×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    EKSKLUZIVE | Fakte që dëshmojnë planin e arratisjes për në Turqi të Kadri Shalës e Labinot Grudës

    Insajderi
    26 October 2020 - 14:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Insajderi sjell fakte të reja në lidhje me skandalin e vjedhjes së mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit. Skema dyshohet që nisi të përgatitej që në marsin e këtij viti, prej kur ka edhe fakte që njihen mes vete biznesmeni Kadri Shala si dhe  i arrestuari, punëtori i Thesarit, Labinot Gruda. Dyshohet se dyshja Shala e Gruda që nga muaji mars kishin filluar të rregullonin dokumentet për të nisur një jetë të re në Turqi

    Parim Olluri, Visar Duriqi

    Gazeta Online Insajderi ka publikuar deri më tash shumë fakte për skandalin ku nga Thesari i Shtetit u morën mbi 2 milionë euro dhe përmes kompanisë LDA-Group u shpërndanë në një rrjet të madh kompanish.

    Skemën e këtij skandali në njërin nga institucionet që besohej që të ishte i sigurt, Insajderi e ka ekspozuar përmes një serie hulumtimesh.

    Pas këtyre hulumtimeve, nëpërmes një letre në publik është paraqitur edhe vet emri kryesor i përmendur në këtë aferë, biznesmeni Kadri Shala. Derisa ndodhej në arrati e jashtë Kosovës, javën që shkoi ai kishte shkruar një letër të cilën e ka dërguar në adresë të Gazetës Express dhe T7, përmes vëllait të tij.

    “Për momentin jam jashtë vendit dhe brenda 2-3 ditësh do të lajmërohem të organet kompetente” , ka njoftuar Shala I cili njëkohësisht ka mohuar të ketë ndonjë lidhje me punëtorin e Thesarit Labinot Gruden.

    Insajderi nga burime të mirë-informuara ka marrë vesh që Shala e Gruda njihen së paku që nga marsi i këtij viti.

    Insajderi, nëpërmjet burimeve të mirëinformuara, ka zbuluar bashkëveprimin e dyshimtë mes Kadri Shalës e Labinot Grudës.

    Burimet sugjerojnë se ka pasur një plan që dyshja të rregulloj dokumentacionet për të jetuar në Turqi, pas kryerjës së aktit kriminal të vjedhjës së mbi 2 milionë eurove.

    Skema dyshohet që nisi të përgatitej që në marsin e këtij viti, prej kur ka edhe fakte që njihen mes vete biznesmeni Kadri Shala si dhe  i arrestuari, punëtori i Thesarit, Labinot Gruda. Dyshohet se dyshja Shala e Gruda që nga muaji mars kishin filluar të rregullonin dokumentet për të nisur një jetë të re në Turqi.

    Provat që i kanë mbledhur organet e rendit hedhin dyshime të forta për arratisjen e planifikuar të dy protagonistëve të vjedhjes 2 milionëshe. Pas vjedhjes në drejtim të Turqisë ka ikur vetëm Kadri Shala, ndërsa Gruda pati fatin e keq që të arrestohet. Shala sot është dorëzuar në Policinë e Kosovës, pas presionit të madh publik. Ai duket se ka hequr dorë tashmë nga Turqia, vendi ku ka lidhje të forta me biznesmenët e atjeshëm të cilëve iu kishte transferuar një pjesë të parave të vjedhura nga Thesari i shtetit.

    Kopja e pasaportës së Labinot Grudës.

    Detajet e planit të arratisjes

    Realizimi i planit kishte startuar në mars të vitit 2020. Në këtë datë në adresën zyrtare të kompanisë turke, “MK Mobilya Luxury”, një bashkëpunëtor i Kadri Shalës, e me kërkesë të këtij të fundit ka dërguar një e-mail. Në këtë e-mail janë bashkangjitur shtatë pasaporta të shtetasve kosovarë.

    “Të nderuar. Të bashkangjitur e të skanuar i gjeni kopjet e pasaportave (versioni PDF), ashtu siç kërkuat nga z. KADRI Shala. Me respekt, L.I”, thuhet në mesazhin që është dërguar tek kompania “MK Mobilya Luxury” më 9 mars 2020 në ora 10:22 e ku i informuar është mbajtur edhe Shala në e-mailin zyrtar të firmës LDA-Group.

    Në këtë komunikim me këtë kompani turke, pasaporta e tretë me radhë e bashkangjitur është ajo e Labinot Grudës. Pos pasaportës së Grudës, kësaj kompanie turke me kërkesën, dhe mbajtjen të informuar të vetë biznesmenit Kadri Shala, janë dërguar edhe pasaportat e shtetasve të tjerë kosovarë, L.B, i lindur në vitin 1999, A.K i lindur në vitin 1990, D.Sh. i lindur në vitin 1992, E.Sh. i lindur në vitin 2002, P.K., i lindur në vitin 1981 dhe A.G, i lindur në vitin 1996, familjar i Labinot Grudës.

    Që nga janari i këtij viti, po ashtu Kadri Shala, sipas burimeve të Insajderit, ka mbajtur kontakte të shpeshta dhe ka pranuar materiale, kryesisht skema vend-punishtesh e makinerish në sektorin e prodhimit e përpunimit të betonit me firmën tjetër turke, “Vekoç Makina Insaat”.

    Transferimi i 340 mijë eurove në Turqi nga Kadri Shala

    Transaksionet të cilat i ka siguruar Gazeta Insajderi, dëshmojnë se 340 mijë euro janë transferuar nga llogaria e kompanisë LDA Group SH.P.K në adresë të kompanisë turke, “Vekoç Makina Insaat”.

    Janë kryer dy transaksione: njëra në vlerë prej 215 mijë eurove dhe një tjetër në vlerë prej 125 mijë eurove.

    “Vekoç Makine – Vekoç Makina Insaat” është një kompani e regjistruar në Tuzla, një lagje e cila ndodhet në kufirin lindor të Stambollit.

    Pronari i kësaj kompanie, e cila merret me aktivitetet e përpunimit dhe prodhimit të betonit, rezulton të jetë Vehbi Koç.

    Biznesmeni Koç besohet të ketë lidhje me Kadri dhe Valon Shalën, pronarët e LDA GroupSh.P.K të cilët dyshohet se pas transferimit ilegal të mjeteve janë arratisur në drejtim të Turqisë. /Gazeta Insajderi

    Më shumë rreth skandalit 2 Milionësh mund të lexoni:

    Në këtë kompani dyshohet se u ekzekutuan 2 milionë euro nga Thesari

    Letra qesharake e qeverisë: E lut Kadri Shalën që t’i kthejë 2 milionë eurot

    Ekskluzive: Skema e vjedhjes së 2 milionë eurove, të përfshirë njerëz të lidhur me politikën dhe biznese

    Skandali 2 milionësh – tri ditë pas transferimit të parave te “Gashi Komerce” djemtë e pronarëve blejnë vetura

    Skandali 2 milionësh – shuma që kaloi në kompaninë e vëllaut të këshilltarit të Pal Lekaj

    Skandali 2 milionësh – 340 mijë euro transferohen në kompaninë turke

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark