×
  • Hulumtime
  • Aktuale

    Gruaja e Sabit Gecit, Sanije Geci akuzohet për degradim të natyrës në Brezovicë

    Insajderi
    24 December 2021 - 12:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shteti i kishte dhënë leje për ndërtimin e një vikend shtëpize në Brezovicë, familjes së ish-komandantit Sabit Geci, në pronën që figuron në emrin e bashkëshortes së tij, Sanije Gecit. Por, gjatë ndërtimit familja Geci, ia ndërroi destinimin objektit duke e shndërruar në objekt hotelier pa leje. Përveç kësaj një pjesë e objektit preku edhe një pjesë të lumit duke e shkatërruar atë. Për këto veprime prokuroria ka akuzuar Sanije Gecin për shkatërrim të natyrës

    Sanije Geci, gruaja e ish-komandantit Sabit Geci, është akuzuar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, për shkatërrim të natyrës, në Parkun Kombëtar Sharri, në Brezovicë.

    Sipas aktakuzës së siguruar nga Gazeta Insajderi, ajo dyshohet se në fillim të vitit 2016, në zonën turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore.

    Ajo akuzohet se si pronare e parcelës kadastrale në atë pjesë, ka filluar ndërtimin e objektit banesor – vikend shtëpizë B+P+1+NK, me sipërfaqe prej 835.14 m2.

    “Kurse gjatë ndërtimit ka ndërruar destinimin e objektit në objekt hotelier “Kaona Hotel”, duke ndërtuar pa leje aneks objekt, në afërsi të lumit “Murrzhica” në distancë 1.90 m, kurse një pjesë e objektit në pronën ujore prej 2,95 m, me një sipërfaqe të përgjithshme të objektit prej 1821.56 m2, i cili ndërtim është në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës”, thuhet në aktakuzën ndaj Gecit.

    Me këto veprime Geci akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”.

    Për këtë vepër penale rrezikon të dënohet nga 1 deri në 8 vite burgim.

    Dosja e shkatërrimit të Brezovicës nga familja Geci

    Se dyshohej për shkatërrim të natyrës Sanije Geci, bashkëshortja e Sabit Gecit, ka raportuar edhe Gazeta Insajderi.

    Në dosjen që posedon Insajderi, thuhet se në raportin e dhjetorit të 2019-ës të Agjencionit Kadastral, biznesi i familjes Geci ndodhet në brendi të pronës ujore krejtësisht në kundërshtim me Ligjin e Ujërave. Kjo dosje është pjesë e aktakuzës ndaj saj.

    “Në njërin skaj është brenda pronës 1.90 metra, ndërsa në pikën tjetër është 2.95 metra brenda lumit Murzhica”, thuhet në raportin e siguruar nga Gazeta Insajderi.

    Sipas Ligjit për Ujërat e Kosovës, ndërtimi i objekteve tjera të cilat nuk shërbejnë për mbrojtje nga përmbytja duhet të jenë në largësi së paku 30 metra nga vija e ujë-rrjedhave dhe akumulimeve.

    Biznesi i familjes Geci po ashtu posedon një Pëlqim Mjedisor për ndërtimin e hotelit “Kaona”, por i njëjti do të duhej të ketë edhe lejen ndërtimore komunale ashtu siç parashihet në Udhëzimin Administrativ për Leje Mjedisore Komunale.

    “Investitori është pajisur me leje ndërtimore për ndërtimin e objekt banimit vikend shtëpi… Në projektin kryesor është prezentuar vendosja e objektivit në parlecela të tjera si dhe aneks-leja ndërtimore për objekt banimi”.

    Sanije Geci posedon lejen ndërtimore për ndërtimin e një objekti të banimit, i cili më pas është shndërruar në objekt afarist-hotel, për të cilin nuk posedon leje për ndërrim destinimi.

    “Për aneks lejen e lëshuar nuk e posedojnë projektin kryesor… kjo na jep me kuptu se objekti i banimit është shndërruar në objekt afarist-hotel, për të cilin nuk posedon leje për ndërrim të destinimit”, thuhet në raportin e siguruar nga Gazeta Insajderi.

    Pasi që inspektorët kishin konstatuar se familja  Geci kanë shkatërruar mjedisin, shteti mori vendim për pezullimin e ndërtimeve në këtë objekt.

    Sabit Geci, bashkëshori i Sanijes kur u kontaktua nga gazeta tha se tash janë në rregull me lejet e ndërtimit.

    “E kam marrë lejen prej Komunës, prej Ministrisë – sërish ka hy në rishqyrtim, pastaj sërish në rishikim, por tash e kam marrë lejen”, ka thënë ai për Insajderin. “Vetëm për një aneks aty, kam bërë kërkesë për legalizim, për një pjesë të vogël. Tash po pres përgjigje”.

    Geci ka treguar edhe për hetimet e Prokurorisë.

    “Prokuroria në Ferizaj e kanë thirr gruan, Sanijen, pasi prona është në emër të saj, ajo i ka argumentuar të gjitha. Më nuk ka problem rreth kësaj çështjeje”. /Gazeta Insajderi

    Lexo më shumë rreth skandalit të ndërtimeve në Brezovicë:

    https://insajderi.org/kush-eshte-gentijan-sulo-ortaku-i-surroit-qe-u-permend-per-dhenie-ryshfeti-per-ndertimet-ne-brezovice/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark