.

    Ajo ka thënë se me aderimin në PDK i është “plotësuar një ëndërr familjare”.

    “Rrugëtimi im si qytetare e Republikës së Kosovës, në fillet e përballjes kundrejt përgjegjësive dhe sakrificave, ka plotësuar ëndrrat e familjes, por që e kaluara e përbashkët nuk ka prodhuar të njejtën edhe për shoqërinë në përgjithësi”, ka shkruar profesoresha Ismaili.

    Ndryshe nga PDK-ja, që u mburr me profesoreshën dhe zyrtaren e BIK-ut, ‘Lëvizja Vetëvendosje!’ ka lavdëruar aderimin e saj të fundit, me arsyetimin se “ka një CV të pasur”.

    Përmes një postimi në Facebook të martën, ‘Lëvizja Vetëvendosje!’ ka njoftuar se Liridon Daki, personi i cili është bërë pjesë e degës së saj në Gjilan është edhe ekonomist i diplomuar.

    Mburrja e Vetëvendosjes me aderimin më të ri – “I ri në moshë, por me CV shumë të pasur”

    “I ri në moshë, por me CV shumë të pasur. Mirë se vjen Liridon Daki. Liridon Daki i lindur në Dardanë, është në përfundim të mbrojtjes së diplomës në nivelin Master, në departamentin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka përfunduar me rezultate të larta Fakultetin Ekonomik”, thuhet në njoftimin e VV-së.

    Teksa kanë mbetur më shumë se 30 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 6 tetor, partitë politike që do të shkojnë të vetme në zgjedhje, kanë afat deri më 6 shtator për regjistrimin në KQZ të listave me kandidatë për deputetë. /Insajderi.com

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark