×
  • Lajme
  • Insajderi

    Dyshimet për dhunimin e 11 vjeçares, Kujtim Munishi e cilëson të padrejtë kërkesën për dorëheqje

    Insajderi
    21 September 2022 - 14:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi për herë të parë zgjodhi që të flas për rastin e dhunimit të 11 vjeçares para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione.

    Munishi e ka konsideruar të padrejtë kërkesën për dorëheqje, shkruan Insajderi.

    “Është e padrejtë të kërkohet dorëheqje, është e padrejtë të sulmohet një institucion edhe është e padrejtë të ndërhyhet në punën e sistemit të drejtësisë pa bazë dhe provë“, tha ai.

    Munishi u shpreh se Prokuroria Themelore e Prishtinës me kohë dhe urgjencë ka marrë të gjitha veprimet për rastin e së miturës. E kërkesën për dorëheqjen e tij e konsideroi tendencioze dhe të padrejtë.

    Kryeprokurori Munishi e ka quajtur të pakuptimt dhe jo profesional raportimin për rastin e viktimës 11 vjeçare e cila dyshohet se është dhunuar seksualisht nga 5 persona në gusht.

    “Sa i përket rastit të 11 vjeçares ka qenë e papranueshme dhe e pakuptimtë jo profesionale dhe jo etike që dikush të jap një gjykim për rastin, pa i parë veprimet e Prokurorisë Themelore të Prishtinës. Është shumë keq e papranueshme sepse po ashtu në zyrën tonë i kemi marr të gjitha veprimet procedurale konform Kodit të Procedurës, Kodit Penal, Ligjeve dhe Kushtetutës dhe konfrom konventave ndërkombëtare. Është e padrejtë ka qenë e padrejtë shumë jo profesionale që të jepet një gjykim jo i drejtë pa i parë shkresa e lëndës kjo ka ndodhur në rastin e fundit, kjo ka ndodhur edhe në rastin e mëhershëm ku mediat japin informacione të pavërteta për veprimet e Prokurorisë e të paktën asnjë person nuk i ka parë shkresat e lëndës që i ka pasur Prokuroria”, theksoi ai.

    Ndërkaq, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist përmes një aksion simbolik, ditë më parë para Këshillit Prokurorial të Kosovës kërkuan shkarkimin e prokurorit Ruhan Salihu dhe kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi.

    Po ashtu kërkuan heqjen e lëndës së dhunimit të 11-vjeçares nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe kalimin tek Prokuroria Speciale e Kosovës për hetim të mëtejshëm.

    Anita Mjeku, aktiviste, tha se përmes këtij institucioni mirëmbahen neglizhentë dhe riprodhohen prokurorë e racistë që më pas shndërrohen në bashkëfajtorë të krimeve me baza gjinore.

    “Sot ne i shpallim Prokurorinë dhe KPK-në si zona krimi. Përmes këtij institucioni mbrapa mirëmbahen neglizhentë, seksistë dhe riprodhohen prokurorë e racistë që më pas shndërrohen edhe në bashkëfajtorë të krimeve me bazë gjinore”, tha ajo.

    Ndërkaq ka shtuar se do të vazhdojnë të protestojnë deri në shkarkimin e prokurorit, Ruhan Salihiu dhe kryeprokurorit Kujtim Munishi.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark