×
  • Lajme
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Eqrem Çabej: “Kundër pseudofilologëve!”

    Insajderi
    12 August 2023 - 21:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Reagim kulturor i albnaologut tonë të madh, Eqrem Çabej, shhkruar më 08 nëntor, 1929, në Graz të Austrisë

    Nga shtyllat e Shekullit të Ri të verës, si dhe nga ato të Gazetës së Re duket çiltas se një epidemi grafomanie paska kapur shumë “Krena të naltë”! Kush në jetën e tij ka pasur rast të mësojë anglishten nëpër fabrikat e Amerikës, gjermanishten në tabarin-et e Vjenës, frëngjishten në Mont Martre, e italishten në kafetë e Barit, sot, i fryrë si gjel deti, na del përpara, i stolisur me rrobën transparente të pseudonimit, e… – o temporal, o mores! – me gjest dramatik na flet mbi filologji!

    Avanti pra! Parturiunt montes, nascetur ridiculus mus!

    Pra, sikundër në fletoret e Perëndimit ndodhet feuilleton-i, tek ne nuk do të mungojë, si frut pas buket, një artikull “filologjik”, i cili ka misionin, siç duket, të zëvendësojë një zakon shqiptar që është duke u shuar: luftën e gjelave.

    Nën maskën e shkabës, këta gjela luftojnë trimërisht me njëri-tjetrin, duke u gjakësuar, por dhe me maskë që jeni, e dimë se jeni gjela, o gjela!

    Tash, duke lënë të qeshurit, duhet të konstatojmë me hidhërim se është një turp kulturor për ne, që Atdheu ynë është ay vend i Europës, në të cilin në shekullin XX, njerëz që mundet të jenë të zot për nëpunësira ndofta dhe të nalta, por që s’dinë as pikë prej filologjisë, njerëz që në jetën e tyre s’kanë dëgjuar një Konferencë filologjike, njerëz që s’kanë as më të voglën ide mbi mënyrën si punohet sot në lëmin e gjuhës, që të tillë njerëz dalin e mbushin shtyllat e fletoreve me artikuj jo vetëm fare të kotë, por edhe të dëmshëm e duke u sharë me shoshoqin, dhe si!

    Kush i përflet tjetrit se tash doli nga veja, dhe se kur ay ishte nër “shpërgajt” e djepit, ky punonte për Shqipëri! Bukur! Patriota! Por kush ju tha të futeni ndër labirintet e gjuhës? E me ç’të drejtë e quan tjetrin “ignorant”, vetëm pse është kundërshtar i “ideve filologjike” të tua?

    A është kjo filologji?

    A imponohet njeriu me sharje?

    Zakoni i botës së qytetëruar e do që të luftohet për ide, e jo për inate personale, për shfryrjen e të cilave janë të çelura kaq gjykatore!

    Sot secili në Europën e qytetëruar, para se të merret me shkrime filologjike, i shkon mjaft vjet në bankat e universitetit, atje ku gjuha studiohet e analizohet me ekzaktitudë matematike, duke qenë se filologjia është një nga dituritë më të shtrëngueshme (severe) e më ekzakte që mund të jenë në botë.

    Se të mos ishte kështu, nuk rrinte Gustav Meyer të merrej tridhjetë vjet me radhë me albanologji, d.m.th. me studimin e asaj gjuhe të shkretë, të cilët “filologët” tonë të sodit, të dalë shpejt si kërpudhat pas një shiu, janë duke e përçmuar në një mënyrë të tillë!

    Kurrkush nuk ka të drejtë të shkruajë mbi gjuhë pa u pat marrë vite me radhë me studimin e vërtetë të saj! Kurrkush!

    Se gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli, dhe për popullin shqiptar është i vetmi thesar! Dhe mos e ngani thesarin me duart tuaja, zotërinj diletantë!

    Gjuha është një element i naltë kulture, nuk është një objekt mode!

    Nuk mundet të “riformohet” aq shpejtas siç mundet secili të vishet à la Perrot për Karnaval!

    Kush ju ka shtyrë të shkruani mbi gjuhë?

    Kur keni maninë e shkrimit, pse nuk shkruani ç’të doni mbi numismatikë, grafologji, mathematikë, theologji, përmbi fizikë, anatomi, analitikë e histori?

    E ta lini rehat këtë gjuhë të shkretë, e ta punojnë të tjerë të cilët të merren me të vërtetë me studimin e saj?

    Kush do të shkruajë mbi shqipen, më parë duhet të jetë marrë me studimin e gjuhëve indoeuropiane përgjithësisht, e pastaj duhet të ketë studiuar gjithë shkrimtarët shqiptarë e gjithë albanologët e huaj, numri i të cilëve është aq i math, sa studimi i tyre lyp vjet me radhë pune të pareshtur.

    Se filologjia nuk është zbavitje, është larg nga dilettantismi, është dituri, dhe që të kapesh me dituri, duhet të dish!

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark