NJë libër me poezi të shkruara në kohën e karantinimit si pasojë e pandemisë së coronavirusit, na e sjellë gazetari dhe poeti Bekim Muhaxheri.
“Në zemrat tona dimri ka mbetur”, është libri që i kushtohet vëllait të autorit dhe të gjithë atyre që ndërruan jetë pas komplikimeve shëndetësore të shkaktuara nga virusi Corona.
Ky është libri i dytë i Muhaxherit, pasi që ai vitin e kaluar botoi librin e parëpo me poezi të titulluar “Ëndrrat bëhen pranga”.
Insajderi ju sjell disa nga poezitë e librit të Muhaxherit.
Copëza kujtimesh
Kur të goditën në brinjë
T’u duk sikur u shemb
E tërë mbrojtja e një qyteti
Ranë të gjitha fortifikimet
Dhe u rrëzove
Duke e ditur se zemra ka shpëtuar
E palënduar
Brenda kafazit të kraharorit.
Të hodhën pastaj në një vrimë të errët
Si në një natë pa hënë,
Pus të zezë
Ku sado që hapje sytë
Nuk shihje asgjë.
Të lanë të mendohesh,
Të thyhesh,
Ta kuptosh
Se kështu u ndodh kryengritësve,
Por nuk u kërkove asgjë.
Vetëm volle llavën e kuqe
Që të digjte përbrenda
Dhe ndriçove veten
Si shenjtor
Pa frymë
Ç’është ky oktapod i bardhë
Me tentakula plastike
Që të ka mbërthyer
E të tërheq drejt vetes?
Ngrihu vetëm një herë në këmbë
Merr frymë thellë
Shkunde botën si një pemë
Këputi të gjithë këta tela
Që të mbajnë lidhur për shtrati
Mbahu fort për jete
Preja venat vdekjes
Qenkan rralluar drunjtë
Si dhëmbët në gojën e të moshuarve
Dhe shpeshtuar ndërtesat
Si ushtarët në parada
Kjo gjë nisi moti
Që në ditën kur njëra nga degët
U bë bisht sëpate
Dhe i pari që u pre
Ishte druri që ndihmoi tehun e metaltë
Të bëhej armë në duart e njerëzve
Kështu ndodh gjithmonë me tradhtarët,
Me ata që kthehen në vegla të tjetrit
Nga atëherë kemi hyrë në pyje
Si ujku ndër dele
Drunjtë s’kanë gojë as të blegërijnë,
As të bërtasin mjaft!
Kur të bjerë druri i fundit
E tëra që do të mbetet
Do të jetë një pyll betoni
Me vinça si degë të thara përreth,
Por në botë nuk do të lindin më
Fëmijë me sy të gjelbër
Planet i pabesë
Nga shtëpitë e banesat tona
Si nga miliona anije kozmike
Të ngulura në tokë
Vështrojmë planetin tonë me çudi
Sikur ta shihnim për herë të parë
Dalim vetëm me maska dhe doreza
Si në rastet kur nuk e dimë
Çfarë u bën duarve dhe lëkurës sonë
Ambienti i jashtëm i një vendi të panjohur.
Nuk mund të themi
“Ky është një hap i madh për njerëzimin”
Siç thamë kur u lëshuam në Hënë,
Pasi brenda na ka mbyllur
Një gjë e vogël
Që nuk mund ta shohim me sy.
Nëse jashtëtokësorët ekzistojnë
Po qeshin diku në hapësirë
Me planet tona
Për të zbritur në Mars
Pranverë pa njerëz
Jam mbyllur
Dhe kam përpirë çelësin
Si në filma të vizatuar.
Kërcënimi endet jashtë
Në trajtë të njeriut tjetër
Të panjohur,
Sidomos nëse vjen nga larg.
Nuk duhet prekur asgjë,
As hapur derën.
Shtëpia është bërë e tepërt
Për mikun
Edhe Zoti ka dalë jashtë saj
Për ta mbikëqyrur ardhjen e pranverës
Të parës pas shumë shekujsh
Pa njerëz.