×
  • Lajme
  • Insajderi

    Ekskluzive: Avokati i të dyshuarit për dhunimin e 11 vjeçares: Ekrem Rexhepi është sulmuar nga të burgosurit

    Insajderi
    07 September 2022 - 15:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ekrem Rexhepi, 26 vjeçari i dyshuar për dhunimin e 11 vjeçares është sulmuar fizikisht nga të burgosurit në qendrën e paraburgimit në Prishtinë. Atij mbrëmë i është ndërruar qendra e paraburgimit, meqenëse jeta e tij është vënë në rrezik. Gazeta Insajderi ju sjell detajet.

    Ekrem Rexhepi nga Prishtina është transferuar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës. Kështu ka konfirmuar për Insajderin, avokati i tij, Fitim Limani.

    Ai tha se mbrëmë u njoftua për këtë transferim, konfirmoi se është sulmuar nga të burgosurit.

    “Gjendja e tij s’është e mirë, mbrëmë kam marrë informatë prej gjykatës që ai ndodhet në burgun e Sigurisë së Lartë, është transferuar nga Prishtina pasi ka qenë i sulmuar nga të burgosurit e tjerë. Transferimi ka ndodh meqenëse i është rrezikuar edhe jeta, për shkak të sulmeve që ka pasur nga të burgosurit e tjerë, ia kanë ndërru pra qendrën e paraburgimit”,  tha avokati.

    Avokati bëri me dije që klienti i tij ka refuzuar të flasë për ti treguar se si ka ndodhur rasti.

    “Rasti është i ndejshëm dhe i mbrojturi im pasi jam konsultuar me të nuk ka pranuar të flas, ai ska dhënë ndonjë deklaratë ka refuzu me fol dhe nuk e di versionin e tij qysh ka ndodhur rasti. Nuk e kam takuar në qendrën e paraburgimit mirëpo kam qenë në seancën dëgjimore”, tha ai për Insajderin.

    Limani shtoi për Insajderi se te dyshuarit për dhunimi i janë bërë analizat gjinekologjike për të kuptuar nëse ka kryer marrëdhënie seksuale me të dyshuarën 11 vjeçare.

    “Atij i janë bërë analizat gjinekologjike si provë kryesore për të parë nëse ka pasur marrëdhënie seksuale me një person apo jo. Jemi në pritje derisa prokuroria të fillojë hetimet”, sqaroi ai derisa theksojë se nuk kanë pranuar ndonjë dëshmi tjetër nga Prokuroria deri në këtë pikë të rastit.

    Artikulli është përditësuar

    Pas publikimit të artikullit në një deklaratë për Insajderin, zëdhënësi i Shërbimit Korrektues te Kosovës, Florent Gashi ka thënë se Ekrem Rexhepi nuk është sulmuar prej askujt.

    “Ai (Ekrem Rexhepi) nuk është sulmuar prej askujt. Arsyeja pse është dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë për arsye të sigurisë së tij që në të ardhmen mos me i ndodhë ndonjë sulm apo diçka”, ka thënë Gashi për Insajderin.

    Mirëpo, Gazeta Insajderi ka siguruar raportin intern që konfirmon se ka ndodhur incidenti në Qendrën e Paraburgimit. Raporti konfirmon se ka pasur incident dhe se është dashur ndërhyrja e gardianeve.

    20 të paraburgosur i janë vërsulur Ekrem Rexhepit për ta rrahur. Gardianët kanë evakuuar me shpejtësi Rexhepin nga shëtitorja për në qelinë e tij. Ndërsa, të paraburgosurit kanë deklaruar se nuk duan ta shohin duke shëtitur me ta, për shkak të veprës penale, që po dyshohet se e ka kryer, dhunim i të miturës.

    “Të gjithë  të paraburgosurit që gjendeshin në shëtitjen, gjithsej 20 të paraburgosur kanë tentuar të njëjtin ta sulmojnë fizikisht dhe falë ndërhyrjes së shpejt të stafit i njëjti është tërhequr nga shëtitorja dhe kthyer në dhomë”, thuhet në raport.

    “Arsyetimet e të paraburgosurve ishin se personin (Ekrem Rexhepin) nuk e dëshirojnë në shëtitje duke përmendur veprën që akuzohet, poashtu sipas informatave konfidente që posedojmë, se i paraburgosuri, Ekrem Rexhepi është i pa dëshiruar nga të gjithë të paraburgosurit e tjerë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë”, thuhet në raportin e SHKK-së të cilin e ka siguruara Gazeta Insajderi

    Ekrem Rexhepi është i njohur për organet e drejtësisë

    Ekrem Rexhepi, para se të arrestohet për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë, ka qenë edhe shtatë herë të tjera në burg. 26 vjeçari, ka qenë i dënuar dy herë nga shteti. Një herë ishte dënuar në dhjetor të vitit 2020, me gjashtë muaj burgim me kusht dhe me një gjobë prej 300 eurove për dhunë në familje. Dhe një herë për vjedhje të rëndë. Për këtë vepër ka vuajtur dënimin me burgim prej një viti, si dhe ka paguar gjobën prej 400 eurove.

    Qysh nga vitit 2007 e gjerë në 2022-tën, Rexhepi u arrestua dhe u dërgua në mbajtje plotë 7 herë.

    Zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi ka dhënë detaje për Gazetën Insajderi, rreth rasteve në fjalë.

    Rexhepi u mbajt në Qendrën Korrektuese në Lipjan katër ditë në vitin 2007-të, këtë herë për veprën “Aksident Trafiku”.

    Për veprën “Vjedhje e rëndë”, Rexhepi u kthye në burg pas 6 vitesh përsëri. Në qendër u mbajt për 2 muaj e 29 ditë.

    Ndërkaq, 136 ditë të tjera i njëjti i kaloi në mbajtje për veprën “Vjedhje Grabitqare”.

    “Ka qenë në Qendrën Korrektuese Lipjan nga data 12.07.2007 deri me 16.07.2007 për Veprën Aksident Trafiku dhe në këtë institucion ka qëndruar 4 ditë. Ka qenë në Qendrën Korrektuese Lipjan nga data 23.05.2013 deri me 21.08.2013 për Veprën Vjedhje e rëndë në tentative dhe në këtë institucion ka qëndruar 2 muaj e 29 ditë. Ka qenë në Qendrën Korrektuese Lipjan nga data 22.12.2017 deri me 07.05.2018 për Veprën Vjedhje Grabitqare dhe në këtë institucion ka qëndruar 136 ditë”, ka deklaruar Gashi.

    Për të njëjtën vepër, Rexhepi u dërgua në mbajtje edhe plot 56 ditë të tjera.

    Veprën penale “Vjedhje Grabitqare”, Rexhepi e kishte kryer sërish pas tre muajsh. Ishte dërguar sërish në Qendrën Korrektuese në Lipjan, ku kishte qëndruar 21 ditë.

    Por i njëjti nuk ndaloi me aq, vetëm dy vite pas lirimit, Rexhepi u kap sërish duke vjedhur. Për këtë vepër, ai ishte mbajtur në paraburgim katër ditë në Prishtinë.

    Veprën e fundit penale, para dyshimit për dhunim, Rexhepi e ka kryer në janar të këtij viti.

    Këtë herë, për vjedhje të pyllit, vepër për të cilën kishte qëndruar në Qendrën e Paraburgimit në Smrekonicë për 31 ditë.

    “Ka qenë në Qendrën Korrektuese Lipjan nga data 19.10.2018 deri me 09.11.2018 për Veprën Vjedhje Grabitqare dhe në këtë institucion ka qëndruar 21 ditë. Ka qenë në Qendrën e Paraburgimit Prishtinë nga Data 09.03.2020 deri me 13.03.2020 për Veprën Vjedhje dhe në këtë institucion ka qëndruar 4 ditë.Ka qenë në Qendrën Korrektuese Smrekonicë nga Data 28.01.2022 deri me 28.02.2022 për veprën Vjedhje dhe Vjedhje e pyllit dhe në këtë institucion ka qëndruar 31 ditë. I njëjti nga 28.08.2022 është në Qendrën e Paraburgimit Prishtinë, i dyshuar për veprën aktuale dhunim”, thuhet në përgjigjet e Gashit për Insajderin.

    Pesë të dyshuarve për dhunimin e 11 vjeçares në Prishtinë iu është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj.

    Tmerri i dhunës seksuale ndaj 11 vjeçares, nuk ka nisur në natën e 27 gushtit, kur për shtatë orë ishte dhunuar nga pesë persona, dy prej të cilëve të moshës madhore. Ajo dyshohet se është keqpërdorur seksualisht e kishte qenë viktimë e trafikimit edhe në muajin qershor.

    Pas dështimit të shtetit për ta mbrojtur viktimën, dy dorëheqje janë dhënë tani. Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe Ali Gashi, Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark