Insajderi
Insajderi Video

Deputeti i PDK-së kërcënon policin për ta shpëtuar shokun biznesmen-të pranishmit eskalojnë në kanosje, shantazh dhe gjuhë të ulët ndaj policëve

Insajderi
01 November 2025 - 22:04
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Deputeti i PDK-së kërcënon policin për ta shpëtuar shokun biznesmen-të pranishmit eskalojnë në kanosje, shantazh dhe gjuhë të ulët ndaj policëve
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Një skandal i rëndë është tentuar të fshihet në Kaçanik.

Në këtë rast, janë përfshirë emra të njohur. Eprorë të lartë policorë, një deputet dhe një biznesmen. Eprori i njohur si “Reksi”, deputeti Enver Hoxhaj dhe biznesmeni Bujar Bela.

Sipas burimeve të Gazetës Insajderi, ata kanë tentuar të shantazhojnë, poshtërojnë dhe frikësojnë zyrtarët policorë në detyrë. E gjitha kjo për një gjobë.

Më datë 9 korrik 2025, në orët e vona të natës, një patrullë policore mori një thirrje për muzikë të zhurmshme që po shqetësonte banorët e një lagjeje të qetë në Kaçanik.

Në pamje të parë, një rast rutinë. Por sapo zyrtarët mbërritën, gjithçka mori një drejtim krejt tjetër. Nga brenda shtëpisë u dëgjua muzika që tundte muret.

Personat që ishin brenda iu thanë policëve se aty ishin eprorë të lartë dhe se, nëse patrulla nuk largohej menjëherë, do t’i nxirrnin nga puna me një telefonatë të vetme.

I pari që doli jashtë, sipas burimeve të Insajderit, ishte biznesmeni Bujar Bela. Me tone përçmuese, ai refuzoi ta ndalonte muzikën. U afrua drejt policëve, i dehur dhe i sigurt në mbrojtjen që i jepte lidhja me njerëz të pushtetshëm.

“Tash i thërrasim na shefat e juve dhe ju qesim krejt prej pune!”, ishin fjalët e tij.

Policët nuk u zmbrapsen. Ata kërkuan që të zbatohej ligji dhe të shqiptohej gjobë për prishje të rendit dhe qetësisë publike. Por refuzimi i tyre për t’u tërhequr ndezi zemërimin e atyre brenda shtëpisë.

Nga dera dolën edhe persona të tjerë, të dehur, që filluan të ofendonin policët me fjalor të ulët.

Në mesin e tyre, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ndërhyri në konflikt.

Në vend që të qetësonte situatën, ai sipas dëshmive u rreshtua hapur përkrah biznesmenit që po sfidonte ligjin. Ai iu drejtua policëve me fjalët: S’bën me dënu ju Bujarin, se s’e njihni kush është Bujar Bela. Largohuni kadale, mos të ndodhë ndonjë problem këtu.

Pak çaste më vonë, tensioni u rrit edhe më shumë.

Në vendngjarje u shfaq një burrë me rroba civile, që filloi të ulërinte ndaj patrullës, duke kërkuar t’u tregonte se kush kishte fuqinë aty.

Burimet tregojnë se ky person ishte Rexhep Sijarina, i njohur si Reksi, një epror i lartë policor, i cili sipas të njëjtit burim-policëve i është drejtuar me fjalët: A e dini kush jam unë? A e dini që unë ju qes prej pune? Kush jeni ju që vini e ja ndalni muzikën Reksit?

Ai madje, sipas dëshmive, është përpjekur t’u afrohet fizikisht zyrtarëve për t’i ndalur, por është penguar nga vetë deputeti Hoxhaj, që i druhej përplasjes fizike.

Në atë moment policët zgjodhën ta kryejnë punën e tyre.  Tri gjoba u shqiptuar dhe rasti u raportua në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin zyrtarisht për Gazetën Insajderi, duke deklaruar se bëhej fjalë për një aheng shoqëror dhe se janë shqiptuar tri kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike. Por, për shkak të pranisë së zyrtarëve policorë të rangut të lartë në ngjarje, është njoftuar menjëherë IPK-ja për të hetuar çdo përfshirje të mundshme.

IPK, në përgjigjen e saj, ka konfirmuar se më 10 korrik 2025 ka pranuar informacionin për rastin dhe pretendimet për përfshirjen e një eprori policor. Rasti tashmë është dërguar në Departamentin për Menaxhimin e Ankesave, ku do të bëhet analiza fillestare dhe do të ndërmerren veprimet ligjore të nevojshme.

Në anën tjetër, Gazeta Insajderi ka tentuar të marrë një prononcim edhe nga deputeti Enver Hoxhaj, por ai nuk ka pranuar të flasë. As biznesmeni Bujar Bela, e as eprori i lartë “Reksi”, nuk kanë dhënë ndonjë sqarim publik për akuzat që po rëndojnë mbi ta.

Në vijim mund të ndiqni video-përmbledhjen e ngjarjes.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark