I biri i legjendës së futbollit kosovar Fadil Vokrri, Gramoz Vokrri, për televizionin T7 ka folur për hakmarrjen e të parit të FFK-së, Agim Ademit ndaj familjes Vokrri.
Federata e Futbollit kishte ndarë një pagë për familjen e legjendës Fadil Vokrri, por kjo pagë, siç bën të ditur Gramozi është ndalur 70%.
Ai e konsideron këtë si hakmarrje të Agim Ademit ndaj familjes Vokrri.
“Paga është ndalur 70% nga Federata, pa miratimin e Kuvendit të FFK-së. Nuk i di arsyet, ne nuk kemi asnjë kontakt me Federatën. Nuk kanë të drejtë me ndal pa e propozuar në Kuvend. Ka qenë pjesë e hakmarrjes së z. Ademit”- tha Vokrri, transmeton Insajderi.
Derisa, ai shtoi se kjo ndalje e pagës është e qëllimshme.
Tutje, Vokrri ka folur edhe lidhur me ndalimin e ndeshjeve të klubit të Prishtinës në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Ai tha se kjo më shumë është tendencë e Federatës, duke e komentuar si veprim të gabuar.
“E shoh më shumë si tendencë, Federata është dashur që t’i ndihmojë klubet, jo t’i pengojë ato. Mua më pengon që ka rrjedhë ky debat, sepse është gabim me iu ndalu stadiumi KF Prishtinës, ky është shkruar historia e klubit dhe futbollit kosovar” – tha ai.
Kujtojmë se, Vokrri ishte kundërshtari kryesor i Agim Ademit në garën për president të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
Por, kandidatura e tij nuk ishte aprovuar për arsye se disa nga nënshkrimet që kishte mbledhur Vokrri ishin cilësuar si të jashtëligjshme.
Gazeta Insajderi