Fatmir Bllaca dhe Ilaz Halili, që të dy dosta të shkollës me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, kanë avancuar në pozita menaxheriale në ndërmarrjen publike Telekomi i Kosovës. Të dy janë ngritur në detyrë, përkundër që s’kanë pasur përvoja menaxheriale. Bllaca është bërë menaxher tek Departamenti i Shitjes Operative, teksa Halili i Departamentit të Sigurimit të të Hyrave. Për Bllacën ndërmarrja publike në krye me Burbuqe Hanën kundërligjshëm shpalli tri herë konkurs të brendshëm. Insajderi ju sjell detaje:
Për pozitat e Bllacës dhe Halilit mediumi ka dërguar pyetje edhe tek Zyra për Informim e Telekomit të Kosovës. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Relacioneve me Publikun, Fadil Lepaja, për Insajderin ka konfirmuar se Halili tashmë është me pozitë menaxheriale sipas strukturës së re, ndërkaq Bllaca ende koordinator, duke iu referuar strukturës së vjetër.
“Punonjësi, Fatmir Bllaca, me pozitë “Kordinator i komunikimit me konsumatorë postpaid/individual” (në strukturë të vjetër), punonjësi, Ilaz Halili, me pozitë “Menaxher Departamenti – Sigurimi i te hyrave” (2.4 FIN05_01), (në strukturë të re)”, thotë Lepaja për Insajderin.
Megjithatë, Insajderi ka marrë vesh se pas dështimit të dy konkurseve të brendshme, në konkursin e të tretë të brendshëm, Bllaca është avancuar së fundmi menaxher tek Shitjet Operative.
Ndërmarrja publike në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ për Rregullimin e Procedurave të Konkursit në Sektorin Publik e shpalli konkursin e tretë të brendshëm, me qëllim të zgjedhjes së mikut të Besnik Bislimit. Neni 6, pika 4, parasheh se “organi përkatës i autorizuar me Statutin apo Aktin e Brendshëm është i obliguar që në afat prej 8 ditësh nga dështimi i konkursit të brendshëm të paraparë në paragrafin 3 të këtij neni të nxjerrë vendim për publikim të konkursit publik për plotësim e vendeve të lira të punës”.
Gazeta Insajderi ka arritur ta sigurojë vendimin për zgjedhjen e Bllacës në pozitën e menaxherit, i cili është vlerësuar nga komisioni përzgjedh me 64 pikë.
Insajderi merr vesh se në tetor të 2023-ës, në konkursin e parë për pozitën e menaxherit operativ në Telekom, ishte përzgjedhur Blerim Bala. Bala ishte vlerësuar me 82.33 pikë nga komisioni përzgjedhës. Pas ankesës që kishte dërguar Fatmir Bllaca në komisionin e ankesave, ishte anuluar konkursi i parë.
Në konkursin e dytë të brendshëm për të njëjtën pozitë në nëntor të të njëjtit vit, sipas burimeve, konkursi është anuluar nën pretekstin se s’janë respektuar procedurat.
Për t’ia mundësuar përzgjedhjen dostit të Bislimit në pozitë menaxheriale, Telekomi kishte vendosur në të tri konkurset e brendshme komision të ndryshëm përzgjedhës.
Në konkursin e parë për pozitën e menaxherit të shitjeve operative, komision përzgjedhës janë: Violeta Namani, Fadil Lepaja dhe Violeta Cana.
Në konkursin e dytë, kryeshefja ekzekutive Hana largon Violeta Canën, dhe e vendos gruan e ish-kryeshefit Agron Mustafa, Anita Blakaj Mustafa. Blakaj-Mustafa ishte pjesë e komisionit përzgjedhës, ku Burbuqe Hana kishte vendosur veten kundërligjshëm kryesuese të komisionit, për të zgjedhur Avni Tafilajn drejtor të Marketingut.
Ndërkaq, në konkursin e tretë kryetar komisioni u emërua Avni Tafilaj, i cili më herët nga kryeshefja ishte shfrytëzuar në të njëjtën mënyrë për përzgjedhjen e vëllait të saj (Burim Hanën), Violeta Namanin.
Rrjedhimisht, i bie se kryeshefja Hana ka lënë anash kandidatin me 82.33 pikë, në mënyrë që t’ia mundësojë pozitën e menaxherit militantit të VV-së me 64 pikë.
Nga ajo çfarë ka marrë vesh mediumi, ky konkurs për pozitën e menaxherit të shitjeve operative është duke u hetuar nga Prokuroria e Shtetit.
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë fotografi që dëshmojnë miqësinë e Bllacës dhe Halilit me numrin dy të Qeverisë, nga radhën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Që të dy miqtë e Bislimit s’kanë përvojë të mëhershme menaxheriale në Telekom.
Bllaca s’e ka fshehur fare simpatinë për partinë në të cilin është miku i tij, Lëvizja Vetëvendosje. Ai është parë duke e përkrahur fuqishëm atë në rrjete sociale.
Bislimi, bashkë me Bllacën dhe Halilin kanë qenë në shkollë bashkë.
Ilaz Halili ishte shpërblyer edhe me një post tjetër nga partia në pushtet. Halili ishte zgjedhur vjet nga Qeveria Kurti anëtar i bordit të përkohshëm në ndërmarrjen KRU ‘Drini i Bardhë’ Sh. A. në Pejë.
Gazeta Insajderi në vazhdimësi ka raportuar për keqpërdorimet në Telekom, artikuj të cilët mund t’i ndiqni më poshtë: