×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Edi Rama dhe Agim Bahtiri – kazanët politik të javës

    Insajderi
    03 December 2018 - 10:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkruan: Dafina Demaku

    Të mërkurën, Edi Rama në Pejë e dërgoi në ‘what the fuck’ Brukselin, në stilin e aktorëve të nervozuar në filmat aksion. Dy ditë më pas, Agim Bahtiri nisi iniciativën për bashkimin e Mitrovicës. Lajmi që Bahtiri tenton ta bashkojë Mitrovicën nuk është i ri, kësaj here, ishte e re metodologjia që kishte zgjedhur ai…

    Edi Rama

    Të shtyrë nga ndjenjat e çelikta patriotike të 28 Nëntorit, në Pejë, të mërkurën, Rama, po mbante një fjalim si një lloj komunikate për media, ku qortonte pozicionin e Brukselit, pse ia rrahë shpinën Serbisë dhe pse ia shkulë flokët Kosovës. Fjalimi i tij qortues shkoi në atë masë kur nuk duroi më dhe tha: what the fuck. Në filma aksion këtë frazë shpesh mund ta dëgjojmë me një zë të lartë, kur ngjarjet kanë marrë hov serioz ose kur aktori është gati për t’i rënë grusht aktorit tjetër, ose në një version më të butë, për t’i rënë grusht tavolinës. Në filma komedi, këtë frazë mund ta dëgjojmë në rrethana të tjera, në shenjë gëzimi a mirënjohje. Por, tonaliteti i Ramës gjatë shprehjes, tregon se i shkonte filmit aksion.

    Pas mbledhjes së dy qeverive – e cila është bërë si rutinë vjetore më 28 Nëntor –  e që më tepër duket si një aheng nacionalist, Rama vazhdoi tutje me populizma dhe klishe se “Kosova dhe Shqipëria janë të pandashme dhe dy krahë shqiponjat që ecin krah për krah”. Dollia e fjalimeve të bukura dhe frazave kakofonie nuk përfundonte veç me Ramën.

    Derisa timeline im në Facebook ishte zbukuruar nga fotografitë kuqezi, hasa në një link me titull lajmi që një X politikan deklaronte se ‘jemi krenarë që sot shqiptarët janë bërë faktorë…” Ku jemi bërë faktorë, sipas tij, nuk arrita ta lexoj, në Ballkan, në Evropë a përtej kontinenti, nuk arrita sepse m’u ndal rryma në banesë…

    What the fuck? – thash me vete. Ku qenkemi bërë faktorë? Mungesa e rrymës s’më lejoi ta marr informacionin për faktorizimin tonë.

    Pse fjalimet e Ramës në mbledhje qeverie e gjithandej në konferenca mediash, deklarata të shkurtra e debate televizive duken si ‘kazanë politik’ është fakti se në to zihej, kurrgjë më shumë, se sa zakoni i tij për të mbajtur ‘fjalime të mira në dëgjim të parë, por shumë të thata në përmbajtje’. S’ka nevojë hic të thellohemi andej – këndej. Për një qytetar të Kosovës që ka mungesë rryme deri në KATËR orë e në mos më shumë, këto fjalime tingëllojnë bukur, por në thelb janë vec hope patriotike. Pra, një patriotizëm që zihet (në kazan), po nuk nxjerr asgjë në dritë, nuk bjen as drita (energji).

    Agim Bahtiri

    Politikani i njohu i AKR’së që vizuelisht na paraqitej në fushata me videon: ‘Na kryjmë punë’,  mëngjesin e hershëm të së enjtës, vjen me një paralajmërim: do ta bashkoj Mitrovicën.

    Nuk është lajm, që Agim Bahtiri synon ta bashkojë Mitrovicën – sepse këtë tenton ta bëj herë pas here – por kësaj radhe ishte lajm ‘metodologjia’ që kishte zgjedhur. Tamam u patëm ‘nxehur’ se Bahtiri këtë do ta bënte përmes një koncerti të Shakirës mbi Ibër, metodologjia që kishte zgjedhur tani ishte mjaft frenuese e gëzimit tonë. Nga Shakira, Bahtiri kërceu te një Ligj. Një ligj jo pak me rëndësi. Por një ligj që thotë qartë kështu: ekzistojnë dy Mitrovica, ajo e Jugut dhe e Veriut. Dhe nuk është lehtë të bashkohen (nejse ligji nuk thotë kështu, por nënkuptohet në disa nene të tij).

    Interpretuesit se ky veprim i Bahtirit, ishte i lezetshëm, gabojnë për një fakt. Ky veprim – le t’i kthehemi pak seriozitetit – tregon se sa e ç’akorduar është skena politike në Kosovë. Bahtiri thotë se ka folur me liderët politikë kosovarë për këtë iniciativë e liderët thonë se nuk dinë gjë. Por, edhe sikur të dimë, thotë kryeministri Haradinaj, kjo gjë nuk është në kompetencë të Bahtirit (të komunës).

    Një gjë tjetër qesharake është se, për shembull, një politikan thotë se ndoshta mund të ndahet (valla) Kosova e tjetri thotë në një mëngjes: unë sot po nisem ta bashkoj, e del’ku’del.

    Dhe krejt në fund, përfunduam në mediat serbe: si një skenar/ide për shpërnguljen e serbëve nga Mitrovica.

    Prandaj, burra, bëhuni pak më serioz: duam dritë, duam drita.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark