×
  • Lajme
  • Insajderi

    Denoncimi i keqpërdorimit të pronave të ministrisë – Policia vihet në përcjellje të ministrit Faton Peci

    Insajderi
    12 October 2022 - 15:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci është vënë nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, pasi që të martën ai publikisht denoncoi ndërtimin e 25 villave në Stankaj të Pejës, të cilat sipas tij janë ndërtuar kundërligjshëm në Prona të Institutit Bujqësor të Kosovës. Ai ka denoncuar keqpërdorimin edhe të një objekti të madh në qendër të Prishtinës që më dokumente thotë se i takon dikasterit që ai e drejton por qeranë e merr dikush tjetër

    Menjëherë pas denoncimit publik që ka bërë Ministri i Bujqësisë, Faton Peci rreth keqpërdorimit të pronës dhe objekteve që i takojnë dikasterit që ai e drejton, Policia e Kosovës është vënë në lëvizje.

    Kanë rritur masat e sigurisë ndaj ministrit Peci, për shkak që është konsideruar se është në rrezik.

    Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, këshilltarja e ministrit Flutur Mustafa Pllana.

    Në një përgjigje për Insajderin ajo ka deklaruar se policia është duke e përcjellë ministrin Faton Peci.

    “Po, Ministri është nën përcjellje të mbrojtjes së afërt. Përcjellja e policisë është reflektim dhe vlerësim i institucioneve përgjegjëse, ndaj seriozitetit të situatës”, tha Mustafa.

    Gazeta ka kërkuar të dijë më shumë detaje rreth rasteve të denoncuara nga ministri Peci, por nga kabineti i tij kanë thënë se denoncimet tanimë janë në duart e organeve të rendit dhe drejtësisë ta bëjnë punën e tyre.

    “Pas adresimit publik të Ministrit Faton Peci lidhur me dyshimet e keqpërdorimeve me pronat e Ministrisë së Bujqësisë, tanimë është në duart e organeve të rendit dhe drejtësisë ta bëjnë punën e tyre. Ministri Peci do vazhdojë të bashkëpunojë, në çdo hap të hetimeve me qëllim të zbardhjes së cdo parregullsie a keqpërdorimi me pronën shtetërore”, tha Mustafa.

    Të marten Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka denoncuar për dy raste të mëdha që sipas tij janë shumë më skandaloze sesa vërejtjet e marra në vazhdimësi nga Auditori, shkruan Insajderi.

    Rasti tejet abuziv sipas Pecit, e shkatërrues për pronën publike është ndërtimi i rreth 25 vilava, prej tyre një numër i konsiderueshëm ndërtime të vrazhda në Prona të Institutit Bujqësor të Kosovës në Joshanicë të komunës së Pejës respektivisht në Stankaj.

    Peci ka paralajmëruar se ditëve të ardhshme do të marrin të gjitha veprimet administrative dhe ligjore, që sipas tij do të mundësojnë rikthimin e ligjshmërisë së këtyre aseteve “dhe pasurive tek titullari, valorizimin e pronës dhe rritjen e inkasimit të mjeteve në shërbim të interesit të qytetarëve të Kosovës”.

    Peci ka denoncuar keqpërdorimin edhe të një objekti të madh në qendër të Prishtinës.

    “Është e pa-pranueshme se si para syve të institucioneve qendrore e lokale, ne zemër të Prishtinës, në Ulpianë ështe zhvatur prona e Ministrisë së Bujqësisë duke u lejuar apo duke mbyllur sytë karshi:”
    “Ndërtimeve të jashtëligjshme dhe ndërtimeve të vrazhda pa asnjë pasojë nga organet relevante të thirrura për ndalimin e ndërtimeve pa leje!”, tha Peci.

    Sipas ministrit Peci, uzurpim dhe tjetërsim i pronës publike të Ministrisë është bërë nga individë që nuk janë kontrolluar asnjëherë nga institucionet e thirrura për ta realizuar një gjë të tillë. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark