×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    88 jetë të humbura – Gjykatave iu kërkohet t’i ashpërsojnë dënimet për vdekjet në komunikacion

    Insajderi
    16 November 2022 - 11:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Përgjatë këtij viti të shpeshta kanë qenë vdekjet në aksidente trafiku. Nga 78 aksidente fatale që nga janari deri në tetor 88 persona kanë humbur jetën.

    Nga 88 personat që kanë humbur jetën në aksidentet e trafikut rrugor brenda dhjetë muajve, 24 nga ta janë këmbësor.

    Dënimet ndaj shoferëve që kanë shkaktuar vdekjen e këmbësorëve, mbeten të ulëta. Kjo pasi, veprat në fjalë trajtohen si vdekje nga pakujdesia, shkruan Insajderi.

    Avokati Arbër Istrefi, thotë se 99 për qind e këtyre rasteve në Kosovë, cilësohen si vepra të shkaktuara nga pakujdesia. Dënimi maksimal ndaj shkaktarëve është 8 vite.

    “Në rastet e aksidenteve në komunikacion duhet të bëhet dallimi se a është vepër e shkaktuar nga pakujdesia apo është dashja eventuale. Tash nëse është nga pakujdesia që diku 99 për qind të rasteve në Kosovë cilësohen të tilla, atëherë maksimumi i dënimit është 8 vite. Nëse vepra penale konsiderohet si dashje eventuale që është një shkallë më e rëndë se nga pakujdesia atëherë në ligj parashihet dënimi maksimal të jetë nga 3 deri në 12 vjet, fjala është nëse pasoja është në vdekjen e një ose më shumë personave”, ka thënë Istrefi për Insajderin.

    Me lëndime të rënda trupore, dënimet janë më të ulëta varësisht prej rastit dhe pasojave.

    Istrefi ka treguar se personalisht është marrë me një rast ku një person është dënuar me 8 vite burgim. Kjo, pasi në akatkuzë është cilësuar si dashje eventuale dhe jo nga pakujdesia.

    Sipas tij, dënimet duhet të ashpërsohen edhe në rastet e vdekjeve nga pakujdesia, për faktin se numri i vdekjeve në aksidente është tejet në rritje.

    “Mendoj se duhet me u ashpërsu dënimet. Sa i përket vendimit të gjykatës duhet me qenë ma të rrept në natyrë të veprave penale të shkaktimit të aksidenteve në komunikacion. Duhet me qenë ma rigoroz, pasi këto raste janë në rritje në shtim të numrit të rasteve të reja. Një mënyrë për me i parandalu këto është sanksioni penal. Duhet kryerësit e veprës të dënohen me dënime ma të rënda”, ka theksuar Istrefi. /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark