×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Çka thotë plani i LDK-së për ta nxjerrë Kosovën nga kriza me rrymë?

    Insajderi
    23 August 2022 - 16:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Lidhja Demokratike (LDK) ka organizuar sot konferencë të jashtëzakonshme për medie dhe ka ofruar një plan për dalje nga kriza e tmerrshme energjetike që po shfaq shenjat e para qysh në verën e këtij viti.

    Në këtë konferencë për medie u paraqitën dy deputetët e këtij subjekti politik, Hykmete Bajrami dhe Besian Mustafa për të paraqitur pikat e këtij plani.

    Bajrami kërkoi nga Qeveria Kurti që urgjentisht “të fokusohet për investime të reja prodhuese energjetike”, me theks të veçantë “në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese, duke u përqendruar në burimet e gazit natyrorë,”

    Në anën tjetër, deputeti Mustafa po ashtu kërkoi “veprime të menjëhershme të Qeverisë Kurti” për të pasur efekte të menjëhershme.

    Qeveria ka paraqitur një draft-strategji për energjinë, dhe e cila tashmë e ka kryer periudhën e diskutimit publik. Në këtë draft-strategji nuk parashihej asnjë investim serioz kapital në sektorin e energjisë, përkundër që koha që mbulonte ishte prej vitit 2022 e deri në vitin 2031.

    LDK-ja në planin e saj ka prezantuar dhjetë pika, në atë që e quajti si “strategji afatmesme” për dalje nga kriza.

    Pikat

    Pika e parë e këtij plani për përballimin e krizën me energji elektrike ishte “Pagesa e menjëhershme e subvencioneve të premtuara prej 90 milionë euro për çmimin e energjisë elektrike”.

    Kjo pikë denoncon vonesat në kryerje të pagesave nga Qeveria Kurti dhe potencon rëndësinë që telashet aktuale të zgjidhen përmes hapash të ndërmarrë me urgjencë.

    Pika e dytë është riparimi i Bllokut A5. Nacionale kishte raportuar në shumë raste për vonesat në futjen e këtij blloku në riparim, e të cilat i kushtuan vendit me mos-prodhim të mjaftueshëm të energjisë elektrike në periudhën e tanishme.

    Pika e tretë kërkon ndihmë për qytetarët që të ngrohen em burime alternative, me anë të mekanizmave të caktuar nga Qeveria.

    Pika e katërt është përgatitja e planit të efiçiencës dhe kursimit të energjisë. Qeveria tashmë ka përmendur çështjen e efiçiencës, por thirrjet e saj publike për të kursyer energjinë elektrike nuk duket të kenë dhënë efekt gjatë dimrit të kaluar.

    Në pikën e pestë kërkohet negocimi i kontratave afatgjate për furnizim me energji elektrike.

    Në pikën gjashtë, kërkohet një tjetër lehtësim për qytetarët: Zbritja e TVSh-së nga 8% në 0% për faturat e energjisë elektrike.

    Në pikën e shtatë parashihej krijimi i subvencioneve të reja për qytetarët dhe bizneset.

    Në pikën tetë kërkohej largimi i tarifave diskriminuese të Zyres së Rregullatorit të Energjisë.

    Në pikën nëntë kërkohej themelimi i bursës së përbashkët për energji Kosovë-Shqipëri.

    Dhe në pikën e fundit, dhjetë, kërkohej përgatitja e Strategjisë afatmesme për rritjen e kapaciteteve gjeneruese me gaz dhe energji alternative.

    Para jo më shumë se tri ditësh, kryetari i kësaj partie Lumir Abdixhiku shkroi një status në Facebook të titulluar “Terri ka adresë” e në të cilin akuzonte Qeverinë Kurti për keqmenaxhim me këtë sektor.

    Nuk dihet nëse Qeveria Kurti do të marrë përsipër planin e LDK-së për përballimin më të lehtë të energjisë elektrike.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark