Krimet e kryera në Brezovicë, sipas dosjeve të prokurorëve të Ferizajit, kanë pasur një ekzekutues. Firmën “Quka”, pronar i së cilës është afaristi Alban Quka. Emri i tij figuron në secilën dosje të të akuzuarve, mirëpo vetë nuk është në mesin e të akuzuarve.
Të gjithë të akuzarit për kryerje të krimeve në shkatërrimin e Brezoviës e kanë një të përbashkët: Alban Qukën.
Në dosjën e secilit të akuzuar përmendet emri i tij. Ai është një biznesmen që ka ndërtuar një numër të madh të villave e hoteleve në këtë zonë turistike, tashmë nën llupën e prokurorëve.
Ai përshkruhet si ekzekutuesi i shumicës së krimeve kundër natyrës të kryera në Brezovicë.
Mirëpo, ai nuk është i akuzuar në asnjërin prej dy rasteve të mëdha penale kundër shkatërruesve të natyrës në Brezovicë.
Emri i tij nuk figuron si i akuzuar në rastin e parë, që ishte ngritur ndaj tre zyrtarëve të komunës së Shtërpcës për keqpërdorim detyre, Dimitrije Raqiqeviq, Dragomir Millosavljeviq dhe Hysni Bajrami dhe biznesmenëve tjerë të përfshirë në shkatërrimin e natyrës në Brezovicë.
Po ashtu, Quka nuk ishte as pjesë e të arrestuarve në rastin e dytë që nisi të hënën, ku u arrestua ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, drejtori i Urbanizmit në këtë komunë Dimitrije Raçiqeviq, e disa zyrtarë e pronarë biznesesh.
Derisa e gjithë Kosova i kishte sytë nga ky zhvilllim në Brezovicë, ku po ndodhnin arrestimet për shkatërrimet me ndërtime, Qukaj po rrinte i qetë. Ai madje në rrjetet sociale publikonte ushqim tradicionale – fli. Dukej se po shpëton pa therrë në këmbë, ani pse ishte i përfshirë në ato ndërtime.
Dosja e prokurorisë – Rastet “Quka Co”, u përfshi në shkatërrimin e natyrës në Brezovicë
Kompania “Quka Co”, pronë e biznesmenit Alban Quka, përmendet në të paktën tri rast të shkatërrimit të natyrës në aktakuzat që ka siguruar Insajderi. Ai përmendet në rastin e oligarkut Gentjan Sulo, binzesmenit Blerim Imeraj dhe Riad Hasanit. Këtë dy të fundit u arrestuan të hënën në aksionin e madh në Brezovicë.
Oligarkut nga Shqipëria Gentjan Sulo, akuzohet se përmes kompanisë “Stella Construction”, ku aksionar është edhe publicisti Veton Surroi, ka kryer veprën penale ndotje, degradim dhe shkatërrimi i mjedisit. Ndërsa “Quka CO”, ka bërë gërmimet dhe prerjen e pyjeve në Parkun Sharri në Brezovicë, në kundërshtim me ligjin.
““Stella Construction”, ka kontraktuar kryesit e punëve “Quka CO” me pronar Alban Quka, ndërtimin e 22 vikend shtëpizave, duke bërë gërmime dhe prerje të pyjeve në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin mbi Pyjet, si dhe të objektit hotelier disa katesh – 2B+p+2+NK, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri” kapitulli V, si dhe të Ligjin për Ujërat e Kosovës, duke ndërtuar në afërsi dhe mbi lumin “Murzhica”, me çka është degraduar ambienti në këtë pjesë të parkut si dhe është dëmtuar lumi “Murzhica”, thuhët në aktakuzën ndaj Sulos që ka siguruar Gazeta Insajderi.
Përveç së në këtë rast, Quka ka dorë edhe në dergadimin e që i është bërë pasurive natyrorë nga biznesmeni Blerim Imeri.
Imeri akuzohet se nga viti 2016, në Brezovicë, kanë degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore.
Edhe në këtë rast vikend-shtëpizat sipas aktakuzës janë ndërtuar “Quka – CO”, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës, të cilat vikend shtëpiza ia ka shitur personave fizik.
Në aktakuzën ndaj biznesmenit, Riad Hasani thuhet se akuzohet se nga 24 korriku 2017 e deri në fund të vitit 2018, në zonë turistike në Brezovicë, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i pronës me sipërfaqe prej 1 hektar.
Shkatërrimin e natyrës dyshohet se bëri përmes kompanisë ndërtimore “Quka”, thuhet në aktakuzë.
“Përmes firmës ndërtimore “Quka CO”, Riad Hasani ka ndërtuar 6 vikend shtëpiza në zonën e dytë të parkut edhe pse lejet ndërtimore ishin anuluar sipas vendimit të Drejtorisë për Planifikim, Rindërtim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit në Komunën e Shtërpcës, të 24 korrikut 2017, si dhe ka ndërtuar objektin afarist – hotelier “Rimida” – B+P+4+NK, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, si dhe Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit”, thuhet në aktakuzën ndaj tij.
Quka akuzohet për uzurpim të pronës në Brezovicë
Ndaj biznesmeni Alban Quka, megjithatë ekziston një akuzë tjetër e rëndë për pronën në Brezovicë. Akuzohet për uzurpim.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, e ngritur më 31 korrik 2018, Alban Quka akuzohet se që nga viti 2014, ka uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme disa parcela, të cilat gjenden në zonën kadastrale në Shtërpcë, përkatësisht në Brezovicë, pronë e të dëmtuarës Xhylizare Selimi-Dushi.
Sipas aktakuzës, në këto parcela, i akuzuari Quka ka rrënuar objektin e vjetër duke ndërtuar objektin e ri, dhe duke ua shitur me pas personave të tretë, me ç’rast i pamundëson të dëmtuarës të Selimi-Dushi të shfrytëzojë pronën e saj.
Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme” nga neni 332, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në procesin gjyqësore për këtë rast që ka nisur në gusht të vitit 2019, Alban Quka është deklaruar i pafajshëm. /Gazeta Insajderi
Lexo më shumë rreth skandalit të ndërtimeve në Brezovicë: