×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Ajo më sulmoi e para, duhej të isha dominante – e paralajmërova”, publikohet rrëfimi i infermierës në Polici

    Insajderi
    02 November 2022 - 20:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një rast i tmerrshëm ka ndodhur në qytetin e Pejës. Në videon e bërë virale në rrjetet sociale e media, shfaq disa infermiere në Shtëpinë e të Moshuarve “Orenda” në Pejë, teksa rrahin dhe keqtrajtojnë në mënyrë çnjerëzore një paciente.

    Dy infermieret, Aurona Pelaj dhe Altina Rexhepi dyshohet se e sulmuan gruan e moshuar brutalisht, teksa Remize Kuqi incizoi pamjet. Ato kanë përfunduar në pranga të Policisë dhe janë suspenduar, bashkë me një punëtore tjetër.

    Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se Pelaj ka deklaruar para hetuesve policorë se në ditën kritike kishte shkuar t’iu ndihmojë kolegeve të cilat po merreshin me të moshuarën (viktimën e rastit), pasi sipas saj ajo ka qenë agresive.

    Dhunën që ka ushtruar ndaj saj, ajo e ka arsyetuar duke thënë se “ajo e para më ka sulmuar”, teksa ka thënë se viktima ka kaluar atë ditë kriza nervoze dhe ka shkaktuar ‘telashe’ në hapësirat e qendrës.  

     “Unë kur kam filluar punën ajo veç ka qenë banore e shtëpisë dhe se nga mjeku është konstatuar se e njëjta ka çrregullime mendore. Në ditën kur ka ndodhur rasti ajo ka qenë shumë agresive dhe kohë pas kohe përjetonte kriza nervoze dhe për këtë e kemi njoftuar doktorin. Atë ditë, e kemi pasur për detyrë që t’ua ndërrojmë pampersat pasi e moshuara (viktima) e kishte kryer nevojën fiziologjike dhe me duart e saj e ka ndotur hapësirën. Unë e kam dëgjuar një zhurme te banjoja dhe kam shkuar që të shikoj. Aty koleget e mija kishin pasur telashe dhe desha të ju ndihmoj. Ajo (viktima e moshuar) më ka sulmuar dhe më ka shkaktuar lëndime në dorë, më ka sulmuar me shqelm e para. Unë nuk kam përdor dhunë e as forcë të madhe përveç me ndalu sulmin e saj ndaj meje. Ajo atë ditë e ka sulmuar edhe një banore tjetër.“, ka deklaruar ajo.

    Sinjali mëson se Pelaj ka deklaruar po ashtu se forca që e ka përdorur sipas saj ka qenë nën afekt, por në një formë i ka konsideruar si të drejtë veprimet e saj, me arsyetimin se duhet të jetë dominonte ndaj personave me probleme psikike.  

     “Në shkollë jemi mësuar se personat që paraqesin rrezik për personelin dhe kanë probleme psikike duhet të tregohemi dominant ndaj tyre. Unë jam e vetëdijshme se veprimi ka qenë i tepruar dhe nën afekt, por ajo e para më ka sulmuar dhe veprimet e mija kanë qenë paralajmëruese dhe jo me forcë të madhe. Koleget e mija janë munduar ta vënën nën kontroll atë (të moshuarën). Janë munduar me forcë ta ndërrojnë, ka qenë e fuqishme dhe është dashtë disa veta ta vënë nën kontroll.”

    Në dëshminë e saj, Pelaj është shprehur e penduar thellësisht dhe keq emocionalisht për rastin që ka ndodhur. Ajo ka deklaruar po ashtu se publikimi i videos është bërë me qëllim nga qendra pasi ajo e ka lënë punën gjatë ditës së djeshme. Sipas saj, ajo s’ka qenë e përgatitur që të merret me persona që kanë probleme psikike.

    Policia në Pejë e ka konfirmuar se punonjëset e shtëpisë së pleqve “Orenda” janë arrestuar në lidhje me rastin e sulmit fizik ndaj të moshuarës në Pejë, teksa nga Prokuroria kanë bërë të ditur se tri të dyshuarat janë ndaluar për 48 orë.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha se të dyshuarat ngarkohen me tri vepra penale dhe ndaj të njëjtave është caktuar masa e ndalimit.

    “Janë arrestuar tre persona si të përfshirë në rast. Të dyshuarit ngarkohen me tri vepra: sulm, ndihmë në sulm dhe incizim i paautorizuar. Ndaj tre të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit”, tha ai.

    Sulmi ndaj të moshuarës në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë nga një infermiere ka ndodhur pesë ditë më parë, më 29 tetor, sipas Policisë së Kosovës.

    Siç ka mësuar Insajderi, e moshuara është nëna e dëshmorit, Taulant Nura, i cili është vrarë gjatë luftës në betejën e qytetit të Gjakovës.

    “Kjo gruaja e sulmuar është nëna e dëshmorit Taulant Nura i vrarë në maj 99-ës në betejën e qytetit të Gjakovës, i tha ky burim Insajderit.

    Gazeta Insajderi ka mësuar se dhunuesja kryesore që shihet në këtë video është Aurona Pelaj nga fshati Novosellë.

    Pelaj shihet duke e goditur me shuplaka në fytyrë, pa pikë mërie të moshuarën.

    Pamjet e rënda janë publikuar nga aktorja Kaltrinë Zeneli të martën.

    “Orenda” Sh.P.K. është një biznes privat i cili merret me aktivitetet në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta.

    Aksionarë të biznesit janë Anton Rasaj, Besmir Ahmetaj, Agron Kukaj dhe Esmira Kukaj.

    Prokuroria Themelore në Pejë ka konfirmuar se ndaj dy dhunueseve është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orëve.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark