Që nga nesër Finlanda përfundimisht anëtarësohet në Aleancën e Atlantikut të Veriut, lajmëroi nga Zyra e Presidentit të Finlandës, Sauli Ninisto, ndërsa lajmi u konfirmua edhe nga Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, raportoi Reuters, përcjell Insajderi.
“Kjo lëvizje do ta bëjë Finlandën një vend më të sigurt dhe Suedia do të jetë më e sigurt si rezultat i anëtarësimit të fqinjit të saj në NATO.”
“Ne do të ngremë flamurin finlandez për herë të parë në selinë e NATO-s. E marta do të jetë një ditë e mirë për sigurinë e Finlandës dhe NATO-s”, tha Stoltenberg.
Të enjten, parlamenti turk ratifikoi hyrjen e Finlandës në Aleancën e Atlantikut të Veriut, me të gjithë 276 anëtarët e pranishëm që votuan “po”.
Ky vendim i parlamentit turk hyri në fuqi të shtunën, duke hequr pengesën e fundit për hyrjen e vendit nordik në Aleancë, pasi të 29 anëtarët e NATO-s kishin ratifikuar më parë hyrjen e Finlandës.
Finlanda ndan një kufi prej 1300 kilometrash me Rusinë.
Suedia në pritje
Suedia nuk do të bëhet ende anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut, sepse Ankaraja nuk i ka dhënë ende dritën jeshile, raporton Insajderi.
Turqia ka akuzuar Suedinë se strehon anëtarë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të cilën Ankaraja e konsideron një grup terrorist.
Marrëdhëniet midis dy vendeve u përkeqësuan më tej nga protestat në janar pranë ambasadës turke në Stokholm, ku një politikan i ekstremit të djathtë dogji një kopje të Kuranit./Insajderi/