×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    A i fali Kurti 24 hektarë tokë të Manastirit të Deçanit për kurrgjë hiç?

    Insajderi
    08 May 2024 - 14:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi sot se s’do ta respektojë si parakusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës dorëzimin e draft-statutit për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Gjermania dhe Franca paralajmëruan se s’do të përfshihet në agjendë të Komitetit të Ministrave nëse s’zbatohet “Zajednica”. Kurti sakrifikoi 24 hektarë tokë të Manastirit të Deçanit. E arsyetoi duke thënë se s’pajtohet me vendimin, por po bëhet për hir të anëtarësimit të Kosovës në KiE.

    Në mbledhjen e Qeverisë të së mërkurës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se s’e pranon si parakusht dorëzimin e draft-statutit të “Zajednicës” në mënyrë që Kosova të sigurojë një vend në Këshillin e Evropës. Draft-statutin e evropianëve e nënvlerësoi, duke thënë se ai nuk dorëzon “non-paper” në Gjykatë Kushtetuese, shkruan Gazeta Insajderi.

    Draft-statuti si dokument dështoi të zyrtarizohej. Si i tillë është një non-paper. Qeveria e Kosovës nuk mund t’i dërgojë dokumentet që s’janë zyrtare dhe s’janë pranuar në Gjykatën Kushtetuese. Tri herë u tentua që të futej si kërkesë si parakusht për anëtarësim. Që të tri herat u refuzua”, deklaroi ai.

    “Pengesat për anëtarësim në këtë organizatë i mendonim nga shtetet që s’e kanë njohur Kosovën. Por asessi nuk e mendonim se pengesë do të jenë shtetet demokratike… Plotësimi i kritereve për anëtarësim në Këshill të Evropës, është moment krenarie për çdo qytetar të Kosovës dhe aleatëve të saj”, shtoi tutje shefi i Qeverisë.

    Ky vendim erdhi pasi qeveria gjermane dhe ajo franceze e kërkuan si parakusht shqyrtimin e draft-statutit nga Kushtetuesja.

    Megjithatë, Kurti për dallim nga sot, paraqitej si njeri i sakrificave. Ai thoshte se përkundër që s’pajtohet me zbatimin e Manastirit të Deçanit, do ta zbatojë me qëllim që Kosova të anëtarësohet në institucionin evropian për të drejtat e njeriut.

    Kurti në mbledhjen e Qeverisë së gati para një muaji thoshte se përfaqësues të shteteve të QUINT’it dhe akterë të rëndësishëm politik e kushtëzuan anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës me zbatimin e këtij vendimi.

    “U bindëm që duhet të zgjedhim njërin opsion, nuk ka një zgjedhje të tretë. Si kryeministër i Republikës së Kosovës nuk na pëlqen ky vendim i çuditshëm i padrejtë dhe ka edhe procese të tjera gjyqësore pezull për këtë çështje. Ne si qeveri nuk kemi më mjete legale për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, deklaronte Kurti.

    “Nuk do ta ndryshoj qëndrimin ndaj këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë. Në anën tjetër nuk ka dyshim që anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ishte jo vetëm historik por edhe hap gjigant drejt njohjes së pesëshes”, deklaroi tutje shefi i Qeverisë.

    Ndonëse e promovoi si vendim në të mirë të Kosovës, Kurti zgjedhte fjalët më të ashpra për ta përshkruar çështjen e 24 hektarëve tokë përreth Manastirit të Deçanit.

    Ai në televizionin publik dilte dhe e quante vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit si “vendim të regjimit të Millosheviqit”.

    “Unë e kuptoj që Manastiri i Deçanit duhet të ketë një hapësirë, unë e kuptoj që kanë nevojë për qetësinë e ambientit, ndihmën e Qeverisë së RKS-së, mirëpo ne kemi rezervën e zakonshme për vendimet e regjimet e Millosheviqit, të cilat për bindjen time janë pranuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila e ka trajtuar një lëndë pa kaluar në faza të zakonshme. Me ç’rast nuk duam t’i dominojmë, por në të njëjtën kohë besoj se duhet të hasim në mirëkuptimin e tyre, se vendimet e regjimit të Millosheviqit nuk mund të jetojnë në shekullin tonë”, deklaronte ai.

    Ai thoshte se me zbatimin e vendimit, Kosova do të kthehej mbrapa.

    “Ne nuk mund të kthehemi as para vitit 1999, e as para 2008 e 2012, kur është hequr mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës. Këto janë gjëra të cilat kanë ndodhur në të kaluarën, jemi këtu ku jemi dhe çfarëdo përpjekje për t’u kthyer në të kaluarën unë besoj që nuk mund të ketë të ardhme”.

    Krerët e misioneve të vendeve të QUINT, më shumë se dhjetëra herë i kanë kërkuar qeverisë që ta zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese për t’i kaluar në pronësi Manastirit të Deçanit rreth 24 hektarë tokë.

    Për ironi të fatit, Kurti e zbatoi këtë vendim tek një ditë pas qortimeve për mos-komunikim me amerikanët. Saktësisht nga emisari amerikan, Gabriel Escobar.

    Instancat më të larta të diplomacisë amerikane adresuan kritikat e tyre për komunikim me Qeverinë Kurti. Ishte zyrtari i lartë amerikan, James O’Brien, që ngriti shqetësim për mos-koordinim të ekzekutivit me Kurtin në krye me përfaqësuesit amerikanë. O’Brien në shkurt të këtij viti thoshte se Kurti po merr vendime “në mes të natës” kur e kritikonte vendimin për rregulloren e re të BQK’së.

    “Ka mënyra tjera për ta siguruar këtë qartësi, përfshirë përmes dialogut, përmes konsultimeve joformale, ashtu si shtetet moderne u japin përgjigje këtyre çështjeve. Jo duke shpallur vendime në mes të natës pasi partnerët tuaj më të afërt ju thonë se kjo është ide e keqe dhe qeverisje e dobët”, deklaronte O’Brien në një intervistë për Zërin e Amerikës.

    Për t’i jehuar acarimet SHBA-Qeveria Kurti, vetëm një ditë më pas ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kishte ftuar konferencë të jashtëzakonshme. Ai në atë konferencë potenconte dëmtimin e raporteve, pas tentimit të ministrave të Kurtit për t’i përshkruar si të mira.

    “Jam i shqetësuar që ka deklarata pas kësaj interviste të O’Brien, që sugjerojnë që marrëdhënia mes Kosovës dhe ShBA-së nuk është prekur dhe se nuk do të prekur nga kjo situatë, më duhet të jem i qartë që kjo thjeshtë nuk është e vërtetë. Kjo nuk është situata”, deklaronte Hoveiner.

    Kokëfortësisë së Kurtit vule i dha Escobar. Ai në një konferencë për shtyp tha se SHBA po ka probleme me kryeministrin Kurti. Madje, ai thoshte se s’ishte vetëm SHBA’ja që e kishte një problem të tillë.

    “Kemi problem në komunikim me qeverinë e kryeministrit Kurti. Dhe nuk është që vetëm ne kemi këtë problem, Kosova ka probleme komunikimi edhe me BE-në, NATO-n dhe vendet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Do të donim që partneriteti të kthehej siç ka qenë më parë”, deklaroi emisari amerikan dje. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark