×
  • Lajme
  • Aktuale

    EULEX-i konfirmon për Insajderin se ka rritur numrin e pjesëtarëve të saj në Veri

    Insajderi
    09 December 2022 - 14:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Misioni EULEX ka rritur numrin e patrullave vëzhguese dhe është i gatshëm që në çdo rast nëse paraqitet nevoja të zbarkojë në Veri të vendit edhe një Njësi Rezervë të Policisë së Specializuar për të shtuar forcat në teren. Kështu thuhet në përgjigjen e tyre për Gazetën Insajderi. Aktualisht nga ky mision janë 105 policë polakë të stacionuar në Mitrovicë.

    Situata në pjesën veriore të Mitrovicës ditëve të fundit është tensionuar pas disa shpërthimeve dhe sulmeve në zyrat e KQZ-së. Kjo erdhi pas përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në komunat veriore.

    Situata doli jashtë kontrolle kur sulmet nisën ndaj pjesëtarëve të Policisë se Kosove, të cilët po patrollonin në Lagjen e Bonjakëve, në Mitrovicë.

    Një nga pjesëtarët e policisë mbeti i plagosur mbrëmë nga një sulm me predhë, në Veri.

    Se situate e sigurisë në Veri është shumë e brishtë e thonë edhe nga EULEX. Në një përgjigje për Gazetën Insajderi ata thonë se nuk përjashtohet mundësia e rritjes së trupave të specializuar.

    “Në fakt, situata e sigurisë është shumë e brishtë. Njësia Policore e Specializuar (NJPS) dhe Njësia Policore e Specializuar Rezervë (NJPSR) të EULEX-it janë duke kryer patrullime vëzhguese mobile 24/7, duke punuar me ndërrime dhe aktualisht janë duke e monitoruar situatën e sigurisë në pjesën veriore  të Kosovës, përfshirë Mitrovicën e Veriut, si dhe janë duke i ndjekur zhvillimet e fundit, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës. Nuk mund të përjashtohet një rritje e mëtejshme në Njësinë Policore të Specializuar të EULEX-it”, thuhet në përgjigjen e EULEX dhënë Insajderit.

    Tutje, nga EULEX thonë se patrollimet vëzhguese janë rritur tashmë në Veri dhe në koordinim më Policinë dhe KFORIN po përpiqemi t’i qetësojmë qytetarët.

    “Ne tashmë i kemi rritur në mënyrë të konsiderueshme patrullat vëzhguese mobile të Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) të EULEX-it në koordinim me PK-në dhe KFOR-in dhe po përpiqemi ta qetësojmë popullatën lokale përmes pranisë sonë të shtuar në pjesën veriore të Kosovës. Është e rëndësishme që të gjithë njerëzit nga të gjitha komunitetet të jenë të sigurt dhe të ndjehen të sigurt. Nga data 16 nëntor, përveç patrullave vëzhguese mobile të shtuara dukshëm, zyrtarët e Njësisë Policore të Specializuar dhe Njësisë Policore të Specializuar Rezervë të EULEX-it janë duke patrulluar në këmbë në të gjitha komunat veriore, gjegjësisht në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre.

    Në nëntor, Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë (EULEX), ka zbarkuar një Njësi Policore e Specializuar Rezervë të përbërë nga 24 xhandarë nga Karabinierët italianë dhe pesë xhandarë nga Lituania u zbarkua përkohësisht në Kosovë për ta përforcuar kapacitetin e Njësisë Policore të Specializuar ekzistuese të EULEX-it.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark