×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    93 viktima nga zjarret më vdekjeprurëse në Havai

    Insajderi
    13 August 2023 - 22:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ka shkuar në 93 numri i viktimave si pasojë e zjarreve në shtetin amerikan të Havait. Autoritetet thonë se këtë kanë qenë zjarret më vdekjeprurëse në Shtetet e Bashkuara në mbi 100 vjet.

    Disa banorë të qytetit tanimë të shkatërruar të Lahainas, janë rikthyer në lagjet tyre, ku kanë gjetur vetëm shtëpitë e shkatërruara.

    Zyrtarët lokalë kanë njoftuar se 2200 objekte janë shkatërruar nga ajo që po vlerësohet si një nga katastrofat më të rënda të këtij shteti amerikan.

    Guvernatori i Havait, Josh Green, tha se dëmi materiale si pasojë e zjarreve ka shkuar në vlerën e afro 6 miliardë dollarëve.

    Autoritetet e shtetit të Havait thanë se numri i të vdekurve ka shkuar në mbi 90 ndërsa Guvernatori Josh Green paralajmëroi se politikat për mbrojtjen e ishullit nga fatkeqësitë natyrore do të rishikohen.

    Sipas tij, 2200 struktura janë shkatërruar apo dëmtuar nga zjarret në pjesën perëndimore të Mauit, 86% prej të cilave kanë qenë objekte banimi.

    “Kjo është fatkeqësia më e madhe natyrore që kemi përjetuar ndonjëherë. Do të nevojitet gjithashtu një kohë jashtëzakonisht e gjatë për t’u rimëkëmbur nga kjo fatkeqësi ”, tha Guvernatori i Havait, Josh Green.

    Ai u shpreh mirënjohës edhe për ndihmën që është zotuar të ofrojë Uashingtoni.

    “Humbjet deri më tani i afrohen 6 miliardë dollarëve. Është një gjë e jashtëzakonshme të kemi këtë udhëheqje në Uashington. Presim që ata të fillojnë të shikojnë se si mund të rindërtojmë zonën e goditur dhe si të ndihmojmë njerëzit që kanë humbur pothuajse gjithçka”, tha zoti Green.

    Ndërsa autoritetet po bëjnë vlerësimet rreth dëmit të shkaktuar, banorët e qytetit turistik Lahaina janë rikthyer në lagjet e tyre duke gjetur vetëm gërmadhat e shtëpive të djegura.

    “Po përpiqem ende të kuptoj se çfarë ndodhi dhe nuk e di nëse do ta tejkaloj ndonjëherë këtë situatë. Kam humbur qytetin tim, shtëpinë time. Nuk dua të jem materialist, por këto janë gjëra që nuk mundem t’i zëvendësoj. Nuk e kam fjalën për orendi apo gjëra të tilla, por për gjëra personale. Kam humbur miq, gjithashtu. Ka njerëz që ende nuk i kam parë”, thotë Donnie Roxx, banor i qytetit Lahaina.

    “Shtëpia jonë është shkatërruar plotësisht dhe komuniteti ynë është zhdukur. Humbja e komunitetit tonë është ajo që me të vërtetë dhemb më shumë”, thotë një banor tjetër që nuk u identifikua.

    “Është një lagje e bukur, dhe njerëzit kanë humbur gjithçka, jo vetëm shtëpitë, por edhe bizneset dhe janë larguar vetëm me rrobat e tyre”, thotë një tjetër banore e Lahainas.

    Ndërsa numri i të vdekurve vazhdon të rritet, është e paqartë se si morgjet do të jenë në gjendje të menaxhojnë situatën, duke patur parasysh se ka vetëm një spital dhe tre morgje.

    Fati i qindra njerëzve nuk dihet ende.

    Sipas guvernatorit Green, duke filluar nga kjo fundjavë, 500 dhoma hotelesh do të vihen në dispozicion për vendasit e zhvendosur dhe 500 të tjera do të ndahen për personelin e Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave.

    Rreth 30 kulla të telefonisë celulare ishin ende jashtë funksionit dhe ndërprerjet e energjisë elektrike pritet të zgjasin disa javë në perëndim të Mauit.

    Zyra e Prokurores së Përgjithshme të Havait, Anne Lopez do të kryejë një hetim gjithëpërfshirës të vendimmarrjes dhe politikave të zbatuara gjatë dhe pas zjarreve, tha ajo në një deklaratë të premten. /REL

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark