Disa mediet përsëri po shkruajnë se BMW familjen e saj X mund ta zgjerojë edhe me një anëtarë të ri.
Në Munchen, në fakt, janë duke planifikuar të sjellin edhe BMW X8, një tjetër model X luksoz, shfaqja në treg e të cilit mund të pritet gjatë vitit 2020, transmeton Koha.net. Thuhet se BMW në fillim të këtij viti tashmë ka mbrojtur etiketën X8.
BMW X8 nuk pritet të jetë më i madh se X6, dhe pritet të vijë me një stil tipik dinamik dhe sportiv të modeleve X. Prioritet te ky model gjithsesi është që pasagjerëve të pasmë t’iu ofrohet më shumë hapësirë.
Gjithashtu, X8 thuhet se do të bazohet në modelin X7, i cili pritet të dalë në shitje këtë vit. Kujtojmë se X7 në formë koncepti (i prezantuar në shtator të vitit të kaluar në panairin e Frankfurtit) është i gjatë 5 metra dhe boshtin e rrotave e ka të gjatë 3 metra.
Për X8, po ashtu, thuhet se interierin do ta ketë me sistemin e ulëseve 2 + 2, me dy vende individuale në pjesën e pasme, ndërsa versioni standard i tij do të jetë 2 + 3.
Nëse vërtetë merr dritën jeshile X8, BMW do të mund të ofronte gamën e motorëve të X7-shit, ndërsa në disa tregje mund të ofrojë motorin 6.6-litër Twin-Turbo V12, përcjell Koha.net. Po ashtu, mund të ofrojë edhe versionin plug-in hibrid ( kombinim i motorit benzinë 2.0-litër dhe motorit elektrik me baterinë litium-jon), ku me vetëm motorin elektrik autonominë mund të udhëtojë deri në 100 kilometra.
Meqenëse X7 do të prodhohet në fabrikën e BMW-së në Spartanburg, në SHBA, aty mund të prodhohet edhe X8. Tregu kryesore i BMW X7 dhe modelit eventual X8 pritet të jetë Kina, Rusia dhe SHBA.